Demokracitë mund të vdesin

E mërkurë, 23 October 2019 21:15

Nga Norbert Lammert/

Besoj se është e tepërt të them, se për mua personalisht është një kënaqësi e veçantë të festoj bashkë me ju këtu në Tiranë këtë ditëlindje të re por të rëndësishme të Fondacionit Konrad Adenauer, aq më tepër që kam pasur rastin të jem i pranishëm edhe në çeljen e zyrës sonë në Tiranë para 10 vjetësh.

Për ta bërë edhe më të qartë punën tonë si fondacion politik, më lejoni që ta rendis këtë ditëlindje në krah të disa datave jubilare, të cilat këtë vitkanë një domethënie të veçantë për ne në Gjermani.

Pas pak ditësh do të përkujtojmë 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, më 9 nëntor 1989. Një ngjarje e jashtëzakonshme, jo vetëm për historinë e Gjermanisë, pa dyshim shprehja më mbresëlënëse e ndryshimeve historike që ndodhën asokohe kudo në Europën Qendrore dhe Lindore, pjesë e të cilave ishin dhe u bënë edhe zhvillimet e ndodhura në Shqipëri.

 

Teksa hedh sytë nga procesi i ribashkimit të Gjermanisë, i rënies së Murit të Berlinit kam thënë shpesh diçka për të cilën jam i bindur thellësisht: Nëse ndryshimet e asokohe do të kishin ndodhur vetëm në Gjermani e jo edhe në vendet e tjera të Europës, nuk do të ishin realizuar as në Gjermani. Zhvillimet në Gjermani ishin pjesë e ndryshimit mbareuropian. Demokratët në Europë që ende jetonin në sisteme autoritare morën zemër si kurrë më parë nga rënia e Murit të Berlinit, i cili ishte shndërruar në simbolin e betonizuar të pakthyeshmërisë së sistemeve komuniste autoritare. Por në fund ai nuk arriti t’i bëjë ballë vullnetit për ndryshim, dëshirës për liri të njerëzve.

Për ne viti 2019 shënon dhe jubileun e kushtetutës sonë, e cila në këtë vit ka mbushur 70 vjet. Ajo çka e bën të veçantë këtë jubile lidhet me faktin se kushtetuta jonë madje as nuk quhet e tillë, por thjesht ligji themeltar, sepse në kohën e hartimit të saj ishte konceptuar si një rend provizor për Gjermaninë Perëndimore, një shtet i ndarë dhe josovran, të cilit Forcat Aleate me bujari i dhanë leje të formulonte themelet e një rendi të ri politik.

Ky rend provizor ndërkohë jo vetëm që është kthyer në kushtetutën më të vjetër në historinë e Gjermanisë, por për habinë time ajo është një prej kushtutetave më të vjetra në botë.

Po aq domethënëse sa këto 70 vjet të vlefshmërisë së një kushtetute të menduar fillimisht vetëm si provizore, është dhe një tjetër jubile, që do mund ta kishim festuar këtë vit, por i cili na jep pak shkas për të festuar e shumë për të kujtuar. E kam fjalën për 100-vjetorin e kushtetutës së parë demokratike gjermane, e cila në vitin 1919, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, abdikimit të monarkisë dhe shpalljes së Republikës u hartua dhe miratua nga Asambleja Kombëtare në Weimar, e zgjedhur posaçërisht për këtë qëllim.

Këtë jubile nuk ka si ta festojmë, sepse ajo kushtetutë nuk arriti të mbushë as 14 vjet. Rendi demokratik gjerman që mbështetej në këtë kushtetutë të menduar jo si provizore, por si e përhershme, mori fund që në vitin 1933. Madje formalisht përfundoi me anë të vendimit me shumicë votash të një parlamenti të zgjedhur, i cili për hir të së vërtetës nuk kishte dalë nga zgjedhje të mbajtura në kushtet e konkurencës së drejtë, por në të cilin përveç nacionalsocialistëve, - të cilët nuk kishin shumicën, as pas mbajtjes së zgjedhjeve jo të lira nuk përbënin shumicën -, edhe me votën e demokratëve u miratua i ashtuquajturi Ligji famëkeq i Autorizimit (Ermächtigungsgesetz). Me këtë akt një parlament i zgjedhur nga populli ia kaloi kompetencat e tij qeverisë, duke nxjerrë kështu nga shinat rendin kushtetues demokratik.

Nuk është e nevojshme t’Ju shpjegoj se çfarë erdhi pas kësaj vetëvrasjeje e kokëprerjeje parlamentare. Ajo çka pasoi nuk ishin vetëm 12 vitet më të errëta në historinë e Gjermanisë, por po të shohim edhe pasojat për fqinjët tanë, ishte periudha më e keqe në historinë e Europës. Nga këto përvoja padyshim traumatike, pas Luftës së Dytë Botërore, shkaktare e së cilës ishte regjimi autoritar nacionalsocialist, kemi nxjerrë mësimet tona.

Dhe një prej mësimeve të nxjerra nuk është vetëm rivendosja dhe riformësimi i organeve kushtetuese, por edhe ngritja e institucioneve, për të cilat në fakt nuk ka modele konkrete si për shembull themelimi i fondacioneve politike, të cilat madje kushtetuta jonë as nuk i parashikon. Tashmë ato luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në Gjermani, por në vazhdën e viteve edhe në më shumë se 100 vende të botës.

Filmi i shfaqur në hapje të aktivitetit tregon përmbledhtazi e pa nevojë për përsëritje atë që bëjmë në Shqipëri prej 10 vjetësh. Në mënyrë të ngjashme punojmë dhe në shumë vende të tjera. Kudo disi ndryshe, sepse çdo vend është i ndryshëm, por duke ndjekur kudo të njëjtën ide themelore. E nëse do më duhej të përmblidhja në një fjali atë që paraqitet në film ajo do të ishte: Detyra e Fondacionit Konrad Adenauer është të krijojë kushtet për ekzistencën e demokracisë, të garantojë strukturat demokratike dhe të forcojë demokratët.

Asgjë nga këto nuk ndodh vetvetiu. Dhe ndoshta mësimi më i rëndësishëm historik që kemi nxjerrë ne gjermanët nga historia jonë është pikërisht përvoja se demokracitë janë të vdekshme. Meqë festojmë një ditëlindje mund ta them edhe me fjalë më të buta: sistemet politike janë të vdekshme, edhe sistemet autoritare nuk janë momumente që gëzojnë mbrotje të veçantë, por ama edhe demokracitë vdesin. Historia e hedh poshtë idenë se demokracitë janë sisteme që vetëruhen. Historia e Gjermanisë e hedh poshtë këtë ide në mënyrë akoma më dramatike. Demokracitë ekzistojnë përsa kohë që demokratët ngrihen në këmbë për ruajtjen e tyre. Sapo ata nuk e bëjnë më këtë apo bien pre e besimit të gabuar se demokracia është e vetëkuptueshme, rendi demokratik fillon të shpërbëhet. Madje për ilustrim mund të sjell shembuj aktualë nga vende të njohura, çka parapëlqej të mos e bëj për hir të atmosferës festive të ditëlindjes.

Por dua të përmend të paktën disa fakte statistikore. Prej vitesh një institut prestigjioz britanik publikon çdo vit të ashtuquajturin indeks të demokracisë duke matur sipas kriteve të caktuara nivelin e strukturave dhe raporteve demokratike në vende të ndryshme, qofshin këto plotësisht, pjesërisht apo pak demokratike. Po të ndjekësh këtë indeks gjatë viteve të fundit, të hapen sytë për një fakt domethënës: në vitet e fundit numri i sistemeve demokratike, madje dhe i atyre plotësisht funksionale jo vetëm që nuk është rritur, por ka ardhur duke u ulur.

Ky fakt vlen të kujtohet për të na hapur sytë, sepse në fillim të viteve ’90 të ndodhur në efektin e emocioneve pas rënies së Murit të Berlinit, ribashkimit të Gjermanisë, rrëzimit të sistemeve komuniste në Europën Qendrore dhe Lindore, pothuajse të gjithë kishin bindjen se tashmë koncepti i rendit demokratik ishte historikisht i padiskutueshëm.

Do të kishte qenë bukur, por koha tregon se nuk është kështu: ai nuk është i padiskutueshëm. Sipas indeksit të demokracisë, në bazë të përllogaritjeve, analizave dhe vlerësimeve të këtij instituti në vitin 2018 në botë ka 20, vetëm 20 sisteme demokratike të zhvilluara plotësisht, në të cilat jeton vetëm 5% e popullsisë së botës.

Pra sot e kësaj dite kur flasim për demokracinë, nuk flasim për gjendjen normale të një shoqërie, por për raste përjashtimore. Flasim për një gjendje që të gjithë e dëshirojmë, një rend, i cili aty ku ekziston duhet të tregojë çdo ditë se është më i mirë se të tjerët. Dhe aty ku nuk ekziston apo nuk ekziston më duhet të rivendoset. Kjo është detyra kryesore e fondacioneve politike. Dhe natyrisht nuk ka detyrë më të bukur sesa të ndihmosh një vend të dalë nga sistemet autoritare e të ngrejë një sistem demokratik.

Besoj se reputacioni dhe respekti që gëzon Fondacioni Konrad Adenauer në thelb lidhet me faktin që ne nuk pretendojmë se kemi shpikur demokracinë. Është e qartë që ky do të ishte qëndrimi i gabuar. Është fakt i pamohueshëm që Gjermanianuk ka shpikurdemokracinë. Ne kemi përshkuar një rrugë të vështirë plot kthesa të jashtëzakonshme dhe qorrsokaqe. Por ndoshta për këtë arsye jemi në gjendje të trajtojmë me më shumë realizëm se të tjerët rreziqet dhe problemet. Ndoshta për këtë arsye jemi në gjendje të ndihmojmë më mirë në ato vende që duan të dalin nga sistemet autoritare e të gjejnë rrugën e tyre në ngritjen e strukturave dhe institucioneve demokratike.

Ndaj dëshiroj t’i rikthehem plot mirënjohje një fakti që e përmendët në fjalën Tuaj Ju zoti President, por dhe Ju zoti Kryetar i Partisë Demokratike: trajtimi i së shkuarës.

Jam thellësisht i bindur se ngritja e një demokracie të qëndrueshme në Gjermani nuk do të ishte arritur pa gatishmërinë për t’u ballafaquar pa asnjë rezervë me të shkuarën e vendit. As nuk do të ishte arritur të rifitohej reputacioni i Gjermanisë në botë pa dëshmuar qartë që ne nuk e shohim të tashmen si kompensim për të shkuarën tonë.

Për t’iu përgjigjur pyetjes sesi viktimat e një diktature ballafaqohen me ndryshimin e rrethanave, është vendimtare që ata të ndiejnë e kuptojnë se përvojat e tyre trajtohen me seriozitet. Ashtu sikurse luan rol kryesor për reputacionin e një vendi, nëse partnerët apo fqinjët e kuptojnë se ky vend e di nga vjen. Besoj se kjo mund të formulohet si aksiomë e gjithëvlefshme: një vend që nuk e di nga vjen, nuk mund të dijë as se ku shkon. Detyrë e politikës është pikërisht kjo, që duke u nisur nga situata aktuale të shkojë drejt ndryshimeve, madje këto të fundit t’i formulojë si alternativa në konkurencë brenda radhëve të saj.

E me këtë vijmë në një tjetër detyrë të rëndësishme të edukimit politik, të fondacioneve politike. Demokraci do të thotë të mendosh në mënyra të ndryshme, do të thotë alternativa. Demokraci nuk do të thotë vetëm të kesh mundësi të shprehësh qëndrimet dhe interesat e tua, por t’i bësh ballë çdo herë nga e para me guxim tundimit për ta konsideruar mendimin tënd të vetmin mendim të mundshëm.

Më besoni që e di mirë për çfarë po flas, kur e përshkruaj këtë sfidë. Sepse të përfaqësosh me forcë qëndrimin tënd, madje të krijosh përshtypjen se si demokrat i vërtetë nuk ka si të përfaqësosh tjetër mendim, është pjesë e natyrës së përballjes parlamentare, por jo vetëm. Çka është sistematikishte gabuar. Sepse në thelb demokracia mbështetet pikërisht në të kuptuarit e faktit se askush, askush nuk është në gjendje të formulojë dije të vlefshme njëherë e përgjithmonë, të formulojë objektiva të sakta e të padiskutueshme.

Apo e thënë me gjuhën e filozofisë: politika nuk ka të bëjë aspak me të vërtetën, aspak, por me interesat. Dhe meqë nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes se çfarë është e vërtetë, kemi nevojë për një rrugë që na lejon të marrim vendime dhe kjo rrugë quhet: shumicë. Por shumica nuk është testi i së vërtetës. Një shumicë nuk vendos atë çka është e vërtetë, por atë që do, çka nuk bëhet e vërtetë, thjesht sepse kështu ka vendosur shumica.

Ngatërrimi i të vërtetave me interesat është një tundim i përhershëm, edhe për demokratët, madje sidomos për demokratët.

Nëse si qytetar dhe demokrat gjerman do më duhet të formuloja ndoshta mësimin më të rëndësishëm që ne kemi nxjerrë nga dështimi i demokracisë së parë gjermane dhe suksesi i së dytës, atëherë do të thoja se për demokratët e atëhershëm, që ekzistonin padyshim edhe pse të paktë në numër – si gjithmonë -, ishte më i rëndësishëm rivaliteti mes tyre sesa përgjegjësia e përbashkët për shtetin demokratik.

E si mik i mirë guxoj të pyes thjesht se mos vallë kjo pyetje shtrohet edhe për të tashmen e të ardhmen shqiptare.

Mund ta shpreh edhe më fort.Nuk më ka pëlqyer aspak kur socialistët bojkotonin parlamentin, sepse demokratët kishin fituar zgjedhjet.E po aq pak më pëlqen që demokratët bojkotojnë parlamentin, se rezultatet e zgjedhjeve nuk ishin në favor të tyre.

Mua nuk ka nevojë të më shpjegojë njeri përvojat frustruese të demokratëve. Mund t’ju tregoj vetë plot të tilla. Mbetet ama pyetja sesa të mençura, sa të mirëmenduara, sa të orientuara drejt së ardhmes janë bojkotet e ndërsjellta, refuzimet për bashkëpunim në vend të rrugës së mundimshme – e pranoj – për të gjetur zgjidhje në konkurencë me njëri-tjetrin. Zgjidhje, të cilat më lejoni ta them janë apriori të përkohshme, pasi një vendim që sot është i vlefshëm sepse në favor të saj kishte një shumicë, nesër mund të korigjohet nga një shumicë tjetër demokratike.

Një detyrë e rëndësishme e edukimit politik është të bëjë të qarta kontekste të tilla, e mbi të gjitha para se të bëhesh pre e tundimit, pasi në çaste të tilla është edhe më e vështirë që të përvetësosh apo riaktivizosh një qasje të tillë, sesa po ta kesh brendësuar si një orientim themelor.

Unë vetë e kujtoj me dëshirë hapjen e zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer në Tiranë. Më ka lënë mbresa fakti që Ju zoti Berisha, asokohe kryeministër i vendit, me praninë Tuaj treguat qartësisht: Po, ky lloj bashkëpunimi është me rëndësi për ne.

Fakti që sot festoni ditëlindjen Tuaj bashkë me tonë dëshmon qartë se në 10 vitet e fundit nuk e keni humbur besimin në dobinë dhe qëllimet e këtij bashkëpunimi. Prania e zotit President në 10-vjetorin e zyrës sonë në Tiranë e bën thuajse të pamundur që në ditëlindjet e ardhshme të na nderojnë me praninë e tyre personalitete më të larta.

Sidoqoftë jam shumë i lumtur që në këto 10 vjet nuk është vendosur dhe zhvilluar bashkëpunimi vetëm me një parti politike, por përtej saj me një vend dhe institucionet e tij kushtetuese, veçanërisht me parlamentin, çka më duket rruga e duhur.

Po kaq shpresëdhënëse është dhe diçka tjetër: unë e kam vizituar herë pas here Shqipërinë dhe kujtoj se - krahas gëzimit tim për rrugëtimin e vendit drejt Europës dhe shpresoj drejt një demokracie funksionale e të qëndrueshme -, nuk kam thënë thjesht fjalë kortezie, por kam shprehur edhe pritshmëri. Fakti që këtë nuk ma keni marrë për keq, përkundrazi, Ju zoti President e shprehët sot dy herë që kjo formë e bashkëpunimit kritik është me rëndësi për vendin, na shërben si inkurajim i fortë për 10 vitet e ardhshme të bashkëpunimit.

Është e vërtetë. Përsa kohë që në proceset e integrimit europian rol të rëndësishëm nuk kanë vetëm qeveritë, por dhe parlamentet, mund të them se si qeveria gjermane, ashtu dhe parlamenti gjerman kanë mbajtur premtimin e dhënë.

Ne duam t’ia hapim Shqipërisë rrugën drejt Bashkimit Europian, por shqiptarët duhet ta dinë se kjo është një rrugë që duhet ta përshkojnë vetë.

E kjo nënkupton kushte, për të cilat në parim jemi në një mendje, për fat nuk ka diskutim rreth kushteve për anëtarësim në Bashkimin Europian, por ekziston diskutimi – në thelb krejtësisht demokratik - se kur, ku, me cilat hapa më të shpejtë a më të ngadaltë. Besoj se për këto e për këtë qëllim duhet të përpiqemi të gjithë bashkë në muajt dhe vitet e ardhshëm.

Ndaj në përfundim të fjalës sime dëshiroj të falenderoj nga zemra të gjithë ata që kanë punuar që prej çeljes së zyrës në Tiranë dhe ata që në këto dhjetë vjet në zyrë apo në bashkëpunim me të kanë kontribuar për përmbushjen e misionit tonë. Një falenderim po kaq i përzemërt shkon për partnerët tanë, organizatat, partitë, universitetet, gazetarët që kanë përshkuar këtë rrugë me ne.

Ju faleminderit nga zemra për këto 10 vjet bashkëpunimi të deritanishëm dhe suksese për të ardhmen e përbashkët.

* Prof.Dr Norbert Lammert është Drejtor i Fondacionit Konrad Adenauer dhe ish-kryetar i Bundestag-ut gjerman

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...