Pas padive të gjykatave serbe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj do të përballet sërish me një tjetër padi, por këtë herë nga kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama.
Në emisionin “Opinion”, kryeministri Edi Rama deklaroi se ka udhëzuar avokatët dhe një strukturë ekspertësh ligjorë në Kryeministri, të cilët paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë, që të nisin procedurat për të çuar në gjyq, me akuzën për shpifje, Ramush Hadarinajn.
Sipas Edi Ramës, padia do të bëhet për deklaratën e Haradinajt ku akuzoi se plani i Aleksandar Vuçiç për ndarjen e Kosovës, i mbështetur nga Edi Rama, do t’i merrte Kosovës 10 miliardë Euro pasuri. “Për 10 miliardëshin po përgatis, jo unë, unë kam një zyrë të posaçme të antishpifjes, dhe në Gjykatat e Kosovës, zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe Presidentit të Serbisë“,- deklaroi Edi Rama.
Në një intervistë dhënë për “Ora News”, më 17 tetor, Haradinaj tha se me vendosjen e taksës kundër Serbisë dhe qëndrimet që ka mbajtur si kryetar i qeverisë ndaloi planin për ndarjen e territorit të Kosovës.
“Ndalova grabitjen 10 miliardë euro, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës. Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme. Por unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçës, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”,- deklaroi ndër të tjera Haradinaj.
Padia e paralajmëruar e Edi Ramës për Haradinaj duket jo vetëm e panevojshme, por edhe deklaratë e gabuar. Në kohën që kryeministri flet për rritje të bashkëpunimit mes dy shteteve, përplasja e këtij niveli me padi dhe gjykata tregon të kundërtën. Qytetarët nuk do t’ja falnin kryeministrit të Shqipërisë, që në emër të tyre dhe në emër të institucioneve të tyre të paditet kryeministri i Kosovës.
Nuk ka se si më mirë Edi Rama ti bëjë nder presidentit serb Vuçiç, veçse duke bërë padi ndaj kryeministrit Haradinaj.
Deklarata e plotë e Edi Ramës në emisionin “Opinion”
Kryeministri Edi Rama: Për 10 miliardëshin po përgatis, jo unë, unë kam një zyrë të posaçme të antishpifjes, dhe në Gjykatat e Kosovës, zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe Presidentit të Serbisë. Por, një gjë di të them. Këtyre lloj politikanëve bravo ju qoftë që gjejnë dhe bëjnë. Domethënë, që t’i thuash një populli që ishin 10 miliardë në sofër dhe do ndaheshin midis këtyre të treve që ranë dakord të ndanin Kosovën, dhe të marrësh akoma vota, ata që votojnë për këtë lloj politike qofshin dhe këtyre bravo ju qoftë.
Blendi Fevziu: Pra ju po thoni që Kryeministri i Shqipërisë do të hapë çështje gjyqësore me Kryeministrin e Kosovës?
Kryeministri Edi Rama: Është ish-Kryeministri i Kosovës. Ky dha dorëheqjen medemek dhe është akoma atje. Është një person për të cilin jam detyruar për herë të parë, dhe shpresoj të jetë hera e fundit, që të dal publikisht edhe pse ishte Kryeministri i Kosovës, sepse gënjeu në mënyrën më të paskrupullt.