Nga Boldnews.al
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ndërlikoi procedurat e ngritjes së Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, me një vendim unanim të miratuar në mbledhjen e zhvilluar paraditen e së Premtes. Duke synuar të kombinojë ngutin për ngritjen e SPAK, me përcaktimet strikte ligjore për numrin minimal të nevojshëm për fillimin e punës së Prokurorisë Speciale, KLP-ja zgjodhi të aplikojë një formulë që pritet të sjellë probleme të theksuara në zbatimin në praktikë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që, brenda muajit Nëntor 2019, të emërojë 8 prokurorët që plotësojnë kriteret për në SPAK. Po ashtu, KLP, do të caktojë drejtuesin e përkohshëm të SPAK, deri në konstituimin e plotë të tij.
Kushtetuta ka parashikuar se SPAK do të ketë 15 prokurorë dhe numri minimal për nisjen e punës së tij është 10. Aktualisht, numri “magjik” 10 nuk plotësohet, pasi po pritet Vetingu edhe për 4 kandidatë në garë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që të emërojë 8 prokurorët, ndër të cilët edhe drejtuesin e, më pas, do i kalohet përgjegjësia kryetarit të SPAK-ut për të vendosur nëse do të nisi puna me numrin aktual të prokurorëve.
Por, Kushtetuta dhe ligji i posaçëm parashikon se drejtuesi i Prokurorisë Speciale zgjidhet me votim nga anëtarët e SPAK-ut. Këtë parashikim kushtetues, KLP-ja vendosi ta shkelë, duke u përgatitur të zgjedhë një “drejtues të përkohshëm”, një model anti-ligjor, por i zbatuar gjerësisht në institucionet e reja të drejtësisë.
Gjithësesi, kjo nuk është e vetmja shkelje kushtetuese dhe ligjore në vendimet e marra së fundmi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Praktikisht, KLP-ja vendosi që, nëse SPAK do të nisë me numrin më të ulët të prokurorëve se sa përcakton Kushtetura, përgjegjësinë t’ia ngarkojë drejtuesit të SPAK. Kryetari Gent Ibrahimi u shpreh në mbledhje se “Drejtuesi i SPAK do të plotësojë organikën. Ne po emërojmë prokurorët për SPAK, ne nuk marrim vendimin për krijimin e SPAK. Ne nuk e shkelim kushtetutën për ngritjen e SPAK me 8 anëtarë”.
Kjo duket një “lojë” pa sens, e cila më shumë kërkon të gjejë apo të ngecë përgjegjësinë se sa të vendosë në funksionim strukturën më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, SPAK-un.
Për më tepër, kjo formulë, e shoqëruar edhe me vendimet e pritshme, po brenda Nëntorit, për emërimin në prokurori të tjera të prokurorëve të Krimeve të Rënda që nuk kandiduan apo nuk u kualifikuan për SPAK-un, pritet të sjellë anomali në trajtimin e dosjeve hetimore.
Sipas qëndrimit të KLP-së, brenda Nëntorit ngrihet SPAK-u. Kushtetuta parashikon që, me ngritjen e SPAK-ut, pushon së ekzistuari Prokuroria për Krime të Rënda. Pra, prokurorët e tjerë do të shpërndahen. Por çfarë do të ndodh teknikisht dhe cilët do të trajtojnë dosjet hetimore që janë aktualisht në proces?
Në bazë të të dhënave zyrtare, 5 nga prokurorët aktualë të Krimeve të Rënda janë kualifikuar për në SPAK. Ndërsa pjesa më e madhe e prokurorëve aktualë të Krimeve të Rënda dhe të Apelit të Krimeve të Rënda, do të duhet të shpërndahen në prokurori të tjera lokale. Kjo situatë do të sjellë bllokim të procesit hetimor.
Një variant tjetër është që, pavarësisht vendimeve për emërime në SPAK për të kualifikuarit apo për emërimet në prokurori lokale për të tjerët, ata të gjithë të vijojnë punën tek Krimet e Rënda deri në konstituimin formal të Prokurorisë Speciale. Ky variant bie ndesh me Kushtetutën, që parashikon shkrirjen e menjëhershme të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Apelit të saj, pas krijimit të SPAK-ut.
Por, gjithësesi, nëse pranohet ky variant i dytë, atëherë duket tërësisht i paqartë se përse Këshilli i Lartë i Prokurorisë nxitoi të aplikojë një formulë çoroditëse.
Krijimi i SPAK-ut përbën një ndër kushtet thelbësore të Bundestag-ut gjerman për hapjen e negociatave. Por, nxitimi për të krijuar një “amalgamë” institucionale, duket se nuk do të sjellë asgjë pozitive, të paktën për momentin e parë.
Rebusi me emrat
Po çfarë do të ndodhë me prokurorët e Krimeve të Rënda, në shkallën e parë dhe të Apelit, në bazë të kësaj “formule” të përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë?
Aplikimi i saj do të jetë një “rebus” i vërtetë. “Boldnews.al”, duke iu referuar formulës që miratoi KLP të Premten, ka hartuar listën e lëvizjeve të mundshme të prokurorëve, si më poshtë:
Në SPAK
Emrat e prokurorëve të Krimeve të Rënda që do të jenë në SPAK, janë
– Altin Dumani, aktualisht drejtues i komanduar i Apelit për Krime të Rënda
– Klodian Braho
– Ened Nakuçi
– Edvin Kondili
– Behar Dibra
(Emrave të mësipërm u bashkohen edhe; Arben Kraja, aktualisht në Prokurorinë e Përgjithshme; Enkelejda Millonai nga Prokuroria Elbasan dhe Elida Kackini nga Prokuroria e Tiranës)
Situata me emrat e prokurorëve ndërlikohet në vijim;
Rikthim në pozicionet e emërimit
Me krijimin e SPAK, disa prokurorë të “caktuar përkohësisht” pranë Krimeve të Rënda dhe që nuk janë pjesë e Prokurorisë Speciale, do të rikthehen në pozicionet e tyre;
– Donika Prela, aktualisht drejtuese e Krimeve të Rënda, duhet të rikthehet në Durrës
– Dritan Prençi duhet të rikthehet në Kukës
– Isa Jata, aktualisht i “caktuar përkohësisht” në Apelin e Krimeve të Rënda, duhet të rikthehet në Prokurorinë e Tiranës.
Presin emërimin e ri
Disa prej prokurorëve të emëruar tek Krimet e Rënda, por që nuk do të jenë pjesë e SPAK-ut, do të presin emërimet e reja. Këta emra janë:
– Besim Hajdarmataj
– Vladimir Mara
– Arens Çela
– Përparim Kulluri
– Blerim Tominaj
– Pranvera Hoxha (Pustina)
– Sonila Domi
Një rast i veçantë në këtë listë është emri i prokurorit Olsian Çela. Ai është një ndër kandidatët për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Fati i tij do të jetë në varësi të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit.
Në SPAK ose të shkarkuar
Tre emra, të cilët aktualisht figurojnë në organikën e Krimeve të Rënda, janë në kufirin ndërmjet emërimit në SPAK dhe shkarkimit nga detyra. Ata janë kualifikuar nga KLP-ja për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, por ende nuk janë përballur me procesin e Vetingut;
– Anton Martini
– Doloreza Musabelliu
– Elisabeta Imeraj
Kjo e fundit, e cila aktualisht është drejtuese e caktuar “përkohësisht” e Prokurorisë së Tiranës, duhet të rikthehet tek Krimet e Rënda, sipas formulës së hartuar nga Këshilli i Lartë i Prorkurorisë.
Gjithashtu, kësaj liste me pikëpyetje i shtohet edhe emri i kandidates tjetër të miratuar për SPAK, Manjola Kajana, e cila pritet të përballet me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik kundërshtoi vendimin e konfirmimit në detyrë të saj nga shkalla e parë e Vetingut.
Deri sa t’i vijë momenti për t’u përballur me KPA-në, prokurorja Kajana, me shumë mundësi, do të marrë emërimin në një prokurori tjetër.
Siç duket qartë, formula e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, më shumë sjell problematika se sa zgjidhje që në momentin e krijimit të SPAK-ut.