Partia Demokratike ka dalë sërish sot me një deklaratë zyrtare duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mbron kryetarin e Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku.
Ish-deputetja e PD Dhurata Çupi tha para mediave se Edi Rama tregon se antiligji është modeli i tij i qeverisjes, pasi vazhdon të mbrojë Kajmakun edhe pasi prokuroria verifikoi zyrtarisht se ai ka shkelur ligjin e dekriminalizimit. Po Çupi theksoi se për Agim Kajmakun nuk ka shpëtim dhe se dshehja pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është një qëndrim prej burracaku i Edi Ramës.
Sot bëhen 3 ditë që Edi Rama është zyrtarisht në mbrojtje të Agim Kajmakut, i cili fshehu me qëllim arrestimin e tij në Greqi disa vjet më parë me emrin Jorgo Toto.
Edi Rama duhet ta kishte shkarkuar Agim Kajmakun që në momentin, kur prokuroria verifikoi zyrtarisht se ai kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke fshehur krimin për të cilin ishte arrestuar dhe ishte në kërkim në Greqi dhe në kërkim europian deri pak kohë më parë.
Duke mbajtur në detyrë një funksionar të lartë publik që shkel ligjin, që kryen vepra të rënda penale dhe mashtron qytetarët, Edi Rama tregon se antiligji është modeli i tij i qeverisjes.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Edi Rama ka qenë në mbrojtje të Agim Kajmakut, edhe pse e dinte se ai ishte subjekt i ligjit të dekriminalizimit. 3 javë më parë, Edi Rama e mbrojti atë edhe publikisht.
Qëndrimi i Edi Ramës në mbrojtje të një funksionari publik që e ka vendin në burg dhe jo në krye të një bashkie, tregon se Edi Rama dhe Agim Kajmaku ndajnë të njëjtin moral. Për ta ligji nuk ka vlerë, kur cenon pushtetin e tyre.
Duke kandiduar persona me të kaluar kriminale, si në Shkodër, Vorë apo Vaun e Dejës, Edi Rama dëshmon se nuk ka ndërmend të marrë seriozisht plotësimin e 9 kushteve të Bundestagut, që është e vetmja rrugë për të hapur derën e mbyllur të Europës për të katërtën herë radhazi.
Marrja në mbrojtje e Agim Kajmakut, siç ka bërë më çdo kriminel tjetër që ka futur në politikë, dëshmon, gjithashtu, se Edi Rama as nuk ka bërë ndonjëherë shtet, as nuk ka ndërmend të respektojë shtetin ligjor. Në shtetin e Edi Ramës ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Njësoj si në “Fermën e kafshëve” të Orwellit, kriminelët e Edi Ramës, janë më të barabartë se qytetarët e zakonshëm. Ata janë të paprekshëm, veçanërisht nëse janë politikanë apo klientë biznesi të Edi Ramës.
Fshehja pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është një qëndrim prej burracaku i Edi Ramës. Ai e di shumë mirë se, siç thotë Zëri i Amerikës, për Agim Kajmakun nuk ka shpëtim.
Edi Rama e di, po aq mirë, se shumë shpejt do t’i vijë radha edhe atij!