Shengeni Ballkanik/ Si po manipulon Edi Rama?

Tuesday, 12 November 2019 14:14

Edi Rama po gjendet gjithnjë e më i rrethuar mes faktorëve shqiptarë për të shtyrë përpara idenë e përbashkët me Vuçiçin, atë për një mini-Shengen Ballkanik. Ai është sulmuar jo vetëm nga opozita vendase me frymë berishiste, që nuk ngurron ta etiketojë si tradhëtar, por po humbet gjithë konsensusin e dëshëruar edhe në Kosovë.

Aleati i tij më i madh në aventurën e ndryshimit të kufijve, Hashim Thaçi, këtë herë e la në baltë. I tronditur nga zhvillimet e fundit pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ai e bojkotoi takimin e Ohrit duke e detyruar Ramën të bëjë një deklaratë të fortë : “Kosova u vetëpërjashtua ».

Pas Thaçit edhe Isa Mustafa, kreu i LDK, që do të ketë gjysmën e qeverisë së ardhshme, e fshikulloi idenë e krijimit të një Jugosllavie të re. Me një gjuhë të ndryshme, kryeministri në pritje, Albin Kurti, i kujtoi Ramës se nuk mund të ndërmarë veprime unilaterale në emër të kombit. “Tirana dhe Prishtina është mirë të diskutojnë me njëra -tjetrën para se të flasin me palë të treta. As ne nuk mund të bisedojmë me Greqinë pa folur me Shqipërinë, as Shqipëria me Serbinë pa folur me ne”, tha Kurti të hënën në mbrëmje në një intervistë tek Babaramo.

Kështu kryeministrit shqiptar, që po mbron idenë e lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve bashkë me Vuçiçin, po i krijohet e njëjta situatë armiqësore siç iu krijua Thaçit me idenë e këmbimit të territoreve: edhe ai, si atëhere presidenti i Kosovës, i ka tubuar të gjithë faktorët shqiptarë kundër vetes.

Për të zbutur tërë këtë situatë të vështirë, për të cilën Rama dikur kritikoi edhe vetë Thaçin, kryeministi është hedhur në një fushatë manipulimi mediatik që Lapsi.al e ka qëmtuar me kujdes. Interesante është të lexohen tezat që zyra e tij e propagandës u ka shpërndarë shumicës së mediave pranë qeverisë.

Në një tekst pak a shumë të njëllojtë, aty pretendohet se Edi Rama, po kryen aktin heroik të zhdukjes së kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Aty argumentohet se kjo ka qenë një përpjekje e qeverisë socialiste me të gjitha kabinetet e Kosovës, Thaçi, Mustafa, Haredinaj, por që u pengua nga komuniteti ndërkombëtar pasi, Serbia nuk e pranonte rënien e kufirit mes Shqiptarëve.

Por, tani pretendohet se Rama e ka negociuar atë me Vuçiç duke fshirë vijat ndarëse mes nesh.

Përpos këtij përshkrimi heroizues, materiali propagandistik i shpërndarë në media ngre dhe një sfidë: A do të jetë Vetvendosja kundër kësaj ideje patriotike të Ramës? 

Duke bërë me anë të autoporlantëve të tij shpërndarjen e këtij deliri që s’ka guximin ta thotë me gojën e vet, kryeministri tregon se është në hall të madh. Dhe prandaj po propogandon një ide kaq foshnore: Pra se Rama po e shfrytëzon mini-Shengenin ballkanik, për të bashkuar kombin.

Por, sipas kësaj llogjike po ranë kufijtë, po filloi lëvizja e lirë e njerzve dhe mallrave, pse mos interpretohet kjo si një ribashkim i Kosovës me Serbinë? Absurde.

Po aq absurde sa do të qe po të thoshe se me përfundimin e këtij procesi, Shqipërisë do ti bashkohen po njësoj edhe trojet shqiptare të Maqedonisë perendimore dhe ato të Preshevës.

Natyrisht, lëvizja e lirë është një gjë për tu përshëndetur që në radhë të parë i bën mirë të gjithë qytetarëve të rajonit.

Por manipulimi me të dhe vizatimi përmes saj i heronjve, apo rilindjes së Skënderbenjve të rinj, është një gjest i shëmtuar.

Natyrisht kur përfishihet në manipulime të tilla, Edi Rama ka diçka më të madhe për të fshehur. E keqja më e vogël është që ta ketë bërë për të neutralizuar bashkimin e gjithë faktorëve të tjerë shqiptarë që po i bëhen kundër në projektin që ai ka nisur bashkë me Vuçiçin. Lapsi.al

Modifikuar më Tuesday, 12 November 2019 14:15
Login to post comments