Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklarata e Ramës se për Gjykatën Kushtetuese ka vepruar në konsulencë të plotë më ndërkombëtarët nuk i thotë asgjë.
Në bashkëbisedimin me gazetarët, kreu i opozitës u shpreh ndër të tjera se, kryeministri Edi Rama e ka zakon të fshihet pas grave, ose pas Ambasadave.
"Trojka dhe ambasadorët flasin për vete, ndërsa Edi Rama e ka zakon të fshihet pas të tjerëve. Preferon të fshihet pas grave ose pas Ambasadave. Kjo është historia e tij politike. Unë nuk besoj se ajo që ka thënë dhe që është në valë dhe me ato që ka thënë më përpara është e vërtetë. Unë kam mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar për reformën në drejtësi dhe faktorin ndërkombëtar që kanë kontribuar për drejtësi të pavarur dhe të fortë.
Nuk besoj që ndërkombëtarët i thonë Edi Ramës kape drejtësinë, e kam të vështirë, e kam të pamundur ta besoj këtë. Apo që i thonë fut kriminelët në parlament, apo që i thonë garo Valdrin Pjetra e Agim Kajmakër për kryetarë bashkish, apo i thonë blej vota, apo i thonë shndërroe Shqipërinë në hambar kanabisi.
Nuk besoj që këto i ka bërë sepse kështu e kanë këshilluar ndërkombëtarët. Këto janë dështime të plota dhe të mënxyrshme të Edi Ramës. Pastaj ai fshihet pas të tjerëve, u takon të tjerëve të sqarojnë pozitat e tyre, nuk sqaroj pozitat e askujt dhe as komentoj.
U takon atyre të cilët ai përgojon që të sqarojnë dhe mirë është të sqarojnë pozitat e tyre. Unë nuk mund të hyj në lojën e Edi Ramës. Këtë tha dhe për kanabisin, kriminelët. Është fshehur gjithmonë pas ndërkombëtarëve. Unë nuk besoj që janë ndërkombëtarët që e porositin Edi Ramën të kapë drejtësinë. Unë nuk besoj se kjo është e vërteta.
Por secili duhet të përgjigjet për përgjegjësitë që ka. Një gjë është e qartë që Edi Rama gjithmonë përpiqet tu ikë përgjegjësive që ka apo që ka patur. Siç tha për integrimin. Ky është njeri që nuk mban përgjegjësi, është terësisht ai përgjegjësi për gjithë këto dështime", deklaroi Basha.