Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllar, vijon të dalë në mbështetje të banorëve të Unazës së Re.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka përdorur çdo institucion shtetëror për të mbuluar atë që, ish deputeti e quan “Hajdutëri” tek Unaza.
Përkrah banorëve të prekur nga projekti i “Unazës së Re”, Braimllari u shpreh se, duhet kërkuar hetim ndërkombëtar për Edi Ramën, Sandër Lleshaj, Damian Gjiknurin për aferën korruptive tek Unaza e Re, dhunën në kundërshtim me ligjin të ushtruar nga Policia e Shtetit me porosi të drejtpërdrejtë të kryeministrit, si vetmja mundësi, sipas tij, për të vënë drejtësinë në vend.
"Gjatë një viti është ushtruar terror nga Edi Rama dhe gjithë shpura e tij shtetërore e korruptuar tek Unaza e Re. Edi Rama përdori çdo institucion shtetëror për të mbuluar hajdutërinë e tij tek unaza. Edi Rama nuk hetohet nga prokuroria shqiptare për këtë aferë korruptive sepse Edi Rama ka kapur çdo segment të drejtësisë.
Nëpërmjet ushtarit të tij, Ardian Dvorani simbolit të korrupsionit në drejtësi, që në deklarimin e tij të pasurisë nuk justifikon 90 milionë lekë pjesë të korrupsionit të tij kërkon të kapë Gjykatën Kushtetuese për të thelluar me tej paligjshmërinë e tij.
Si e vetmja mënyrë për të mos pasur më Gjykatë Kushtetuese që të kontrollojë veprimtarinë e tij korruptive. Si e vetmja mënyrë për të goditur njëherë e përgjithmonë themelet e shtetit të së drejtës.
Edi Rama, Taulant Balla, Ulsi Manja, Ardian Dvorani dhe një tufë matrapazësh të tjerë janë pjesë e një grupi të strukturuar për të kapur dhe shkatërruar reformën në drejtësi.
Sot publikisht nga Unaza e Re, nga kjo skenë krimi qeveritar duhet të kërkojmë hetim ndërkombëtar për Edi Ramën, Sandër Lleshaj, Damian Gjiknurin për aferën korruptive tek Unaza e Re, dhunën në kundërshtim me ligjin të ushtruar nga Policia e Shtetit me porosi të drejtpërdrejtë të Edi Ramës si të vetmen mënyrë për të vënë drejtësi në këtë vend", u shpreh Endrit Braimllari.