A ka "ftohje" me ndërkombëtarët? Arben Kashahu: PD përfaqëson shpresën e ringritjes

Diel, 17 November 2019 16:38

Arben Kashahu, sekretari për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Demokratike është besimplotë se forca politike që ai përfaqëson do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza sipas tij 6-vjeçare në të cilën e ka zhytur qeverisja e majtë.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Kashahu flet për prioritet e PD-së lidhur me politikën e jashtme teksa garanton se nesër në pushtet do të rivendosë demokracinë funksionale, do të ndalojë shpopullimin, do të realizojë një model zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, shndërrimin e Shqipërisë në faktor stabiliteti rajonal, forcimin e marrëdhënieve me aleatët euro-atlantike jo vetëm në planin politik, por edhe atë ekonomik e integrues.

INTERVISTA:

Z.Kashahu, ku është përqendruar aktualisht politika e jashtme e Partisë Demokratike?

Deri më tani PD-ja ka mundësuar me sukses të plotë që aleatët ndërkombëtarë të njohin me vërtetësi realitetin politik, ekonomik e social të Shqipërisë dhe të konsolidojë bashkërisht me ta rrugën e daljes së shpejtë nga kriza dhe perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Misioni i Partisë Demokratike është përfaqësimi i shpresës për Shqiptarët dhe partnerin e besueshëm për aleatët, përfaqësimi i forcës politike me vizionit e duhur zhvillimor, kapacitetet e larta profesionale dhe integritetin njerëzor të ekipit të saj, që i duhet vendit për t’u qeverisur, integruar e kapërcyer gjendjen në të cilën ndodhet. Është në fokus të PD të prezantojë tek aleatë strategjikë potencialin e Shqipërisë për zhvillim e mirëqenie, vokacionin perëndimor të Shqiptarëve dhe projektin e shndërrimit të Shqipërisë në një partner të besueshëm dhe faktor stabiliteti rajonal. Partia Demokratike do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza në të cilin është zhytur këto 6 vitet e fundit, ndalojë shpopullimin, rivendosë demo-kracinë funksionale, realizojë një model zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, shndërrojë Shqipërisë në faktor stabiliteti rajonal, forcojë marrëdhëniet me aleatët euro-atlantike jo vetëm në planin politik, por edhe atë ekonomik e integrues.

A ka një “ftohje” të marrëdhënieve të PD-së me ndërkombëtarët, në mënyrë të veçantë me SHBA pas bojkotit të institucioneve?

Vërej se përputhja e pozicionit të ndërkombëtarëve me qëndrimet e Partisë Demokratike tregon që ka perceptueshmëri të njëjtë të situatës në të cilën ndodhet vendi nga të dy këta faktorë. Qëndrimet e PD janë pranuar plotësisht nga dokumenti i Bundestagut si dhe qëndrimet e të gjitha shteteve anëtare të BE. Zgjidhja e krizës politike është artikuluar si prioriteti i parë për t’u adresuar nga kandidatja për ambasadore e Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Nuk dua të hamendësoj se ndërkombëtarët e gjejnë tekstin e tyre tek qëndrimet e Partisë Demokratike, por të theksoj se të dy palët e lexojnë realitetin me të njëjtën vërtetësi. Partia Demokratike përfaqëson shpresën e ringritjes dhe së bashku me aleatët ndërkombëtarë do të ndërtojë arkitekturën e re ekonomike, institucionale e sociale të Shqipërisë së nesërme.

Përse dështoi Shqipëria e Maqedonia e Veriut në ambicien e tyre për hapjen e negociatave me BE?

Dua të saktësoj se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dështuan për shkaqe të ndryshme. Shqipëria dështoi për shkak të kriminalizimit të pushtetit, kanabizimit të vendit, dështimit të plote të lidershipit të Ramës, eksportit të kriminalitetit e azilantëve me destinacion BE, rrënimit ekonomik e social, mos-zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndërsa Maqedonia e Veriut dështoi për shkak të Shqipërisë.

A është e mundshme hapja e negociatave në samitin e Zagrebit vitin e ardhshëm?

Është e mundshme nëse mazhoranca qeverisëse do të gjejë vullnetin politik të plotësojë kushtet e vendosura nga Bundestagu, të zgjidhë krizën e thellë politike, të çlirojë vendin e potencialin e tij, t’i hapë rrugë zhvillimit të zgjedhje të lira, të ndershme e të gjithëpranuara, të cilat do të prodhojnë një model qeverisës profesional, të besueshëm, e prosperues. Një Shqipëri në krye të së cilës është një kryeministër i veshur me të gjitha pushtetet dhe i zhveshur nga të gjitha sukseset, rrezikon shumë në Zagreb.

Çfarë do t’u ofrojë opozita shqiptarëve me qëllim që ata t’i bashkohen familjes europiane?

Projekti qeverisës e zhvillimor i PD do të mundësojë një Shqipëri të aftë të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme, me pushtete të ndara, me model shtetëror e qeverisës të suksesshëm, me mirëqenie të shpërndarë tek qytetarët, me institucione politike, ekonomike e sociale përfshirëse, me investime euro-atlantike si garanci për stabilitetin e zhvillimin e qëndrueshëm.

Sa kohë do t’i duhet Shqipërisë që të bëhet anëtare me të drejta të plota në BE?

Çdo përgjigje që përmban një datë të caktuar si parashikim do të ishte një spekulim nga unë e kushdo. Është njësoj si të pyesësh: për sa kohë shkohet me makinë nga Tirana në Bruksel? Kjo varet nga fuqia e motorit dhe nga niveli i aftësive drejtuese të shoferit. Me një motor si ky i tanishmi e një shofer të apasionuar pas indietros nuk mbërritët. Pa ndërruar shoferin (pushtetin) e ndrequr motorin (shtetin) kjo makinë sa herë të niset për Bruksel do të përfundojë ne Novi Sad.

Ku po gabon qeveria Rama në raport me politikën e jashtme?

Politika e jashtme e qeverisë shqiptare ka humbur busullën. Për herë të parë shkojmë në drejtim të kundërt me BE, zhvillojmë një trend qeverisës euroskeptik, qeveria tenton të anatemojë kushtet e vendosura nga parlamentet e qeveritë e vendeve që përbëjnë boshtin e BE, përfshihet në një ligjërim të pakujdesshëm e me etiketime jo politikisht korrekte kundrejt liderëve të vendeve që përbejnë boshtin e BE. Qeveria shqiptare dështon të koordinohet me Kosovën dhe përdor foltoren rajonale për të shkëmbyer publikisht replika me Kosovën zyrtare. Është shumë e rëndë që kryeministri shqiptar ka humbur kursin e politikës së jashtme dhe po zhvillon dhe prezanton një model personal ku spikasin tiparet e vetëkënaqësisë e arrogancës, shkëputja nga realiteti objektiv dhe pasioni ndaj një ligjërimi konspirativ, mangësi të theksuara të korrektësisë etike, të gjitha sa më lart atipike për një politikan të standardit perëndimor. Duke i shtuar këtij modeli dështimin e plotë qeverisës të lidershipit të tij, tashmë botërisht të njohur, Edi Rama është kostoja më e madhe e Shqipërisë në politikën e jashtme.

Pse po kundërshtohen kaq shumë “shengeni ballkanik”, pavarësisht lehtësirave që mund të krijojë brenda rajonit? Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do t’i shkojë deri në fund idesë për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në Ballkan…

Partia Demokratike ka udhëhequr vendin drejt proceseve më të rëndësishme madje do të thosha jetikë integruese, siç është anëtarësimi në NATO dhe hapat e suksesshëm drejt BE, si dhe ka fuqizuar rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon. PD është plotësisht mbështetëse e çdo nisme, e cila prodhon kohezion rajonal, forcim të stabilitetit e prosperitetit të rajonit, zhvillim të konektivitetit njerëzor dhe ekonomik e tregtar të vendeve të rajonit. Në mënyrë që një nismë të prodhojë efektet sa më lart duhet të parashtrohet mbi një platformë, fisibiliteti i të cilës të jetë i mirëstudiuar, pranueshmëria të jetë diskutuar paraprakisht me vendet pjesëmarrëse, të mbështetet unanimisht, e të përcjellë për qytetarët e rajonit mesazhin e kohezionit ekonomik e social. Ndërkohë nisma që ju përmendni, që në ditën e pare, solli një ndarje të zëshme publike midis Shqipërisë e Kosovës, Kosovës e Serbisë, Malit të Zi e vendeve të tjera të përfshira në nismë, e si e tillë nuk përcolli për qytetarët e rajonit mesazhin e mirëkuptimit në rritje të shteteve të rajonit me njëri tjetrin, nuk solli përmbajtje pozitive në qëndrimet publike të liderëve të rajonit, duke e bërë kështu një nismë me target e objektiva të paqarta e të pashpjeguara publikisht. Duhet bërë shumë kujdes me përgatitjen e nismave të tilla në Ballkan e sidomos me komunikimin politik drejtuar publikut rajonal. Ballkani perëndimor nuk është një rajon homogjen, e ndjenjat nacionaliste vazhdojnë të mbeten një realitet. Shpejtësia në lancimin e kësaj nisme, prezantimi i saj siç rezultoi i pambështetur nga gjysma e vendeve për të cilët u hartua, gjuha politike anti-BE e përdorur në konferencën e përbashkët për shtyp, përdorja e podiumit të kësaj nisme për të sulmuar Kosovën e liderët e saj si të pa-aftë të kuptojnë sa vizionare është kjo nismë, nuk i shërben qëllimit që nismat rajonale në Ballkanin Perëndimor duhet të targetojnë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...