Padia e plotë/ Ja akuzat e Presidentit Meta kundër Dvoranit

Tuesday, 19 November 2019 15:37

Ashtu siç ishte paralajmëruar në orën 14:30 të ditës së sotme, presidenti Ilir Meta ka kallëzuar penalisht kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Me anë të një statusi në Facebook, presidenti tregon se ka nënshkruar padinë e tij ndaj kreut të KED.

Më poshtë keni padinë e plotë të presidentit Ilir Meta kundër Ardian Dvoranit:

K A L L Ë Z I M - P E N A L

KALLZUES:       PRESIDENTI I REPUBLIKËS, ILIR META, me adresë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1, Tiranë.

KUNDËR:         Ardian DVORANI, me detyrë Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me adresë Gjykata e Lartë, Tiranë.

OBJEKTI:          1. Kallëzimi i veprave penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe“Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penale.

BAZA LIGJORE:            Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë;        

Neni 281 i Kodit të Procedurës Penale;

Nenet 246 dhe 248 të Kodit Penal;

Ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;

Ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të RSH-së” ndryshuar me ligjin 99/2016;

Ligji nr. 78/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”;

DREJTUAR:      1.         PROKURORISËSË PËRGJITHSHME

  1. PROKURORISË PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË PËR KRIMET E RËNDA
  1. PROKURORISË SË RRETHIT GJYQËSOR TIRANË

TIRANË

Të nderuar zonja/zotërinj Prokurorë,

HYRJE:

Presidenti i Republikës në cilësinë e Kreut të Shtetit, ashtu dhe në cilësinë e organit të emërtesës sipas Kushtetutës, ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, si dhe ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ka ndjekur në vijimësi dhe me shumë shqetësim prej mëse dy vjetësh procesin e funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe ecurinë e procedurave për verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

Presidenti në vijimësi ka bërë thirrje përkundrejt të gjitha institucioneve të përfshira në proces, me qëllim respektimin e Kushtetutës dhe ligjit në mënyrë që të gjitha procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të ishin në mbëshetje të kuadrit ligjor.

Së fundmi, siç dhe jeni bërë me dije qoftë përmes medias së shkruar dhe vizive, nga debati publik, por dhe nga deklaratat publike të Presidentit të Republikës është konstatuar se përgjatë veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (2019) janë konstatuar disa shkelje të rënda përgjatë ushtrimit të detyrës nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi zoti Ardian Dvorani, veprime këto të cilat kapërcejnë kufirin e “shkeljes disiplinore”, dhe hyjnë drejtëpërdrejtë në sjellje që e ngarkojnë zotin Dvorani me përgjegjësi penale.

Veprimet dhe mosveprimet e zotit Dvorani kanë krijuar një pasojë shumë të rëndë, që është cenimi i legjitimitetit të të gjithë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe kanë krijuar një debat të fortë publik që sjell pasoja të pariparueshme për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë dhe uljen e besimit të publikut tek Gjykata Kushtetuese dhe implementimi i reformës në sistemin e drejtësisë.

Presidenti i Republikës, pasi i ka konstatuar këto veprime dhe mosveprime, vlerëson se ato përbëjnë jo vetëm shkelje disiplinore, por dhe vepra penale. Bazuar në nenet 281 të Kodit të Procedurës Penale, Presidenti i Repubikës parashtron këtë kallëzim penal përpara organit të akuzës me qëllim fillimin e hetimeve ndaj zotit Ardian Dvorani për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 Kodit Penal dhe“Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal, pasi nga tërësia e rrethanave vlerësohet se përgjatë detyrës së Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ai me dashje ka shpërdoruar funksionin publik që i është ngarkuar dhe ka marrë përsipër të realizojë.

RRETHANAT E ÇËSHTJES:

Presidenti i Repubikës nëpërmjet Dekretit nr.10722, datë 07.02.2018, ka vendosur “Shpalljen e procedurës së thirrjes për aplikim për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vakancë kjo e cila ishte krijuar për shkak të përfundimit të mandatit në vitin 2016 të ish-gjyqtarit zotit Sokol Berberi. Në përfundim të afatit të aplikimit lista me 22 aplikantë për këtë vakancë u shpall në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës dhe së bashku me dokumentacionin ju përcollën Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.

Presidenti i Republikës, me Dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, ka vendosur “Shpalljen e procedurës së aplikimit për plotësimin e vendit vakant, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vakancë kjo e krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të rregullt të zonjës Altina Xhoxhaj në datën 25.05.2019. Në përfundim të afatit të aplikimit lista me 13 aplikantë për këtë vakancë u publikua në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikësdhe së bashku me dokumentacionin përkatës të dorëzuar, iu përcoll Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për verifikim dhe vlerësim sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Ndërkohë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka administruar në proces shqyrtimi edhe listat e kandidatëve dhe dokumentacionin përkatës edhe për 2 (dy) vakanca të shpallura për aplikim nga Kuvendi respektivisht në datën 12.02.2018 për vendin e lënë bosh nga përfundimi i mandatit të ish-gjyqtarit Vladimir Kristo dhe për vakancën tjetër të shpallur nga Kuvendi në datë 04.03.2019 për vendin e lënë bosh nga ish-gjyqtari Bashkim Dedja.

Duke qenë se Këshilli i Emërimit në Drejtësi i zgjedhur për të funksionuar përgjatë vitit 2018 nuk ka funksionuar atëherë Këshilli aktual, ka shqyrtuar dhe ka vlerësuar, verifikuar dhe pikëzuar këto katër vakanca të shpallura si në vitin 2018 ashtu dhe ato të shpallura në vitin 2019.

Institucioni i Presidentit të Republikës ka ngritur shqetësimin në mënyrë zyrtare dhe të dokumentuar jo vetëm publikisht dhe nëmbledhjet e Këshillit, por edhe me shkresë zyrtare, për një sërë çështjesh që lidhen me transparencën e veprimtarisë së Këshillit, apo problematikës që kanë në disa aspekte aktet nënligjore mbi procesin e verifikimit dhe vlerësimit të miratuara prej Këshillit mbi disa kritere ligjore për lejimin dhe ndalimin e kandidatëve që konkurrojnë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Duke parë me shqetësim disa çështje të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Këshillit, Presidenti i Republikës me shkresën nr. 2941/1 prot, datë 31 Gusht 2019, i ka kërkuar Këshillit ndër të tjera: “Kjo gjendje emergjence e krijuar subjektivisht për shkak të bllokimit dhe mosfunksionimit të Këshillit përgjatë viteve 2017-2018, nuk mund të tolerojë faktin që KED-ja aktuale, për çështje të caktuara të bëjë interpretime të zgjeruara dhe krijuese, përtej kompetencave që i parashikon Kushtetuta dhe ligji, sidomos po të mbahet parasysh që kërkesat e organeve të emërtesës për plotësimin e vendeve vakant daton që prej muajit shkurt-mars 2018… . Këshilli i Emërimeve në Drejtësisë duhet t’u përmbahet kërkesave të Kushtetutës dhe ligjeve për të garantuar organet e emërtesës (Presidentin, Kuvendin, Gjykatën e Lartë), si dhe gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë se kandidatët e verifikuar, kualifikuar, vlerësuar dhe të listuar prej tij kanë cilësitë më të larta profesionale dhe morale për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese apo dhe Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Në kushtet aktuale, Presidenti inkurajon Këshillin e Emërimeve në Drejtësi që në bashkëpunim me organet e ngarkuara nga ligjitë realizojë në një kohë sa më të shpejtë përmbushjen e detyrave funksionale për verifikimin, vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve, sipas kërkesave të Kushtetutës dhe ligjit, duke përcjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, listat me numrin e nevojshëm të kandidaturave të vlerësuara dhe renditura për secilën vakancë, për të bërë të mundur që organet e emërtesës të kenë mundësi të zgjedhin sa më shpejt dhe sipas radhës,anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që kjo Gjykatë të jetë sa më shpejt funksionale për të marrë vendime dhe për t’u dhënë zgjidhje një sërë çështjeve që shqetësojnë të gjithë jetën shoqërore në vend.Për çdo vendimarrje të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, mbetemi në pritje të njoftimit tuaj”.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i zgjedhur me short nga Kuvendi me Kryetar Ardian Dvorani në muajin shtator 2019, ka përmbyllur procesin e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjen e kandidatëve për të 4 (katër) vakancat e mësipërme (dy të Presidentit dhe dy të Kuvendit). KED-ja në datë 21 Shtator 2019 ka miratuar me vendim listat përfundimtare, renditjen e kandidatëve dhe raportet e vlerësimit për renditjen e tyre për kandidatët e lejuar që konkurrojnë në të 4 (katër vakancat) e shpallura dhe që u përkasin për emërim/zgjedhje si organ emërtese Presidentit të Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë që paraqiten si më poshtë:

Vendimi nr. 128, datë 21.09.2019 dhe vendimi nr. 129, datë 21.09.2019 për miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve dhe të Raportit të Arsyetuar për renditjen e Kandidatëve të Lejuar për plotësimin e vendit vakant Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, me këtë renditje:

  1. Arta Vorpsi 89.642
  1. Elsa Toska 85.428
  1. Besnik Muçi 81.928
  1. Regleta Panajoti 80.285

Vendimi nr. 130, datë 21.09.2019 dhe vendimi nr. 131, datë 21.09.2019 për miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve dhe të Raportit të Arsyetuar për renditjen e Kandidatëve të Lejuar për plotësimin e vendit vakant Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur për aplikim nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 12.02.2018, me këtë renditje:

  1. Arta Vorpsi 89.642
  1. Elsa Toska 85.428
  1. Besnik Muçi 81.928

Vendimi nr. 132, datë 21.09.2019 dhe vendimi nr. 133, datë 21.09.2019 për miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve dhe të Raportit të Arsyetuar për renditjen e Kandidatëve të Lejuar për plotësimin e vendit vakant Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019, me këtë renditje:

  1. Arta Vorpsi 89.642
  1. Fiona Papajorgji 88.785
  1. Elsa Toska 85.428
  1. Marsida Xhaferllari 82.000

Vendimi nr. 134, datë 21.09.2019 dhe vendimi nr. 135, datë 21.09.2019 për miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve dhe të Raportit të Arsyetuar për renditjen e Kandidatëve të Lejuar për plotësimin e vendit vakant Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur për aplikim nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 04.03.2018, me këtë renditje:

  1. Arta Vorpsi 89.642
  1. Fiona Papajorgji 88.785
  1. Elsa Toska 85.428

Nga informacioni i administruar, rezultoi se KED-ja renditjen e kandidatëve dhe krijimin e 4 listave, për të dy institucionet - President i Republikës dhe Kuvend - i ka bërë në mënyrë të njëkohshme, brenda të njëjtës datë 21 shtator 2019 ku madje, dhe numërtimi i vendimeve të KED-së për miratimin e listave dhe raporteve përfundimtare të vlerësimit është i alternuar sipas radhës së shpalljes dhe plotësimit të vakancave që i përkasin për plotësim Presidentit dhe Kuvendit.

Për qartësi në tabelën e mëposhtëme pasqyrohen vakancat që i përkasin secilit organ emërtese (President-Kuvend) dhe vendimet e KED-së, të marra në datën 21 shtator 2019 për miratimin e renditjes dhe raportin përfundimtar të vlerësimit për secilën vakancë.

RADHA E EMËRIMIT VAKANCAT E KRIJUARA NGA PËRFUNDIMI I MANDATEVE TË  ISH-GJYQTARËVE ORGANIT QË I PËRKET  EMËRIMI/

ZGJEDHJA VENDIMET E KED-së TË DATËS 21.09.2019 TË MIRATIMIT PËR ÇDO VAKANCË TË : RENDITJES SË KANDIDATËVE

RAPORTIT PËRFUNDIMTAR

1.

Sokol BERBERI

PRESIDENTI

Vendimi nr. 128, datë 21.09.2019 Vendimi nr. 129, datë 21.09.2019

2.

Vladimir KRISTO

KUVENDI

Vendimi nr. 130datë 21.09.2019Vendimi nr. 131datë 21.09.2019

3.

Altina XHOXHAJ

PRESIDENTI

Vendimi nr. 132datë 21.09.2019Vendimi nr. 133datë 21.09.2019

4.

Bashkim DEDJA

KUVENDI

Vendimi nr. 134datë 21.09.2019Vendimi nr. 135datë 21.09.2019

Rezulton se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka shqyrtuar dhe ka marrë vendim për miratimin e listës përfundimtare të renditjes për çdo vakancë të shpallur nga organet e emërtesës (President, Kuvend) duke u përpjekur të respektojë radhën që duhet të ndiqet për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj kushtetues, të parashikuar në nenin 179 pika 2, 12 të Kushtetutës, neneve 7 pika 2, dhe 86 pika 4 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i cili është një organ kolegjial dhe që funksionon në bazë të ligjit nr. 115/2016 dhe përsa është e mundur në bazë të ligjit nr.8480, date 27.5.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”në mbledhjen e datës 21 Shtator 2019 nuk ka marrë asnjë vendim mbi kohën dhe mënyrën e dërgimit të listave tek organet e emërtesës (President, Kuvend).

Kryetari iKëshillit të Emërimeve në Drejtësi i ka përcjellë listat e kandidatëve në adresë të Presidentit të Republikës dhe dokumentacionin shoqërues për plotësimin e 2 (dy) vakancave njëherazi, në datë 8 tetor 2019. Kryetari i Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në të njëjtën ditë në datë 8 tetor 2019 me shkresën nr. 552 prot., datë 08.10.2019 dhe me shkresën nr.553 prot., datë 08.10.2019, ka përcjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim” dhe “Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre” për plotësimin dy vendeve vakante njëherazi. Konkretisht vakancës së parë që ishte shpallur me Dekret nr. 10722, datë 07.02.2018, dhe vakancës tjetër që ishte shpallur me Dekret nr.11133, datë 04.03.2019.

Nuk rezultoi që KED-ja, në mënyrë kolegjiale, të ketë marrë ndonjë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer vetëm në mënyrë individuale nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili sipas nenit 226 pika 2/e, të ligjit nr.115/2016, ka si funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe t’ia përcjellë ato organit të emërtesës.

I gjendur para kësaj situate të administrimit të dy listave njëherazi, me shkresën nr. 3571 prot., datë 10.10.2019, Institucioni i Presidentit të Republikës iu drejtua Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me një kërkesë për informacion mbi faktin nëse ky organ (KED-ja) ia kishte përcjellë ose jo Kuvendit të Shqipërisë listat për dy vendet vakante, të shpallura nga Kuvendi në datat 12.02.2018 dhe 04.03.2019. Nëpërmjet kësaj shkresë Presidenti i Republikës i vuri në dijeni këtij organi se dispozitat kushtetuese dhe ligjore diktojnë zbatimin e radhës së emërimit/zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, rregulla këto që janë thelbësore për t’u respektuar jo vetëm nga ana e Presidentit dhe Kuvendit, por para së gjithash nga vetë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), si një detyrim edhe për veprimet administrative fundore të KED-së, që duhet të realizoheshin nga ky organ.

Kryetari i KED me shkresën nr. 655 prot., datë 14 tetor 2019 informon Presidentin e Republikës se “Ditën e sotme me shkresën nr.653 prot., datë 14.10.2019 dhe me shkresën nr. 654 prot., datë 14.10.2019, ka përcjellë dhe ka dorëzuar pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Listat Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e 2 (dy) vakancave njëherazi nga Kuvendi i Republikës”.

Rezultoi kështu se Kryetari i KED-së, në datën 14 tetor 2019, (pra pas 6 ditëve nga dërgimi i listave pranë Institucionit të Presidentit) ka realizuar procesin administrativ të dërgimit të listave në Kuvend, për plotësimin e të dy vakancave njëherazi, që i përkasin Kuvendit për zgjedhje.

Ndërkohë, në aktet e dërguara dhe përgjigjen e dhënë ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës nuk paraqitet asnjë e dhënë që të shpjegojë arsyet se përse janë dërguar dy lista njëherazi tek Presidenti, dhe cilat janë shkaqet e vonesës dhe të dërgimit të dy listave njëherazi me një javë diferencë pranë Kuvendit.

Këto veprime administrative individuale të Kryetarit të KED-së nuk respektojnë as kohën e përpilimit e miratimit të listave, as radhën e miratimit të tyre dhe as rendin kronologjik të detyrueshëm, që ka caktuar Kushtetuta dhe ligji, për plotësimin e çdo vendi vakant.

ANALIZA LIGJORE:

Në lidhje me shpërdorimin e detyrës:

Në jurisprudencën e Gjykatës së Lartë është konsoliduar mendimi se që të ndodhemi përpara figurës së veprës penale për efekte të përgjegjësisë penale kërkohet verifikimi i bashkëekzistencës së katër elementeve të veprës penale, që janë: objekti, subjekti, ana objektive dhe ana subjektive.[1] Në vijim do të analizojmë këto element të veprës penale në kontekstin e këtij kallëzimi përsa i përket dy veprave penale përkatësisht: (i) shpërdorim detyre; (ii) përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore.

Objekti: Sipas teorisë të së drejtës penale, kjo dispozitë (neni 248 i Kodit Penal) merr në mbrojte ato marrëdhenie juridike të vendosura me ligj ose në aktet nënligjore, për të siguruar veprimtarinë e rregullt të organeve shtetërore ose atyre me karakter publik, si edhe mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të ligjshme të shtetit, shtetasve dhe personave juridik nga veprimet arbitrare të përfaqësuesve të institucioneve publike. Konkretisht, në këtë rast, marrëdhënia juridike që synohet të mbrohet është mirëfunksionimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si dhe procedura ligjore e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese duke u siguruar se kjo procedurë do të ndiqet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërise dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore.

Ana objektive:Duke iu referuar interpretimit literal te dispozitës dhe praktikës gjyqësore, elementët objektive të veprës penale të "shpërdorimit të detyrës"janë: a) kryerja ose moskryerja e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin; b) veprimet apo mosveprimet përbejnë mospërmbushje të rregullt të detyrës; c) veprimet ose mosveprimet kryhen nga një person që ushtron funksione publike; d) veprimet apo mosveprimet i kanë sjellë personit ose personave të tjerë perfitime materiale ose jomateriale ose kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridik. Në lidhje me kryerjen e veprimeve që vijnë në kundështim me ligjin, Institucioni i Presidentit të Republikës dëshiron të theksojë se:

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 179, pika 2 ka parashikuar se “Anëtari i parëpër t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.” Ky rregullim ka qenë me shumë rëndësi për kushtetutëbërësin, ndërsa, në të njëjtën dispozitë të nenit 179, në pikën 12, paragrafi i fundit, e ka përsëritur sërish këtë rregull, duke saktësuar: “12. Presidenti i Republikës vazhdon të qëndrojë Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, sipas nenit 136 të Kushtetutës.

Presidenti plotëson vakancën e parë në Gjykatën Kushtetuese sipas paragrafit 2, të këtij neni, dhe nenit 125 të Kushtetutës”.

Sipas këtyre dispozitave kushtetuese, Presidenti i Republikës, nuk mund të emërojë dy gjyqtarë njëherazi, apo dy gjyqtarë njeri pas tjetrit, por vetëm anëtarin e parë, ndërkohë që anëtari i dytë i Gjykatës Kushtetuese duhet të emërohet nga Kuvendi, ndërkohë që anëtari i tretë do të duhej të emërohej aktualisht nga Gjykata e Lartë, nëse gjendja e plotësimit të vendeve vakant do ta mundësonte edhe këtë organ emërtese, aktualisht në vlerësim nga KED-ja. Ndërkohë që, në kushtet që paraqitej gjendja e plotësimit të vakancave referuar përcaktimeve të qarta kushtetuese, Presidenti i Republikës, pas emërimit të gjyqtarit të parë nuk mund të emëronte njëherazi edhe gjyqtarin tjetër të Gjykatës Kushtetuese që i takonte atij, së paku, pa u shprehur më parë Kuvendi i Shqipërisë për zgjedhjen e gjyqtarit të tij në vakancën e parë të Kuvendit për plotësim.

Këto rregullime kushtetuese, sa i takon radhës së emërimit/zgjedhjes, kanë gjetur zbërthim në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ku pasqyrohet me hollësi sesi këto detyrime duhen përmbushur. Në nenin 86, pika 4 shkronjat “a” dhe “c” të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, përcaktohet: “4. Përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022 do të bëhet sipas skemës së parashikuar më poshtë:

  1. a) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2016, emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi.
  1. c) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2019, emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi.”

Ky detyrim kushtetues dhe ligjor duhet të zbatohet jo vetëm nga organet e emërtesës, por për më tepër duhej të ndiqej domosdoshmërisht në veprimet administrative të fundit nga Kryetari i KED-së. Për të mbrojtur gjithë procesin e emërimit/zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe për të respektuar radhën e emërimit të tyre, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, domosdoshmërisht, në fazën përfundimtare të miratimit dhe dërgimit të listave përfundimtare, duhej të mbante parasysh dhe të respektonte kërkesat e mësipërme të Kushtetutës dhe ligjit.

Secili prej organeve të emërtesës President-Kuvend ka në dispozicion 30 ditë për të shqyrtuar dhe për t’u shprehur në lidhje me emërimin/zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Afati për Kuvendin është i caktuar në nenin 125 pika 2 të Kushtetutës, ndërkohë që për Presidentin kushtetuta nuk parashikon asnjë afat për këtë çështje.

Sipas momentit të dërgimit të listave ky afat për Presidentin ka filluar të ecë prej datës 9.10.2019 dhe për Kuvendin prej datës 15.10.2019. Kjo situatë e krijuar e diktuar nga momenti i dërgimit të listave prej Kryetarit të KED-së do të përkonte me faktin se Presidenti do të duhej të shprehej brenda datës 7 Nëntor 2019 për të emëruar dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese njëherazi, ç’ka përbën ndalim të drejtpërdrejtë nga neni 179, pikat 2, 12 të Kushtetutës dhe nenet 7, 7/b dhe 86, pikat 4/a/c të ligjit Nr. 8577/2000.

Ky veprim i Kryetarit të KED, zotit Ardian Dvorani synonte krijimin e një gjendjeje antikushtetutshmërie, sepse Kuvendi mund të zgjidhte që ta ushtronte të drejtën e tij, ashtu siç dhe ndodhi qëllimisht që të votonte për anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtuese, pas datës 7 nëntor, moment ky që përkonte me përfundimin e afatit sipas intepretimit qëllimkeq të kushtetutës dhe tëligjit nga Kryetari Ardian Dvorani.

Në këtë mënyrë Kryetari i KED-së me përcjelljen e njëkohshme të listave të kandidatëve për plotësimin e të dy vakancave që i përkasin Presidentit të Republikës, e vendosi Institucionin e Presidentit të Republikës në pamundësi kushtetuese, duke u përpjekur që të krijojë një gjendje tëfaktit të kryer, ku Presidenti do të duhej të shprehej brenda afatit ligjor 30-ditor (neni 7/b, pika 4 e ligjit nr.8577/2000) edhe për emërimin e gjyqtarit tjetër eventualisht përpara se Kuvendi të shprehej për emërimin e gjyqtarit të dytë kushtetues.

Nëse Presidenti i Republikës, do të ndiqte logjikën dhe procedurën administrative të krijuar qëllimisht nga Kryetari i KED-së, kjo do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të dispozitave të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8577/2000, sa i takon respektimit të radhës së emërimit të gjyqtarëve kushtetues. Në këtë mënyrë, vetëm një shkresë përcjellëse e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me nr. 553 prot, datë 8 tetor 2019, rrezikonte të përmbyste të gjithë rregullin kushtetues dhe Presidenti të vendosej në pamundësi për të ushtruar kompetencëne tij për të emëruar gjyqtarin e dytëkushtetues, që i takonte, sipas radhës që përcakton Kushtetuta dhe ligji.

Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm me hartimin dhe nënshkrimin e një shkrese administrative në emrin e vet, që përcillte dy lista të kandidatëve për dy vakanca njëherazi, ka shkelur rëndë ligjin, dhe ka provokuar t’i imponojë Presidentit të Republikës “një rregull të ri” me qëllim që ai të shkelte hapur Kushtetutën dhe radhën e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Sipas nenit 226 pika 2/e të ligjit nr.115/2016 Kryetari i KED-së, ka për funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe t’ia përcjell ato organit të emërtesës. Nën këtë detyrim ligjor Kryetari i KED-së, duhet që t’i japë përgjigje pyetjes se përse nuk i dërgoi të 4 (katër) listat në të njëjtën kohë si Presidentit ashtu dhe Kuvendit, ashtu siç kishte vendosur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në mbledhjen e datës 21 shtator 2019?

I pyetur nga Avokati i Popullit në mbledhjen e Këshillit të datës 7 nëntor 2019, mbi arsyen e dërgimit të listave në mënyrë të ndarëtë diferencuara në kohë dhe dy e nga dy për çdo organ emërtese, Kryetari i KED-së, ka hezituar t’i japë përgjigje, por këtë përgjigje do të duhet ta japë tashmë përpara organeve të hetimit. E vlerësuar me veprimet e mëtejshme të kryera nga Kryetari i KED-së, arrihet në bindjen se kjo ishte një manovër e qëllimshme për t’i imponuar Presidentit të Republikës një veprim në kundërshtim të hapur me ligjin dhe antikushtetues.

Presidenti i Republikës me dekretin nr. 11313, datë 15 Tetor 2019, ka emëruar zotin Besnik Muçi, gjyqtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtar ky i cili më pas ka bërë betimin përpara Presidentit dhe ka filluar ushtrimin e detyrës. Presidenti i Republikës, pas emërimit të gjyqtarit të parë të Gjykatës Kushtetuese në datën 15 Tetor 2019 ka qenë në pritje që Kuvendi i Shqipërisë të tregonte luajalitet dhe të zgjidhte anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, përpara datës 7 Nëntor 2019 me qëllim që, pas këtij vendimi të Kuvendit, Presidenti të shprehej menjëherë me dekret për emërimin e anëtarit tjetër që i takonte si organ emërtese.

Nisur nga fakti që Kuvendi nuk po shprehej për zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti arriti në përfundimin se shqyrtimi në themel i propozimeve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk mund të realizohej, pasi sipas nenit 179, pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës, si dhe neneve 7, pika 2 dhe 86, pika 4/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ishte radha e Kuvendit të Shqipërisë që të shprehej për zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese.

Pasi u sigurua që Kuvendi i Shqipërisë, deri në datën 5 Nëntor 2019, nuk ishte shprehur dhe nuk kishte planifikuar asnjë seancë plenare për të zhvilluar procesin e votimit për zgjedhjen e gjyqtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim ruajtjen e kushtetutshmërisë së këtij procesi; Presidenti i Republikës, në mbështetje të neneve 4, 92, 179, pikat 2, 12 të Kushtetutës, neneve 7, pika 2, 7/b, dhe 86, pika 4 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, si dhe neneve 44/2 shkronja “c” e 66 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”, nëpërmjet aktit administrativ nr. 3535/1 prot, datë 05.11.2019, vendosi paraprakisht:

Të pezullojë procesin administrativ të shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 11133, datë 04.03.2019, përcjellë nga KED-ja me shkresën nr. 553 prot., datë 08.10.2019, deri në zgjedhjen e anëtarin të dytë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë apo deri në përfundimin e afatit kushtetues, brenda të cilit Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e dy vakancave që i përkasin atij si organ emërtese dhe që, sipas përllogaritjes, ky afat përmbushet në datën 13 nëntor 2019;

T’i kërkojë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm plotësimin e praktikës dokumentare dhe dërgimin brenda 5 (pesë) ditëve të kopjes së dokumentaciont të administruar e të shqyrtuar nga KED-ja që përmban dosja e kandidimit e secilit prej 4 (katër) kandidatëve të lejuar dhe të listuar nga KED-ja për plotësimin e vakancës së shpallur nga Presidenti me dekretin nr.11133, datë 04 mars 2019 me qëllim vijimin e shqyrtimit;

Të kërkojë bashkëpunimin e Kuvendit të Shqipërisë që të vlerësojë mundësinë për të përfshirë për shqyrtim në seancë plenare, brenda një kohe sa më të shpejtë, zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që Presidenti i Republikës, të ushtrojë kompetencën e tij, sipas radhës së diktuar nga Kushtetuta dhe ligji nr. 8577/2000.

Ky akt iu përcoll menjëherë për njoftim Kuvendit të Shqipërisë, Avokatit të Popullit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me shkresë zyrtare.

Siç është bërë publik edhe në vendimin e pezullimit, Presidenti i Republikës, ka shprehur qartë se në cilësinë e organit të emërtesës, Presidenti ka të gjithë vullnetin dhe dëshiron të shprehet për të emëruar anëtarin e radhës të Gjykatës Kushtetuese nga lista e kandidaturave të përcjella nga KED-ja.

Shprehja e vullnetit prej Presidentit publikisht dhe zyrtarisht se do të zgjedhë me dekret emërimin e gjyqtarit kushtetues dhe akti administrativ nr. 3535/1 prot, datë 05.11.2019, janë akte të cilat tregojnë se mekanizmi zhbllokues në këtë rast, i parashikuar në nenin 7/b, pika 4 të ligjit nr. 8577/2000, nuk mund të aplikohet. Nga fryma dhe gërma e ligjit, është e qartë se ky mekanizëm mund të aplikohet vetëm në ato raste kur organi i emërtesës nuk shprehet, pra qëndron në heshtje.

Në rastin konkret, Presidenti i Republikës ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e tij të plotë për t’u shprehur sapo t’i krijohet kushtet për të qenë në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe ligjore. Presidenti me këtë vendim paraprak ka rregulluar, gjithashtu, një situatë jo të zakonshme të krijuar nga veprimtaria administrative e dërgimit të listave qëllimisht nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pasi është njohur me aktin në datën 06 Nëntor 2019, ka njoftuar thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në datën 07 Nëntor 2019, në orën 13.00, me rend dite "Diskutim mbi qëndrimet e Presidentit të Republikës, lidhur me procesin e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese". Në këtë mbledhje u thirrën dhe kanë qenë të pranishëm përfaqësuesi i Presidentit të Republikës, Avokati i Popullit dhe përfaqësuesi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Pas diskutimit anëtarët e Këshillit të pranishëm në mbledhje u dakordësuan se nuk mund të komentojnë përmbajtjen e letrës së Presidentit me argumentin se nuk kanë autoritet që të diskutojnëvendimine Presidentit ku, për më tepër, nëse do ta bënin ata do të përfshihen në ndërhyrje të kompetencave dhe, rrjedhimisht, në një konflikt institucional kompetencash. Këshilli dakordësoi vetëm përcjelljen e dokumentacionit të kërkuar shtesë në adresë të Presidentit. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në këtë mbledhje të datës 7 nëntor 2019 nuk diskutoi dhe nuk mori asnjëvendim për asnjë çështje tjetër.

Po në të njëjtën ditë, pas përfundimit të mbledhjes KED-së, me shkresën nr. 714 prot, datë 07.11.2019, i është përgjigjur Presidentit, duke përcjellë praktikën dokumentare të administruar dhe vlerësuar nga KED-ja për të 4 (katër) kandidatët të listuar për plotësimin e vendit vakant nga Presidenti i Republikës.

Ndërkohë, në Fletoren Zyrtare nr. 151, ditë e shtunë, datë 9 Nëntor 2019, është botuar në format elektronik vendimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nr. 132, i datës 21 shtator 2019 “Për miratimin e listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019”, pikërisht ky vendim që i është përcjellë Presidentit të Republikës që prej datës 8 tetor 2019 nga KED-ja.

Në lidhje me botimin e këtij akti në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë ligji nr. 78/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare” dhe ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, nuk e përcaktojnë këtë vendim në llojin e atyre akteve që mund të botohen në Fletoren Zyrtare.

Ligji nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë” në nenin 232 përcakton, se aktet e vlerësimit dhe të renditjes publikohen në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë. Për më tepër, edhe vetë vendimi i KED-së nr. 132, datë 21.09.2019 që rezultoi se u botua qëllimisht dhe në kundërshtim me ligjin në Fletoren Zyrtare, në pikën 2 të tij, citon shprehimisht: “Ky vendim publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, në pjesën e përcaktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”.

Botimi i vendimarrjes së Këshillit në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë për këtë vendim dhe për vendimet e tjera të renditjes së kandidatëve për të 4 (katër) vakancat është përmbushur që prej datës 22 shtator 2019, sikurse neni 232 i ligjit nr. 115/2016 dhe vet vendimi i KED-së, urdhëron.

Pra dërgimi i botimit në Fletoren Zyrtare është veprim në shkelje të hapur të ligjit dhe me dashjedirekte.

Presidenti ka arritur në bindjen se qëllimi i Kryetarit të KED-së Ardian Dvorani ka qenë mashtrimi i opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar mbi këtë çështje, për të krijuar idenë e rreme se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e ka diskutuar këtë çështje në mbledhjen e datës 7 nëntor 2019 dhe ka vendosur publikimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të tij nr. 132, datë 21 shtator 2019 . Ky fakt është i pavërtetë pasi siç u përmend edhe më lart Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në datën 7 nëntor 2019, nuk ka marrë asnjë vendim të kësaj natyre dhe as ka diskutuar mbi këtë çështje.

Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është titullar i KED-së dhe është e qartë sipas ligjit që përgjegjësia për dërgimin e paligjshëm për botim në Fletoren Zyrtare, të çdo akti bie vetëm mbi të. Me dërgimin e aktit për botim në Fletoren zyrtare në kundërshtim me kërkesat e ligjit dhe pa një vendim kolegjial të Këshillit është kryer një shkelje e rëndë e ligjit nr.115/2016, gjë e cila përbën shpërdorim të pastër të detyrës dhe që duhet të hetohet nga organi akuzës për të evidentuar përgjegjësitë konkrete.

Lidhur me elementin se veprimet ose mosveprimet duhet të kryhen nga një person që ushtron funksione publike, është e qartë se në referim të Pjesës V, të ligjit nr. 115/2016 “Për Organet e Qeverisjess së Sistemit të Drejtësisë”, dhe në veçanti nenit 226 të këtij ligji, ZotiArdian Dvorani ushtron një funksion publik përatësisht atë të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Gjithashtu, del qartë nga kjo analizë se veprimet e paligjshme të sipërcituara kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit.Konkretisht Ardian Dvorani duke shpërdoruar detyrën e tij, nuk ka lejuar që procedura e emerimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të vijojë në përputhje me rradhën e përcaktuar nga Kushtetuta duke cënuar kështu kushtetueshmërine e të gjithë procesit të kësaj përzgjedhjeje, si dhe duke krijuar eventualisht një ngërçinstitucional dhe ligjor midis organeve nëcaktimine anëtarëve të ligjshëm të Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht për arsyet e cituara më sipër, Z. Ardian Dvorani ka përmbushur kështu elementin e anës objektive të veprës penale të“shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Subjekti:Ardian Dvorani, me detyrë Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Ana Subjektive: ky element i figurës së veprës penale lidhet me qëndrimin psiqik që mban personi kundrejt veprës së kryer prej tij. Ana subjektive karakterizohet nga dy elementë përbërës. Faji, pa të cilin nuk mund të ketë përgjegjësi penale "nullum crimen, nulla poena sine culpa", dhe vullneti. Momenti intelektual tregon nëse subjekti nga pikëpamja e ndërgjegjes ka qenë në gjendje të kuptonte karakterin e kundërligjshëm ose shoqërisht të rrezikshëm të veprës, të parashikonte ose jo ardhjen e pasojave të dëmshme, kurse momenti që është i lidhur me vullnetin tregon nëse ai dëshiron ose jo për të kryer një veprim të kundraligjshëm ose shoqërisht të rrezikshëm dhe nëse dëshironte ardhjen e pasojës.

Jurispudenca ka përcaktuar se figura e veprës penale “shpërdorim detyre” kërkon si formë faji dashjen e drejtëpërdrejtë. Në kryerjen e kësaj vepre penale në rastin konkret dashja e drejtëpërdrejtë evidentohet në këto tre aspekte:

  1. a) dijenia që veprimet ose mosveprimet janë kryer në kundështim me ligjin dhe përbejnë mospërmbushje të rregullt të detyrës;
  1. b) dëshira për t'i kryer këto veprime ose mosveprime, dhe
  1. c) kryerja e veprimeve ose mosveprimeve për përfitime materiale ose jomateriale të padrejta ose për të dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridik.

Është mëse evidente për sa përshkruam më sipër se i akuzuari, për më tepër një Gjyqtar i Gjykatës së Lartë (në kuadër të njohurive të posacme për ligjin) ka dijeni të plotë se veprimet e tij janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës. Gjithashtu, është mëse e qartë se edhe pse ka patur dijeni për shkeljen e ligjit, me dashje direkte, në mënyrë kriminale dhe të qëllimtë, z. Dvorani ka vijuar me veprimet e tij duke dërguar për botim me iniciativën e tij personale një akt të Këshillit që sipas ligjit nuk botohet në FletorenZyrtare dhe që ishte botuar prej kohësh në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë (pjesa për KED), prej datës 22 shtator 2019 siç dhe ligji përcakton për tjetër qëllim.

Ky fakt i pakundërshtueshëm i lidhur edhe me veprimtarinë antikushtetuese dhe antiligjore të Kryetarit të KED-së, në dërgimin e listave pranë organeve të emërtesës, krijon bindjen te Presidenti i Republikës, se Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i ka kryer të gjitha këto veprime aspak nga pakujdesia, por me ndërgjegje të plotë dhe me dashje direkte me qëllim kriminal, të devijimit të funksionit publik në shërbim të interesave politike por dhe vënien përpara faktit të kryer të Presidentit të Republikës, për të kryer një shkelje kushtetuese në procesin e përzgjedhjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, sipas një radhe të diktuar nga Kryetari i KED-së dhe që bie në kundërshtim të hapur me parashikimet kushtetuese.

Ana subjektive e Kryetarit të Emërimeve në Drejtësi, Z. Dvorani, provohet edhe më tej pasi në mënyrë të vazhdueshme, Institucioni i Presidentit të Republikës ka ngritur shqetësimin edhe në mënyrë zyrtare dhe të dokumentuar jo vetëm në mbledhjet e Këshillit, por edhe me shkresë zyrtare, jo vetëm për shqetësimin e paraqitjes së listave por edhe çështje të tjera që lidhen me transparencën e veprimtarisë së Këshillit, apo problematikës që kanë në disa aspekte aktet nënligjore mbi procesin e verifikimit dhe vlerësimit të miratuara prej Këshillit mbi disa kritere ligjore për lejimin dhe ndalimin e kandidatëve që konkurrojnë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht për arsyet e cituara më sipër, shtetasi Ardian Dvorani, ka përmbushur kështu elementin e anës subjektive të veprës penale.

Nga sa më sipër, Presidenti i Republikës çmon se veprimet e z. Ardian Dvorani përmbushin në mënyrë kumulative të katër elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Lidhur me shpërdorimin e detyrës për shkak të shkeljeve të ligjit dhe akteve nënligjore të KED-së, përgjatë procesit të administrimit dhe mospublikimit të procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

Një tjetër shkelje tjetër e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është fakti se ai nuk ka përmbushur detyrimin për të zbardhur dhe administruar sipas ligjit procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit, si dhe për të bërë publik përmbledhjen e tyre sipas ligjit.

Në nenin 226, pika 2, germa “d” e “dh”të ligjit nr. 115/2016, parashikohet shprehimisht se: “2Kryetari i Këshillit ushtron këto funksione:“d) siguron që mbledhja e Këshillit të regjistrohet në sistemin audio dhe që një përmbledhje e procesverbalit të mbledhjes së Këshillit mbahet dhe bëhet publik në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë. Përmbledhja e procesverbalit u vihet në dispozicion anëtarëve të Këshillit përpara se të bëhet publike. Në rast se ndonjëri prej anëtarëve ka dyshime për saktësinë e përmbledhjes së procesverbalit, Kryetari i Këshillit urdhëron ballafaqimin e përmbledhjes me regjistrimin audio dhe ndryshimin e saj në qoftë se dyshimi i anëtarit rezulton i justifikuar;

  1. dh) siguron dokumentimin e mbledhjes se këshillit dhe mbajtjen e dokumentacionit, në përputhje me legjislacionin për arkivat;”

Ndërkohë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka miratuar aktin nënligjor Vendimin nr. 1, datë 08.02.2019 “Për miratimin e rregullores së brendshme për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.Kjo Rregullore e Brendshme përcakton rregullat e funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në realizimin e mbledhjeve dhe veprimtarive të tij.

Në nenin 17 të kësaj Rregullore parashikohet se, 1. Kryetari i Këshillit është përgjegjës për të siguruar që personeli administrativ i vënë nëdispozicion nga Gjykata e Lartë të marrë të gjitha masat e nevojshme që çdo mbledhje eKëshillit të dokumentohet në mënyrë të përshtatshme përmes:

  1. a) regjistrimit audio;
  1. b) procesverbalit të përmbledhur të mbledhjes.
  1. Kryetari i Këshillit ngarkon një sekretare nga punonjësit mbështetës të administratës sëGjykatës së Lartë për të mbajtur procesverbalin e përmbledhur të mbledhjes së Këshillit.
  1. Procesverbali i përmbledhur, i dërgohet menjëherë për shqyrtim anëtarëve të Këshillit dhe anëtarëve zëvendësues të pranishëm në mbledhje, të cilët, jo më vonë se 48 orë nga dita e nesërme e ardhjes në dijeni, duhet të njoftojnë Kryetarin nëse kanë vërejtje për përmbajtjen e tij. Në rast se ndonjëri prej anëtarëve ka dyshime për saktësinë e përmbledhjes së procesverbalit, Kryetari i Këshillit urdhëron menjëherë ballafaqimin e përmbledhjes me regjistrimin audio dhe ndryshimin e saj në qoftë se dyshimi i anëtarit rezulton i justifikuar.
  1. Procesverbali i përmbledhur, i dërgohet menjëherë për shqyrtim edhe Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesve të subjekteve të ftuara sipas ligjit, të cilët, jo më vonë se 48 orë nga dita enesërme e ardhjes në dijeni, nëse kanë vërejtje për përmbledhjen e diskutimeve përkatëse të tyre, duhet të njoftojnë Kryetarin e Këshillit duke treguar njëkohësisht edhe pasaktësitë konkrete që vlerësojnë se përmban përmbledhja e diskutimit të tyre. Kryetari i Këshillit urdhëron menjëherë ballafaqimin e përmbledhjes me regjistrimin audio si edhe ndryshimin e saj në qoftë se vërejtja për pasaktësi në përmbledhjen e diskutimit përkatës rezulton e justifikuar.
  1. Procesverbali i përmbledhur miratohet në mbledhjen pasardhëse të Këshillit, nënshkruhet anëtarët dhe/ose anëtarët zëvendësues që kanë marrë pjesë në mbledhje, si edhe nga personi ingarkuar për mbajtjen e tij.
  1. Procesverbali i përmbledhur, menjëherë pas nënshkrimit nga anëtarët e Këshillit, bëhet publik në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.

8.Procesverbal i përmbledhur, së bashku me regjistrimin audio të mbledhjes dhe transkriptimin e plotë të saj, depozitohen për ruajte sipas legjislacionit në fuqi mbi arkivat, në zyrën e sekretarisë, protokollit dhe arkivës të krijuar posaçërisht për Këshillin pranë Gjykatës së Lartë.

Nga studimi i faqes zyrtare të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, rezulton i publikuar në faqe vetëm procesverbali i KED-së, i datës 15 janar 2019, ndërsa edhe pse Këshilli ka zhvilluar deri më tani një numër prej mbi 30 mbledhjesh, nuk rezulton që të jetë botuar sipas kërkesave të akteve ligjore dhe nënligjore të mësipërme të Këshillit asnjë procesverbal tjetër apo përmbledhja e tyre sipas kërkesave të ligjit.

Pra rezulton e provuar se prej datës 15 janar 2019 deri në mbledhjen më të fundit të datës 7 nëntor 2019, janë zhvilluar nga KED-së mbi 30 mbledhje në të cilat në të gjitha ka marrë pjesë si përfaqësuesi i Institucionit të Presidentit të Republikës, ashtu dhe i Avokatit të Popullit.

Asnjë përmbledhje e procesverbaleve të mbledhjeve të zhvilluara përveç asaj të datës 15 janar 2019, nuk rezulton e publikuar.

Kjo gjëndje paligjshmërie në kundërshtim me kërkesat e nenit 226 të ligjit nr. 115/2016 dhe nenit 17 të Rregullores sëOrganizimit dhe funksionimit të KED-së, është një përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili duhet të kishte ndjekur të gjitha procedurat që mënjëherë pas zhvillimit të mbledhjes së KED-së, të përcillte tek të gjithë anëtarët dhe të ftuarit pjesëmarrës në Këshill, përmbledhjen e procesverbalit në mënyrë që një përmbledhje e tij të publikohej brenda afateve në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë në pjesën e caktuar për Këshilline Emërimeve në Drejtësi siç e kërkon ligji.

Duke qënë se në kundërshtim me ligjit në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë KED-së nuk botoheshin proces-verbalet e mbledhjeve, Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar zyrtarisht vëniën në dispozicion të proces-verbale (ose në versionin audio, ose në versionin e zbardhur). Pavarësisht kërkesave të Avokatit të Populli në mënyrë të përsëritura Kryetari i KED-së, Ardian Dvorani nuk morri asnjë masë për trajtimin e saj dhe Avokatit të Popullit nuk ju vunë në dispozicion proces-verbalet e disa mbledhjeve[2].

Të gjitha këto veprime të kundraligjshme të Kryetarit Ardian Dvorani për më tepër në mënyrë kanë kufizuar mundësinë e Avokatit të Popullit për të bërë detyrën e ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji, cka tregon dhe një herë se çdo veprim i tij ka qenë në funksion të arritjes së qëllimit kriminal.

Mosdërgimi për konsultim dhe miratim i këtyre akteve tek anëtarët e KED-së dhe tek të gjithë institucionet prezent në cilësinë e të ftuarit në mbledhjet e KED, i procesverbaleve për të gjitha mbledhjet e zhvilluara dhe mos publikimi i përmbledhjes së procesverbaleve provon se këtu kemi të bëjmë me një tjetër fakt penal, që i atribuohet konsumimit tëpërsëritur të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, nga shtetasi Ardian Dvorani me detyrë Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Kjo sjelle antiligjore e Kryetarit të KED-së, e lidhur me veprimet e tjera të paligjshme të cilat synonin realizimin e një objektivi të caktuar, tregojnë qartë se qëllimi kryesor i Kryetarit të KED-së, ka qenë të fshehë nga sytë e publikut të gjerë gjithë problematikën e shfaqur në veprimtarinë e KED-së dhe mos ti japë mundësi Avokatit të Popullit dhe Institucionevetë tjera të monitorojnë plotësisht këtë proces sipas kërkesave të ligjit.

Në lidhje me veprën penale të përvetësimittë detyrës shtetërore:

Pas analizës shteruese lidhur me veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, në vijim do të ndalemi në analizimin e veprimeve të z. Ardian Dvorani, të cilat në vlerësimin e Presidentit të Republikës konstituojnë elementët e nevojshëm për të konstatuar konsumimin e veprës penale të përvetësimit të detyrës shtetërore, të parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal.

Dërgimi i vendimit për botim në Fletoren Zyrtare, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 115/2016 dhe ligjit nr. 78/2014, e për më tepër pa pasur një vendim kolegjial të Këshillit, përbën një shkelje të pastër të ligjit Nr. 115/2016.

Pikërisht, kryerja e këtij veprimi, i cili ka pasur për qëllim që të krijojë idenë mashtruese dhe tërësisht antikushtetuese dhe antiligjore se znj. Arta Vorpsi është tashmë e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mekanizmit zhbllokues që ka parashikuar neni 7/b i ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetutese”, përmban elementët e veprës penale të përvetësimit të detyrës shtetërore, të parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal.

Jurisprudenca unifikuese e Gjykatës së Lartë ka arritur një qëndrim të konsoliduar lidhur me elementët që duhet të përmbushin në mënyrë të kumulative në mënyrë që një person të ngarkohet me përgjegjësi penale. Përkatësisht, në mënyrë që të ndodhemi përpara një vepre penale duhet të bashkëekzistojnë katër elementë të veprës penale: objekti, ana objektive, subjekti dhe ana subjektive.[3] Në vijim të kësaj analize, do të ndalemi në mënyrë të detajuar për secilin prej këtyre elementëve, të cilët provojnë edhe njëherë katërcipërisht se z. Ardian Dvorani, krahas veprës penale të shpërdorimit të detyrës, ka konsumuar edhe përvetësimin e detyrës shtetërore, përkatësisht të Presidentit të Republikës.

Objekti: Objekti i veprës penale ka të bëjë me marrëdhënien juridike ose vlerën e rëndësishme shoqërore që një legjislatori ka synuar të mbrojë, duke vendosur sanksion penal në rast të shkeljes së saj. Në rastin e veprës penale të përvetësimit të detyrës shtetërore, si në të gjitha rastet e veprave penale kundër autoritetit të shtetit të parashikuara në Kreun VIII të Kodit Penal, legjislatori ka synuar të mbrojë marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar veprimtarinë e rregullt të organeve shtetërore, si dhe liritë e të drejtat themelore të shtetasve, nga veprimet ose mosveprimet kriminale.[4]Me përvetësim të detyrës shtetërore duhet kuptuar marrja dhe ushtrimi në mënyrë të padrejtë i të drejtave apo kompetencave që i takojnë një funksionari publik për shkak të pozicionit të tij.

Në rastin konkret, marrëdhënia juridike që kërkohet të mbrohet është përmbushja në mënyrë të rregullt e kompetencave kushtetuese dhe ligjore që i takojnë Presidentit të Republikës sa i përket emërimit të 3 (tre) prej 9 (nëntë) anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo kompetencë e Presidentit të Republikës është e garantuar nga neni 125 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 7/b i ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Organet shtetërore dhe çdo personi fizik apo juridik kanë detyrimin kushtetues dhe ligjor jo vetëm për të mos ndërhyrë në kompetencat e Presidentit të Republikës, por edhe të marrin çdo masë që iu takon për garantimin e ushtrimit në mënyrë të rregullt të këtyre kompetencave.

Nga ky detyrim nuk përjashtohen as Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe aq më pak Kryetari i tij. Konkretisht, ky i fundit me veprimet e tij dhe me dashje të drejtpërdrejtë, siç do të shpjegojmë edhe në vijim të kësaj analize, ka ndërhyrë në ushtrimin e kompetencave të Presidentit të Republikës sa i përket të drejtës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Për sa më sipër, çmojmë se elementi i parë lidhur me objektin e veprës penale është përmbushur plotësisht.

Ana objektive: Ana objektive e veprës penale ka të bëjë me veprimet ose mosveprimet e kundërligjshme nëpërmjet të cilave është cënuar marrëdhënia juridike e mbrojtur nga dispozita penale. Në rastin e veprës penale të përvetësimit të detyrës shtetërore, ana objektive lidhet me veprimet e kundërligjshme që shfaqen në përvetësimin e titullit apo detyrës që të shoqërohet me kryerjen e veprimeve që i takojnë mbajtësit të titullit apo detyrës. Pra, përmbushja e këtij elementi të veprës penale kërkon në vetëvetë që të përmbushen njëkohësisht dy kritere: së pari, kryerja e veprimeve të paligjshme, dhe së dyti, përvetësimi i detyrës duhet të shoqërohet me kryerjen e veprimeve që i takojnë mbajtësit të detyrës.

Në rastin konkret, neni 226, pika 2/e i ligjit Nr. 115/2016 parashikon vetëm të drejtën e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për të nënshkruar aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe më pas ia përcjell ato organit të emërtesës, pra Presidentit të Republikës. Ndërkohë, botimi i këtyre akteve në Fletoren Zyrtare nuk është i parashikuar as në ligjin Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe as në ligjin Nr. 78/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”.

Për më tepër, dërgimi i akteve për botim në Fletoren Zyrtare nuk është bërë me një vendimmarrje të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por vetëm me iniciativën antiligjore të vetë Kryetarit të KED-së. Çdo veprim i kryer përtej kërkesave të ligjit dhe pa një vendimmarrje të KED, përfshihet në llojin e veprimeve që konsiderohen vepra penale, që në rastin konkret është shpërdorimi i detyrës. Në këtë mënyrë plotësohet elementi i parë i anës objektive të veprës penale të përvetësimit të detyrës.

Ndërkohë për sa i përket elementit të dytë, kryerja e këtij veprimi nga ana e Kryetarit të KED-së, ka pasur për qëllim që të krijojë idenë në publik se znj. Arta Vorpsi është emëruar gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të përfundimit të afatit ligjor 30-ditor të Presidentit të Republikës për t’u shprehur. Arsyet e kalimit të këtij afati ligjor janë shpjeguar në mënyrë të detajuar më lart, megjithatë në çdo rast qoftë Kuvendi i Shqipërisë, qoftë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, e aq më pak Kryetari i KED-së si individ, nuk kanë të drejtë të konstatojnë emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja e të cilit i përket Presidentit të Republikës, për shkak të kalimit të afatit ligjor brenda të cilit ky i fundit duhet të ishte shprehur.

Ligji Nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” dhe ligji Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” nuk kanë parashikuar në asnjë dispozitë të drejtën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për të konstatuar emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Përkundrazi, në logjikën e ligjit është e qartë se të drejtën për të konstatuar emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, e ka organi i emërtesës së tij, në rastin konkret Presidenti i Republikës. Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligji Nr. 8577/2000 kanë parashikuar edhe një etapë të fundit përpara fillimit të detyrës së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Neni 129 i Kushtetutës dhe neni 8 i ligjit Nr. 8577/2000 parashikojnë shprehimisht se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin përpara Presidentit të Republikës”.

Pra, pavarësisht se cili është organi i emërtesës, kushtetutëbërësi ia ka njohur të drejtën Presidentit të Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, që nëpërmjet betimit përpara tij të çertifikojë përfundimisht emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë kuptim, është e qartë se e drejta për të emëruar apo konstatuar emërimin automatikisht të tre prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i takon eksluzivisht Presidentit të Republikës. Përpjekja e Kryetarit të KED-së që nëpërmjet një manovre të paligjshme dhe të qëllimshme të konstatojë emërimin e znj. Arta Vorpsi anëtare të Gjykatës Kushtetuese duke dërguar listën për botim në Fletoren Zyrtare, përbën përvetësim të kompetencave të Presidentit të Republikës nëpërmjet ushtrimit të tyre në mënyrë të padrejtë. Në këtë mënyrë përmbushet edhe elementi i dytë i anës objektive të veprës penale të përvetësimit të detyrës. Për sa më sipër, Presidenti çmon se elementi i dytë lidhur me anën objektive të veprës penale është përmbushur plotësisht.

Subjekti: Subjekti i veprës penale ka të bëjë me personin që nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tij kryen veprën penale.[5] Në rastin e veprës penale të përvetësimi të detyrës shtetërore, subjekti është i përgjithshëm pasi mund të jetë çdo person që ka mbushur moshën për pergjegjësi penale dhe është i përgjegjshëm. Në rastin konkret, subjekti aktiv i veprës penale është z. Ardian Dvorani, i cili ushtron detyrën e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe përmbush të gjitha kërkesat ligjore për të qenë subjekt i veprës penale. Për sa më sipër, çmohet se elementi i tretë lidhur me subjektin e veprës penale është i përmbushur plotësisht.

Ana subjektive: Ana subjektive e veprës penale lidhet me aftësinë e personit për të kuptuar pasojat e veprimeve të tij dhe qëndrimin personi ka ndaj këtyre pasojave. Në rastin e veprës penale të përvetësimit të detyrës vepra penale, kryhet me dashje të drejtëpërdrejtë çka do të thotë se personi i parashikon pasojat e veprimeve të tij, me vetëdije i lejon dhe dëshiron ardhjen e këtyre pasojave.

Në rastin konkret, është plotësisht e qartë se dërgimi i akteve për botim në Fletoren Zyrtare ka qenë një akt i qëllimshëm, kriminal dhe i qëllimshëm i cili ka synuar që të ngurtësojë në publik idenë e rreme se znj. Arta Vorpsi është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të funksionimit të mekanizimit zhbllokues të parashikuar nga neni 7/b i ligjit Nr. 8577/2000.

Kjo veprimtari kriminale e të akuzuarit Ardian Dvorani u përdor si alibi nga Kuvendi i Shqipërisë për të mos përfshirë kandidaturën e znj. Arta Vorpsi në procesin e votimit të kandidatura në datën 11 Nëntor 2019 dhe duke pranuar apriori veprimin personal tëpaligjshëm të Kryetarit të KED-së, Dvorani sikur ishte vullneti i organit kolegjial të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Kjo veprimtari për dërgimin për botim të një akti të Këshillit që sipas ligjit nuk botohet në Fletoren Zyrtare e lidhur edhe me veprimtarinë tjetër antikushtetuese të Kryetarit të KED-së, në dërgimin e listave pranë organeve të emërtesës, krijon bindjen e plotëte Presidenti i Republikës, se Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i ka kryer të gjitha këto veprime aspak nga pakujdesia, por me ndërgjegje të plotë dhe me dashje direkte, me qellim kriminal, për të devijuar përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në shërbimin politik duke përdorur funksionin publik por dhe me qëllim vënien përpara faktit të kryer të Presidentit të Republikës, për të kryer një shkelje kushtetuese në procesin e përzgjedhjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, sipas një radhe të diktuar nga Kryetari i KED-së dhe që bie në kundërshtim të hapur me parashikimet kushtetuese.

Në këtë mënyrë Kryetari i KED-së Ardian Dvorani ka shkelur hapur në mënyrë kriminale dhe me dashje parashikimet Kushtetutës, ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjit nr. 115/2016 “Për organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”.

KONKLUZIONI:

4.1.      Duke pasur parasysh faktet dhe grup faktet e renditura me sipër, ezkistencën e dyshimit të arsyeshëm bazuar në prova, lidhur me veprimtarinë kriminale, tëKryetarit në detyrë të KED-së arrij në konkluzionin se:

Dërgimi njëkohësisht i dy listave nga i akuzuari Ardian Dvorani për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Institucionit të Presidentit të Republikës në datë 8 tetor 2019 dhe dërgimi njëkohësisht i dy listave për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Kuvendit të Shqipërisë në datë 14 tetor 2019, në shkelje të hapur tëradhës që dikton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 8577 date 10.02.2000, dhe të ligjit nr. 115/2016, janëveprime të ndërgjegjshme kriminale dhe përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e krimit të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Gjithashtu edhe mos botimi i përmbledhjes së procesverbaleve të mbledhjes së KED-sëdhe mos marrja e masave për përmbushjen e kësaj detyre që i ngarkohet Kryetarit të KED-së, përvec se ka cënuar punën dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, përbën shkelje të hapur të dispozitave të ligjit nr. 115/2016 dhe akteve nënligjore të KED-së (Rregullores së Funksionimit të Këshillit) veprime kriminale këto që përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e figurës së vrepës penale të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Dërgimi i Vendimeve nr. 132, datë 21.09.2019 nga i akuzuari Ardian Dvorani për botim në Fletoren Zyrtare me qëllim krijimin e idesë së rreme në publik se znj. Arta Vorpsi ishte emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mekanizimit zhbllokues, në tejkalim të kompetencave të parashikuara në nenin 226 e vijues te ligjit 115/2016, janë kriminale, të rrezikshme për rendin kushtetues, dhe përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e krimit të përvetësimit të kompetencave të Presidentit të Republikës, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal dhe të shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Presidenti i Republikës vlerëson ekzistencën e një rreziku real që i akuzuari Ardian Dvorani të kryejë sërish veprime kriminale dhe mafioze në shkelje të ngjashme të Kushtetutës dhe ligjit, që do të ndikonin drejtpërdrejt në mirëfunksionimin e organeve te reja kushtetuese.

Në këto kushte i njohur me këto fakte, Presidenti i Republikës në mbështetje të nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale, referuar fakteve dhe grupfakteve të mësipërme dhe atyre që qartësohen edhe në dy dekretet e tij, paraqet këtë kallzim penal pranë organit të akuzës me qëllim vënien nën hetim penal të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Presidenti i Republikës, i rekomandon organit të akuzës, të sekuestrojë mënjëherë kopje të regjistrimeve nga sistemi i regjistrimit audio për të gjitha mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, prej të cilave do të zbulohen edhe fakte e të dhëna shtesë përtej atyre të parashtruara në këtë kallzim. Me prioritet në punën tuaj është sekuestrimi i procesverbaleve audio të datave 21 shtator 2019 dhe 9 nëntor 2018 për evituar dëmtimin apo manipulimin e tyre të qëllimshëm.

Presidenti i Republikës, vlerëson se organi i akuzës duhet të përfshijë në listat e personave që mund të japin të dhëna të vlefshme për hetimin, kandidatët që kanë marrë pjesë në garë për këto 4 (katër) vakanca, anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Këshilltarët dhe Sekretarinë pranë Gjykatës së Lartë që kanë shërbyer si ndihmësa dhe sekretar për çdo relator dhe KED-në, si dhe të gjithë të pranishmit në mbledhje në mënyrë që të zbardhet më mirë e gjithë veprimtaria kriminale e shtetasit Ardian Dvorani, apo të dhëna shtesë që mund të evidentojnë vepra të tjera penale që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Bashkëlidhur shtojca e listës së provave dhe provat shoqëruese të këtij kallzimi deri në momentin e tanishëm.

Me konsideratë,

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

_________________________________

Ilir META

[1] Vendim Unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykates se Larte Nr. 4, datë 15.04.2011;

[2] Shiko gjetje araprake të Institucionit te Avokatit te Popullit në Rolin e Tij si vëzhgues në Veprimtarine e KED-së, publikuar nga Av.Popullit në datë 18 nëntor 2019: https://ëëë.avokatipopullit.gov.al/sq/articles-layout-1/home/neës/this-article-is-available-only-in-albanian-238/

[3] Vendimi Nr. 4, datë 15.04.2011 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;

Vendimi Nr. 3, datë 02.11.2015 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;

[4] Prof.Dr. Ismet Elezi, “E Drejta Penale, Pjesa e Posacme”, fq. 413, Tiranë 2016;

[5] Prof.Dr. Skender Kacupi, Prof.Dr. Maksim Haxhia, Prof.Asoc.Dr. Dorina Hoxha, “E Drejta Penale, Pjesa e Përgjithshme”, fq. 113, Tiranë 2018;

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...