Ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami për “Koha Jonë”: Qëndrimet e Ramës për Kosovën, nuk janë thjesht as gafa e as gabime por ato duhen klasifikuar faje të rënda me dashje
Intervistoi: Redjon Shtylla
“Zgjidhja e krizës aktuale e cila po thellohet vazhdimisht duke arritur në një pikë të rrezikshme, do të mundësohet vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme”. Kështu shprehet në një intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputeti i PD-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami. Për të, qëndrimi dhe lëvizjet e Presidentit Ilir Meta, janë për të shmangur kaosin, ose siç Islami thotë, “vendosjen e një rregjimi respresiv”. Nga ana tjetër, ai thotë se Rama i “detyruar” nga ndërkombëtarët, do të tentojë ta përdorë gjoja-reformën, për të përçarë opozitën, duke tentuar njëkohësisht të fajësojë atë në sytë e ndërkombëtarëve. “Rama s’shqetësohet aspak për faktin se moskryerja e Reformës Zgjedhore pengon hapjen eventuale të negociatave vitin e ardhshëm, sepse edhe hapja e negociatave s’përbën prioritet për të”. Në lidhje me Reformën Zgjedhore, ish-deputeti e analizon në 5 faktorë.
Pika më e nxehtë e Reformës në Drejtësi është ringritja e Gjykatës Kushtetuese. Arta Vorpsi e emëruar automatikisht dhe Marsida Xhaferllari e dekretuar nga Presidenti e çojnë ngritjen e Kushtetueses në një kaos të ri. Maxhoranca e cilësoi përpjekje për bllokim nga Kreu i Shtetit, ndërsa ky i fundit foli për manovra mafioze për ta çuar atë në shkelje të Kushtetutës. Si e komentoi Ju këtë situatë, po luftohet për “kapriço” politike apo për një sistem më të mirë në Drejtësi?
Rama po lufton me të gjithë mjetet dhe mënyrat për kapjen e GjK, thjesht për interesa të pushtetit të tij personal dhe forcimit të pushtetit korruptiv, të lidhur ngushtë e tashmë pazgjidhshmërisht, me krimin e trafiqet. Rama pasi ka vënë nën kontroll PSSH, parlamentin, të gjithë pushtetin vendor, biznesin e madh, mediat kryesore, zgjedhjet, shoqërinë civile, të gjithë insititucionet kushtetuese dhe më së fundmi edhe pjesën më të madhe të institucioneve të reja të gjyqësorit, duke hedhur në erë në këtë mënyrë edhe Reformën e Drejtësisë, po përpiqet në mënyrë diabolike, të uzurpojë, përmes një grushti mafioz kushtetues, edhe GjK. Në këto momente, Meta dhe opozita jashtë kuvendit, po përpiqen me të gjithë mjetet kushtetuese e legale që zotërojnë dhe në rrethana sakrificash e vështirësishë të paimagjinueshme, për ngritjen e një GjK të pavarur, profesionale dhe në shërbim të interesave të qytetarëve. Kjo duket se do të jetë beteja e fundit në luftë me rregjimin e së keqes, për të mos lejuar që vendi të futet në kaos për shkak të reagimit të ashpër qytetar ndaj regjimit policor të Ramës apo të rivendosej një regjim i egër represiv, autoritar, të korruptuar e kriminal, në rastin e shtypjes me mjetet e dhunës të reagimit qytetar. Presidenti Ilir Meta së bashku me opozitën, po përpiqen të shmangin kaosin apo vendosjen e një rregjimi respresiv.
Kreu i PD-së, Basha shpreh bindjen se vendi ka nevojë për dy palë zgjedhje në një ditë dhe se ato duhen organizuar me ndryshimet në ligj. Por vullnet politik, nga i cili e sheh zgjidhjen kryedemokrati, nuk ka, ndërsa shpërndarja e parlamentit me dekret të kreut të shtetit, kërkohet me ngulm nga opozita. Duhet të ndërmarrë një hap të tillë Kreu i Shtetit?
Zgjidhja e krizës aktuale e cila po thellohet vazhdimisht duke arritur në një pikë të rrezikshme, do të mundësohet vetëm përmes Zgjedhjeve të Parakohshme. Nuk shikoj asnjë mënyrë tjetër për të dalë nga kjo krizë e thelle e më pasoja ta parashikueshme për qytetarët. Zgjidhja duket se po vjen, ndërkohë që dita e muaji i saktë mbeten për tu përcaktuar me vullnet të mirë dhe koshiencë politike nga aktorët politikë. Në respekt të Kushtetutës dhe vetëm në përputhje me kërkesat e saj, Zgjedhjet e Parakohshme bëhen me dekret të Presidentit. Paralelisht ose të paraprira me nxjerrjen e një dekreti presidencial për shpërndarjen e Kuvendit, sepse sipas frymës dhe dispozitave të Kushtetutës s’mund të këtë Zgjedhje të Parakohshme pa shpërndarje të Kuvendit. Ju më pyesni se çfarë ndodh “nëse mungon vullneti i mirë apo Rama vendos në plan të parë interesin për pushtetin e tij personal dhe kështu pengon zgjidhjen kushtetuese të krizës”. Përgjigjen e qartë demokratike në këtë rast do ta jepnin vetëm qytetarët, përgjigje që do të ishte reaktive, në kahë dhe në intensitet proporcional me sjelljen e papërgjegjshme të Ramës.
Nga “Rama IK” në “Rrugëtimi për Shqipërinë”. Jeni në fund të vitit dhe ende opozita nuk ka arritur që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, siç i kërkon prej muajsh. Ku e shihni gabimin? Strategji e gabuar e PD-së, apo lidhet me faktorë të tjerë? Për Ju, çfarë duhet të bëjë ndryshe aksioni opozitar?
Synimi i opozitës në shërbim të interesit publik e respekt të Kushtetutës, ka qënë i saktë dhe i qartë. Opozita është përpjekur të gjejë rrugët e mënyrat e veprimit që kanë pasur koston më të vogël për vendin e qytetarët. Opozita e parë dhe e vetme demokratike në vend që nga 1991, ndonëse në rrethana totalisht antidemokratike e represive të krijuara qëllimisht nga Rama, dhe me të cilat ndeshet për herë të parë në këto 30 vjet një opozitë politike, është përpjekur të shmangë e të zgjidhë krizën e thellë nga keqeverisja e Ramës, duke aplikuar vetëm mënyrat e veprimit e mjetet përkatëse të një opozite demokratike politike. Opozitë që ka një statut demokratik. Opozitë që ka në përbërje drejtues e anëtarë të cilët kanë përqafuar parimet demokratike. Opozitë që aplikon sjellje kushtetuese, ligjore e demokratike. Opozitë që komunikon vazhdimisht me qytetarët dhe është në konkakt me partnerët e institucionet e rëndësishme ndërkombëtare.
Mendoj se gjithë veprimet e deritanishme të opozitës kanë qënë të inkuadruara brenda kësaj kornize. A mund të ishin ndryshe? Në çdo rast mund të mendosh se disa nga veprimet mund të ishin ndryshe por duhet patur parasysh se është shumë e lehtë të flasësh pas pilafit. A mund të ishin më efikase në funksion të arritjes së synimit të vendosur? Nga aktorë të ndryshëm politikë, madje edhe nga brenda PD e opozitës ka pasur përgjigje të ndryshme që unë i respektoj të gjitha.
Veprimet opozitare varen fuqimisht nga sjelljet e paparashikueshme antidemokratike, shpesh edhe kriminale të maxhorancës, që gjithnjë ka synuar ta eleminojë opozitën apo ta kthejë atë në një opozitë fasadë. Opozita e gjendur përballë një presioni të një rregjimi autoritar, të korruptuar e të inkriminuar, të mbushur me individë që vjedhin zgjedhjet e kërcënojnë votuesit, ka reaguar e vepruar drejt, madje disa herë duke sakrifikuar ekstremisht deri në kushtet e ekzistencës së saj.
Reformë Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR që nesër thotë Edi Rama, “por përkthyes të huaj në shqip, kurrën e kurrës”. Çfarë mendoni ju për Reformën Zgjedhore?
Reforma Zjedhore duket se ka dështuar fatkeqësisht pa nisur, sepse mbi të gjitha, Rama s’është i interesuar për atë. Ai gjykon se dështimi i saj është në favorin e tij dhe se ajo s’do ti sillte asnjë përfitim, veçse kokëçarje. Po ashtu ai mendon se angazhimi serioz për të kryer sa më shpejt Reformën Zgjedhore do të mund të rriste oreksin e kundërshtarëve për Zgjedhje të Parakohshme. Rama i “detyruar” nga ndërkombëtarët, do të tentojë ta përdorë gjoja-reformën, për të përçarë opozitën, duke tentuar njëkohësisht të fajësojë atë në sytë e ndërkombëtarëve. Rama s’shqetësohet aspak për faktin se moskryerja e Reformës Zgjedhore pengon hapjen eventuale të negociatave vitin e ardhshëm, sepse edhe hapja e negociatave s’përbën prioritet për të. Opozita ndonëse ka përgatitur një platformë relativisht të gjërë për realizimin e një reforme të thellë zgjedhore, s’ka asnjë mundësi të pengojë dështimin e saj. Shanset e kryerjes së një procesi reformues konsensual me Ramën, qoftë edhe për disa nga çështjet e ndryshimit të kodit zgjedhor janë pothuajse zero.
Rëndësia e kësaj reforme qëndron më shumë në procesin e reformimit të kodit zgjedhor, që do të mundësonte ndërtimin e besimit reciprok mes palëve, sesa në përmbajtjen e ndryshimeve në kodin zgjedhor, ndonëse edhe këta të fundit janë të rëndësishme. Reforma Zgjedhore asnjëherë s’ka mundur të imunizojë zgjedhjet nga manipulimet të cilat veçse janë sofitikuar pas ndryshimeve në kodin zgjedhor. Eksperienca e zgjedhjeve të fundit ka treguar se gjithnjë janë bërë tentativa diabolike për të gjendur hapësirat për të ndryshuar rezultatin zgjedhor përmes blerjes së votës e kërcënimit të votuesve.
Reforma Zgjedhore mbetet e rëndësishme sepse nga njëra do të ishte një proces i testimit të vullnetit politik të palëve dhe nga ana tjetër do të përbënte një mekanizmën efikas për ndërtimin e besimit reciprok mes palëve që do të mund të garantonte fillimisht një Reformë Zgjedhore të suksesshme e më tej një proces elektoral të ndershëm ose të paktën një rezultat zgjedhor të gjithëpranuar. Në çdo rast, Reforma Zgjedhore do të mbështetej mbi dy shtylla: i) së pari, procesi për të kryer reformën dhe ii) së dyti, përmbajtja e ndryshimeve në kodin zgjedhor. Suksesi i procesit reformues do të varej nga vullneti politik dhe besimi reciprok mes të gjithë aktorëve politikë e me publikun. Në kushtet aktuale kur Rama s’ka vullnet për të kryer Reformën Zgjedhore dhe tenton ta përdorë Reformën Zgjedhore si taktikë politike për të përcarë opozitën, janë të ulta gjasat për të ndërtuar një proces reformimi të suksesshëm. Ndërtimi i besimit reciprok mes palëve, në kushtet e një krize të thellë shumëpërmasore që ka cuar në mosbesim e konflikt të ashpër politik duket pothuajse i pamundur. Mund të duket sikur ekziston “një mirëkuptim minimal” për disa çështje të periferike të përmbajtjes së reformës zgjedhore, gjasat më të mëdha janë që Reforma Zgjedhore të dështojë sepse besimi reciprok mes palëve është i dëmtuar në mënyrë të pariparueshme nga Rama, i cili për më tepër s’ka aspak vullnet për ta kryer atë.
Për Ju, duhet vijuar me sistemin ku pushtetin e kanë kryetarët apo duhet propocional me lista të hapura, ose maxhoritar?
Së pari: Ç’duhet bërë me sistemin zgjedhor? Përshtypja publike dhe politike është se sistemi zgjedhor e ka humbur përgjithsisht legjitimitetin. Sistemi zgjedhor duhet marrë në shqyrtim dhe për këtë çështje do të duhet të bëhet një diskutim politik, publik e mediatik.
Së dyti: Përse duhet shqyrtuar sistemi zgjedhor? Sistemi zgjedhor, pasi është aplikuar në 3 zgjedhjet e fundit, ato të vitit 2009, 2013 e 2017, është bërë shumë vunerabël dhe i vështirë për tu mbrojtur. Si argument kryesor përdoret fakti që cilësia e parlamentit ka pësuar regres me kalimin e viteve. Thënë më shkoqur, qytetarët e kritikojnë në shumë aspekte sistemin zgjedhor, duke lënë të kuptohet se ai e ka humbur legjitimitetin. Qytetarët janë të shqetësuar veçanërisht për shumë aspekte por veçanërisht për ato që kanë të bëjnë me përcaktimin e listës së kandidaturave për deputetë nga partitë politike apo ato që ndryshe quhen “lista të mbyllura”.
Së treti: Si duhet bërë shqyrtimi i sistemit zgjedhor? Literatura përcakton qartas hapat që duhen hedhur për ti dhënë përgjigje të saktë kësaj pyetjeje: Fillimisht duhet hartuar një dokument analize përmes të cilit do të mund të evidentohen të gjithë arsyet që eventualisht mund të kenë cuar në deligjitimimin e sistemit zgjedhor. Duke i dhënë ndërkohë përgjigje pyetjes përse ka degraduar cilësia e parlamentit. Mbi bazën e këtij dokumenti analize, duhet të merret vendimi nëse duhet të korrektohet/përmirësohet sistemi aktual zgjedhor apo duhet hartuar një sistem i ri zgjedhor. Ky vendim duhet të merret pas një debati publik transparent dhe diskutimesh me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas e të huaj. Nëse s’arrihet konsensusi i nevojshëm politik e kushtetues për marrjen e këtij vendimi, mund të merret evantualisht edhe mendimi i qytetarëve përmes referendumit, e drejtë të cilën sipas kushtetutës e zotërojnë jo vetëm 28 përfaqësues të qytetarëve ose deputetë të kuvendit (20 përqind e kuvendit) por edhe 50 mijë qytetarë firmëtarë. N kushtet kur deputetë të partive politike opozitare të zgjedhur në zgjedhjet e 2017 janë larguar nga parlamenti duke dorëzuar mandatet dhe një pjesë e vendeve të tyre është zënë nga kandidatë të këtyre partive që kanë qënë në listat e të njëjtave partive, duke mos iu bindur vendimit politik, shtrohet çështja e gjetjes së mekanizmit dhe mënyrës për marrjen e vendimeve adekuate çështjen e sistemit zgjedhor ndërkohë që i gjithë ky proces duhet të jetë inkluziv/gjithëpërfshirës dhe kushtetues.
Së katërti: Cilat janë gjasat që ky proces të jetë i suksesshëm? Në kontekstin e krizës aktuale të thellë politike gjasat që ky proces të jetë i suksesshëm janë shumë të ulta për të mos thënë non-ekzistente. Sepse një proces kaq kompleks kërkon gjithnjë vullnet e besim reciprok mes palëve që në kontekstin aktual të një konflikti të ashpër politik, duken të pamundur. Duhet patur parasysh gjithashtu se Edi Rama nuk do të pranojë të merret në asnje rast me cështjen e sistemit zgjedhor sepse ai është i bindur që statukuoja është në favorin e tij. Këtë rradhë, nuk ka as energji të bëjë lodra politike sikur gjoja dëshëron të jetë pjesë e këtij procesi duke tentuar tja hedhë përgjegjësinë opozitës. Ai është gati të hedhë në erë edhe të gjithë Reformën Zgjedhore nëse ndokush do të bëjë obstruksion me kërkesa që lidhen me ndryshimin e sistemit zgjedhor, për të cilin është i bindur se nuk duhet të preket dhe është i vendosur të mos e marrë fare në shqyrtim.
Së fundmi: Ç’mund të bëhet në këtë rast? Përgjigjen e saktë e të plotë ndaj kësaj sfide apo më saktë për gjetjen e kësaj zgjidhje duhet ta japin lidershipet e partive kryesore dhe/ose qytetarët. Aktualisht zgjedhjet vendore në Shqipëri bëhen me sistem mazhoritar dhe nuk shikoj se qytetarët janë në gjendje të vendosin për cilësinë e qeverisjes së tyre. Kjo do të thotë ndryshe se sjellja politike, korruptive e kriminale e Ramës është invariante nga sistemi zgjedhor. Kjo mënyrë sjelljeje/qeverisjeje e korruptuar dhe me kriminelë, oligarkë e trafikantë, do të kishte shumë pak gjasa, për të mos thënë aspak, të ndrysonte nëse në zgjedhjet për parlamentin të aplikohej sistemi zgjedhor për kryetarët e bashkive.
Kryeministri Rama ka tejkaluar çdo parashikim të mundshëm lidhur me Kosovën. Në foton e publikuar në facebook, ku reklamonte hartën e investimeve për sigurimin e furnizimit 24 orë me ujë, kreu i qeverisë e ka “fshirë” hartën e Kosovës nga Ballkani duke e bashkuar atë me Serbinë. Si për të vërtetuar qëllimin e tij, statusi është fshirë disa orë pas publikimit por kjo nuk e zhbënë “gafën”. Si e vlerësoni ju këtë situatë?
Kjo “gafë” e fundit është më e vogla. Lidhur me Kosovën, qëndrimet e Ramës nuk janë thjesht as gafa e as gabime por ato duhen klasifikuar faje të rënda me dashje, faje që janë bërë me ndërgjegje të plotë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të pushtetit të tij personal e në bashkëpunim me Vuçiç. Gjithçka ka bërë Rama lidhur me Kosovën, duhet klasifikuar e tillë dhe të gjithë shqiptarët në Shqipëri e në Kosovë duhet së pari të sensibilizohen e ndërgjegjësohen për këto veprime antishqiptare, të keqqëllishme e me dashje.
Për “Mini-Shengenin Ballkanik” dhe qëndrimin e Kurtit për këtë çështje, i cili kërkon fillimisht hapjen e kufijve me Shqipëri-Kosovë dhe pastaj më gjerë, Rama ka thënë se ky proces bëhet me marrëveshjen e të gjitha palëve. Po e dëmton ky projekt Kosovën, pasi politika atje është kundër dhe çfarë pasojash ka për Shqipërinë ky projekt trepalësh (Shqipëri-Serbi-Maqedoni e Veriut)?
Ky është një projekt jo transparent dhe i pa diskutuar me asnjë nga fakorët e rëndësishëm në Shqipëri e Kosovë. Një projekt sektar dhe jo gjithëpërfshirës. Për rrjedhojë ky është një projekt jo fort i dashur për shqiptarët sepse vendos Serbinë në qëndër të rajonit duke kujtuar kohët kur Ish-Jugosllavia tentonte të përfshinte Shqipërinë si Republikë e 7-të. Mund të them se ky është një projekt që ka shumë pak mundësi të pranohet nga shqiptarët dhe pak gjasa të realizohet e të ketë jetëgjatësi.