Një elefant brenda shtëpisë që s’e fshehin dot negociatat

E Enjte, 21 November 2019 12:10

Nga Ilir Nikolla

Po shtohet përditë entuziazmi në mesin e partiakëve të Edi Ramës se Evropa, për hallet dhe ekuilibrin e vet, do të jetë e detyruar që t’i çelë negociatat me Shqipërinë, dhe atëhere, “lëre - lëre, ç’do vejë, ku do mbyten këta vulëhumburit e opozitës që i dorëzuan të gjitha e dolën rrugëve”. Ky entuziazëm infantil, që e lidh shprehimisht fatin e negociatave të BE-së me fatin politik të Edi Ramës rrëfen për punën e ndyrë që ka kryer ekzekutivi në bllokimin e negociatave, por s’flet shumë për lidhjen e drejtpërdrejtë që mund të ketë hapja e negociatave me zgjatjen e mandatit të qeverisë “Rama”. Entuziazmi u shtua edhe më shumë dje, pas samitit të PPE-së në Zagreb, kur kancelarja gjermane, presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, si dhe presidenti i ri i zgjedhur i PPE-së garantuan, njëkohësisht e njëzëri, se do ta zgjidhnin problemin që kanë me Francën dhe se brenda pranverës do të garantonin zhbllokimin e procesit të zgjerimit.
Kjo edhe mund të ndodhë dhe në këtë rast s’ka pse të mos i njohim meritë edhe kryetarit të opozitës i cili në disa mbledhje plenare të PPE-së vitin e fundit ka kërkuar shprehimisht që të mos lidhet fati i negociatave të Shqipërisë me sjelljet e qeverisë së Edi Ramës. Hapja e negociatave mund të jetë një zhbllokim i impassit në të cilin po futej diplomacia e Bashkimit Evropian, por kjo s’ka fort lidhje me qeverinë-zombie të Tiranës, që vijon ende të mbajë të uzurpuara zyrat, qysh prej zgjedhjeve të prishura të 2017-s. Në Shqipëri kriza mbetet dhe hapja e negociatave nuk mund të jetë një lejekalim për politikat e Edi Ramës deri në 2021-in. Shqipëria si vatër infeksioni që eksporton krim e drogë dhe ku malavita ka mbështetje politike (prokurorët antimafia të Italisë po bëhen gjithnjë e më të zëshëm në këtë drejtim), duhet kuruar me urgjencë. Bundestagu ka dhënë një recetë me 9 rekomandime, ndërkohë që të tjera kancelari kanë zbatuar politika më klasike, siç janë ato të zhvillimit të operacioneve të njëanshme policore, pa bashkëpunimin e autoriteteve të Tiranës, apo edhe ajo e izolimit total të qeverisë së Tiranës. Vëzhguesit duhet ta kenë vënë re se prej më shumë se dy vitesh, Edi Rama nuk kryen asnjë vizitë zyrtare në vendet e Perëndimit, dhe piruetat e tij antikombëtare me Vuçiçin ia kanë ulur edhe më shumë kredencialet që rëndom një kryeministër shqiptar duhet të gëzojë në Bruksel, si një katalizator i paqes në rajonin e Ballkanit.
Hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në është në njëfarë mënyre një sinjal i qartë se në Tiranë duhet të ndërrojnë gjërat me urgjencë dhe jo e kundërta. Në mes të tavolinës shqiptare është ulur elefanti i malavitës, dhe i kombinuar me efektet domino të një krize ekonomike, që rrezikon të lërë pa rroga 100 mijë punonjësit e administratës shqiptare (le të mos flasim fare për 600 mijë të shkretët pensionistë), ka potencialin të shndërrohet në një minë shpërthyese. Për të patur një shpërthim të kontrolluar të këtij procesi, burokratët e Brukselit po përkujdesen që ta shkëpusin procesin e negociatave me Shqipërinë nga loja e ndyrë që po luan qiraxhiu i kryeministrisë në Tiranë, duke e ç’aktivizuar forcën e tij dëmtuese, pa patur mundësi ta hedhë në erë të gjithë stabilitetin e shtetit.
Të mëdhenjtë e PPE-së po na paralajmërojnë se impassi i negociatave mund të zgjidhet në pranverë, por po ashtu kjo rrit gjasat që në Tiranë të ndryshojë “status-quo”-ja përpara kësaj date. S’do të ishte çudi që qiraxhiu i Tiranës të dilte në një nga këto ditë e të shpallte se po bënte “vetëm pak mënjanë” për hir të fatit evropian të Shqipërisë. Këtë teatër ai edhe mund ta luajë e ndoshta mund të ketë ndonjë përfitim në dinamikat brenda Partisë Socialiste, por kjo s’do të thotë se në Bruksel ky mesazh s’do të lexohet ashtu siç është, si një hap në rrugën e duhur për të larguar elefantin e malavitës që ka zënë vend në bashin e tryezës shqiptare.

Modifikuar më Saturday, 23 November 2019 19:08
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...