Reforma në Drejtësi në vendin tonë është shndërruar një mollë sherri për politikën e ditës, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët ndodhen nën një presion të vazhdueshëm nëse do ta kalojnë ose jo procesin e Vetingut.
Mijëra dosje kanë mbetur në pritje për shkak se disa nga gjykatat, me gjyqtarë tashmë të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, nuk mund të krijojnë kuorumin e nevojshëm, në mënyrë që të shqyrtojnë çështjet.
Përplasja e fundit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, mes presidentit, qeverisë dhe KED, duket se është qershia mbi tortë e të gjithë situatës, ndërsa në skenë ka dalë sërish pikëpyetja nëse ishte e nevojshme kjo Reformë kaq rrënjësore në vendin tonë, sa kohë që prej 3 vitesh drejtësia gjendet në kolaps.
E teksa të gjithë propozojnë që për zgjidhjen e situatës në Kushtetuese palët ti drejtohen Komisionit të Venecias, gazetari Andi Bejtja ka nxjerrë një pasazh nga opinion i Komisionit lidhur me procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve.
Komisioni e cilësonte Vetingun një zgjidhje radikale, që do të krijonte tensione të mëdha brenda gjyqësorit dhe do të destabilizonte situatën. Po ashtu në opinionin e Komisionit të Venecias, rikthyer nga Bejtje thuhej se ekzistonte rreziku i kapjes së gjyqësorit nga forca politike që kontrollon procesin.
Ndërkohë që jo më larg se dje kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, tha se ishte vetë BE, që kishte penguar që në shtetin që ai drejton të kishte një Reformë në Drejtësi, njësoj si kjo që po aplikohet në Shqipëri.
Postimi i gazetarit:
ME KA RENE GOJA DUKE CITUAR KETE PJESE NGA RAPORTI INTERIM I VENECIAS NE VITIN 2015..
Komisioni i Venecias evidenton se zgjidhje të tillë radikale (si procesi i rivlerësimit) janë të paarsyeshme në kushte normale, pasi krijojnë tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizojnë punën e gjyqtarëve, shton mosbesimin e publikut në gjyqësor, shmang vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë të jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin.”
DHE SOT KRYEMINISTRI I MAQEDONISE ZAEV THA QE BE NA E BLLOKOI KETE LLOJ VETINGU…