Deklarata e Koçijançiç/ Ironia i Manjanit: T’i japim medalje të lartë, nuk sheh ende…

Saturday, 23 November 2019 10:21

Ish ministri Ylli Manjani ka reaguar me ironi pas deklaratave të zëdhënëses së BE-së, Maja Koçijançiç për debatin e krijuar në Shqipëri lidhur me plotësimin dhe vënien në funksionim të Gjykatës Kushtetuese dhe për deklaratat e forta të Presidentit Ilir Meta, i cili tha se disa ndërkombëtarë janë palaço.

Në një postim në “Facebook” Manjani bën ironi me kontributin e delegacionit të BE në Tiranë, ndërsa shkruan se duhet t’i japim edhe medalje të lartë për injorim total të organizatave të tjera që paguan BE si Komisioni i Venecias, ODIHR dhe madje edhe Gjykata e Të Drejtave të Njeriut.

REAGIMI I PLOTE I MANJANIT

Maja Kocijançiç ka të drejtë.

Delagacioni i BE dhe veçanërisht drejtuesit e tij dje dhe sot e kanë afruar Shqipërinë me BE. 3 vite rrjesht na u hapën negociatat.

Si rezultat i këtij kontributi të jashtëzakonshëm, Shqipëria sot ka mbyllur dyert e gjykatave dhe ka hapur portalet e thashethemeve.

Veçanërisht sinjifikativ ishte mësimi që kemi mësuar nga Delegacioni i BE, për blerje asetesh e shërbimesh pa tender. Si rezultat i këtij mësimi vështirë të gjesh sot ndonjë punë publike të tenderuar me garë të hapur dhe konkurruese.

Delegacioni i BE, pasi humbi statusin e monitoruesit,me objektivitet të lartë nuk konstatoi asnjëherë të vetme kanabizimin e vendit dhe po me të njëjtin objektivitet nuk sheh ende krizën më të thellë politike ku është zhytur vendi.

Madje Delegacionit Europian duhet ti japim edhe medalje të lartë për injorim total të organizatave të tjera që paguan BE si Komisioni i Venecias, ODIHR dhe madje edhe Gjykata e Të Drejtave të Njeriut.

Më në fund, kush kritikon Delegacionin e BE ka kritikuar vetë BE dhe nuk është çudi të shpallet si i Macronit..😉😉

===================

Le të jenë ça të duan, por sa herë të merren me punët tona do ta meritojnë kritikën!

Pa asnjë ndrojtje e pa asnjë kompleks. Veçanërisht burrokracia e Brukselit…

Po, jam dakort me Macronin!

Login to post comments