Nga Eduard Halimi
BE ka ndërprerë fillimin e procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët në MV- deklaroi dje Zoran Zaev, kryeministër. Ata na thanë –citoj Zaev- se nuk keni njerëz, nuk keni si të plotësoni vendet që do të mbeten bosh.
Në tetor 2015, në përpjekje për të qenë racionalë, i shprehëm Komisionit të Venecias (KV) shqetësimin se ishim vend i vogël dhe se ecja horizontale (shkrirja e institucioneve të vjetra dhe ngritja e të rejave njëherazi) do krijonte kaos, se nuk do kishim burime për të plotësuar vendet vakante që do krijoheshin nga shkrirja në tërësi!
4 dhjetor 2015- Opinion Interim
- “Komisioni i Venecias vëren se … krijimi i kaq organeve të reja do të kërkojë rekrutim masiv të profesionistëve ligjorë, ndërkohë që numri i kandidatëve që zotërojnë arsimin, trajnimin, përvojën dhe pavarësinë e nevojshme mund të jetë disi i kufizuar në një vend kaq të vogël sa Shqipëria.”
12 mars 2016- Opinion final, Venecia ndryshon paragrafin 65 të mësipërm:
- Gjatë vizitës në Tiranë relatorët u siguruan që në Shqipëri ka një numër të mjaftueshëm personash të kualifikuar për të plotësuar këto vende me qëllim që sistemi i ri të mund të funksionojë.
Nëntor 2019, i vetmi vend në botë pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykate Supreme (Gjykatë të Lartë), kaos në plotësimin dhe funksionimin e gjykatave në të ardhmen. Arsyeja (jo e vetme): NUK KEMI BURIME njerëzore që zotërojnë përvojë integritet dhe pavarësi. Gjykata e Apelit në prag kaosi.
Ajo që dua të percjell sot lexuesit, pra qëllimi primar pse u ula të rendis faktet si më sipër është thelbësisht teknik lidhur me këtë lajm. (Për kaosin në GJK do të shkruaj një ditë tjetër pak më gjatë). Nuk dua të përmend as debatin politik si sot 4 vjet më parë, as se kush “e siguroi relatorët e Komisionit të Venezias” dhe as argumentet pro dhe kundër vetingut. Ajo që kryeministri Zaev përmend si deklaratë të BE për MV është thelbësisht e njëjtë me deklaratën e Komisionit të Venecias 4 vjet më parë, paragrafi 65, që ishte pranimi i një shqetësimi racional dhe të arsyeshëm.
Unë nuk mendoj se BE dhe Zaev kërkon të mbrojë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar në Maqedoni, dhe as se BE ka ndërruar qëndrimin për luften ndaj korrupsionit në drejtësi, në Shqipëri, MV apo vendet e tjera kandidate. Sepse ndërsa i kërkon Zaev të stopojë vetingun, Shqipërisë në të njëjtën kohë është duke i kërkuar ndëshkim penal të mëtejshëm! Por ajo që unë kuptoj nga deklarata e Zaev është se qendrimi i BE në 2019 është racional dhe i arsyeshem. Po aq racional sa qëndrimi KV në 4 dhjetor në paragrafin 65.
Në konkluzion të qëllimit primar të këtij shkrimi dua të përcjell disa mendime thelbesisht teknike për lexuesin në reflektim të lajmit të mësipërm:
E para: BE nuk do të mbrojë gjyqtarët/prokurorët devijante nga vetingu as në Maqedoni dhe as në Shqipëri. Ajo deklaratë është në përputhje të plotë të shqetësimit tërësisht racional të para 4 viteve të certifikuar nga KV në 4 dhjetor 2015.
E dyta: se qëndrimi racional kundër draftit të ndryshimeve kushtetuese para 4 vitesh nuk ka qenë kurrë qëndrim kundër reformës! (Se i bie që sot BE është kundër reformës, gjë që nuk është e vërtetë) por ka pasur si shume të tjera, shmangien e kaosit sot.
E treta: kur bëhen reforma të rëndësishme, me qëllime afatgjata, ka nevojë të dëgjohen zërat racionale, zërat e profesionistëve (KV) dhe po ashtu të mbështeten ata.
E katërta: MV dhe BE, po mësojnë nga gabimet tona dhe ndoshta ata janë në rregull, sepse e ndërprenë rrezikun, por për ne ka një kleçke, siç thote A. Robbins tek “Unlimited Power”, KOHA. Sado të mësojmë nga gabimet, nuk e zhbëjmë dot KOHEN, 3 vite pa GJK dhe GJL dhe as KOHEN për vitet e tjera që na presin për të krijuar dhe shqyrtuar mijëra dosje stok nëpër gjykata.
Por nga ky lajm dhe reflektim prej tij mund të mundohemi që mos e zhysim drejtësinë akoma më shumë në kaos. Atë që bëmë duke rrafshuar horizontalisht GJK dhe GJL dhe pastaj të mendojmë për ta plotësuar duhet të mos na ndodhë me Apelet. Por duhet ecur në mënyrë vertikale, skano (kalo ne veting) gjej burimet, dhe plotëso, pjesë- pjesë. Pastaj vijo me pjesën tjetër po në mënyrë vertikale. Kjo mënyrë veprimi racionale mund ta shpëtojë nga kaosi i ardhshëm pasi të shpëtojmë nga kaosi aktual.
*Status në FB i ish-ministrit të Drejtësisë