Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, ka ngritur një problem të madh në SYRI.TV, mungesën e aftësisë së shtetit për të menaxhuar krizën që u krijua nga tërmeti dhe e gjitha kjo kur ndihmat ishin të shumta dhe vërshonin nga të gjitha anët.
“Në situata të tilla ne duhet të kalojmë çdo lloj ndasie, - tha Soko, - të bashkëpunojmë me njeri-tjetrin; do të isha i gatshëm që në këtë moment të bashkëpunoja me çdo institucion shtetëror, që dikush të fokusohej tek mbledhja e ndihmave dhe ta dijë qartësisht se ku do të shkojnë.
Janë mbledhur mbi 220 tonë ndihma vetëm nga Shoqëria Civile, që janë të mjaftueshme për t’i mbajtur ata banorë me ushqime dhjetë ditë. Nuk po flas këtu për ndihmat e tjera, që ishin aq shumë, potrvetëm për ato që ka mbledhur Shoqëria Civile.
Po çfarë ndodhi?! Çonim ushqime aty ku kishte nevojë për dyshekë dhe çonim dyshekë aty ku kishte nevojë për ushqime! Dhe kështu fillonte dhe abuzimi: sepse ai që kishte marrë njëherë, merrte sërish.
Pse mos ta menaxhonim këtë?! Do të ishte fantastike. Kjo nuk ndodhi. Grupi i menaxhimit të krizës u krijua në ditën e katërt!
Në raste të tilla, ky grup krijohet ditën e dytë, se pastaj hyn shteti. Në momentin e parë ngrihet grupi i posaçëm ad-hoc, që përballon emergjencën dhe pastaj i dorëzohet situata strukturave shtetërore. Pra, procesi i shpërndarjes nuk u menaxhua mirë.”