Tre lajme të këqija pas tërmetit

E Enjte, 05 December 2019 14:29

Para se të ndodhte kjo fatkeqësi natyrore, që mori shumë jetë njerëzish, duke lënë pas dhimbje e shkatërrim, me të cilat do t’i bëjmë llogaritë gjatë si shtet e si shoqëri, një tjetër “tërmet” prej kohësh na shkund së brendshmi. Një tërmet që ka rrënuar karabinanë e vlerave njerëzore dhe ka nxjerrë mbi sipërfaqe ujin e zi të babëzisë. Një tërmet, i cili njeriut të ditur i vuri mbi kryerrugaçin e hajdutin. Po, tërmeti që rrezoi përdhe dijen dhe mbi të u ngrit tymnaja e padijes, diplomat e së cilës mbeten nën rrënoja. Zoti dhe natyra me misteret e saj bënë të vetën natën e errët të 26 nëntorit. Po kaq, në qindra pallate kudo brenda perimetrit sizmik u përvijua portreti i poshtërsisë bashkëkohore. Aty, të pafajshmit paguan grykësinë e sharlatanëve, që nuk të shohin në sy teksa mbledhin lek poshtë e përpjetë. Mungesa e kritereve, mungesa e kontrolleve, mungesa e cipës për të zhvatur e korruptuar, shkëlqeu kudo teksa brinjët e atdheut kërcisnin nga të dridhurat. Kushdo që ka udhëtuar me avion, por edhe ata që ecin tokës, e shohin sesi është ndërtuar në rërë, buzë detit, në këneta, pranë lumenjve, në lulishte, në zall, në fushë, në site arkeologjike, duke kafshuar si qentë urbanistikën kombëtare, por më shumë sigurinë e saj. Kjo ka ndodhur për dy arsye, të dyja korruptive, jashtë së cilës nuk mbetet asnjë qeveri shqiptare, asnjë pushtet lokal, i majtë apo i djathtë qoftë. Për para dhe për mbështetje elektorale. Tërmeti zbuloi një krim që ne nuk patëm kurrë kurajë të përballeshim me të. Tani, ai është fakt dhe na gjet me një qeveri të tatatave e tytytyve, e cila punën më efikase ka fasadën dhe propagandën. Ajo, për të dyja ka harxhuar shumë para publike, po jo për zjarrfikësit, pompierët, grupet e specializuara, por, ama, nuk i ka kursyer ato për palma, idiotësi si edukimi përmes leximit në sheshe publike, portrete të varura nëpër pemë për të mbërritur te 20 milionët për kilometër apo koncesionet e famshme, që thithin krejt nektarin e buxhetit. E vërtetë, tërmeti nuk parashikohet, por pse lypej gjithë ajo diarre komunikative kundër Presidentit të Republikës, kur ai e ngriti këtë shqetësim në verë, duke iu referuar një sizmologu të njohur grek? Disa i bien në qafë Elisës! Gabim e kanë! Ajo e shkreta ka zbatuar urdhrin e thjeshtë, urdhrit i ka bashkangjitur emrin. Ndryshe, tërmeti i shefit e fshinte, ndaj i tha ato gjepura folklorike vere. Po tani jemi në dimër, në më të zymtin e tyre. Ende askush nuk di të thotë me siguri sa i madh është dëmi, po në çdo rast i frikshëm për ekonominë e madhe e atë të familjeve e të individit. Si kurrë më parë, opozita tregoi emancipim, prej ditësh ajo nuk po bën politikë. Po e lë Kryeministrin të menaxhojë situatën. Po vetë Rama, ç’po bën? Ai po mundohet të bëjë vetëm politikë dhe propagandë më shumë për ata që nuk janë lënduar sesa për ata që janë lënduar, sepse të parët janë më të shumtë dhe të dytëve s’ka çfarë u ofron. Ai herë qan e herë qesh, herë shtyn e herë kërcënon, herë identifikohet me Zotin, herë sillet si i dërguari i tij, ndërsa njerëzit, zhytur në dramën e tyre, dëshpërohen. E vërtetë, të gjithë u shprehem për një detante ndaj Kryeministrit dhe ministrave të tij në shenjë solidariteti, që i tejkalon bindjet e gjithsecilit përballë një tragjedie të përbashkët. Por, problemi është se Kryeministri dhe ministrat e tij të njëjtët janë, domethënë ata të para tërmetit. Me atë aftësi, me po atë ndershmëri, me po atë histori që kanë. A mund të ndryshojnë ata si te tërmeti i De Radës te “Milosao”, kur shkatërrohet Shkodra dhe ai mund të martohet me Rinën, pasi humbet statusin shoqëror?? Ditët po kalojnë e kjo nuk duket se po ndodh. Janë po ato arinj e arusha me Tahir Baçovën komandant. Një sërë ndodhish po na thonë që tërmeti hapi halle të vjetra dhe krijoi mundësi të reja.Kryetarja e emëruar e Durrësit, Valbona Sako, jo për një gafë që është njerëzore, dha dorëheqjen. Aty u shfaq non grata i SHBAve, Vangjush Dako (me nofkën “akullorja”) dhe zëvendësi i tij u caktua kryetar i ri. Ndërtesat e dëmtuara po shemben me shpejtësi, në gjasë për të mbuluar krimet në ndërtimtari. E shkuara dhe e ardhmja e Durrësit lidhet me Dakon. Rama e hoqi dhe tani e rikthen për rindërtim. Po kaq lajm ogurzi është kthimi i Arben Ahmetajt në krye të komitetit të rindërtimit, aty ku do të grumbullohen paratë e prej nga do të shpërndahen ato. E vështirë t’ia kujtosh emrin Anila Denajt edhe pas një viti punë, duhet mundim, përpjekje, kërkim e më pas e gjen se ajo nuk bën asgjë për t’u fiksuar si ministre Ekonomie, por ama kur iku Ahmetaj, si më i përfoluri dhe i akuzuari i kësaj qeverie, askush nuk u mërzit. E hoqi asokohe për këso akuzash apo për paaftësi dhe ja, e gradon tani rojtar të arkës së eurove për rindërtim. Aferim i qoftë! Kjo bëri më habi sesa atashimi i Elvis Naçit si hoxhë pranë Rilindjes. Pas tërmetit ka dy lajme të këqija për qytetarët, rikthimi i “akullores pa kaush” dhe mobilizimi i “tigrit” të Financave. Kryeministri po u jep edhe një mundësi këtyre evlatërve të përgojuar tutje tehu. “Çka ka thënë njaj Avdi Pasha, paska mbetë Shqipnia në vasha”, janë disa vargje të Fishtës te “Lahuta e Malcisë” që nxisin Oso Kukën t’u prijë trimave për në Vraninë. Dako dhe Ahmetaj janë Oso Kukët e Edi Ramës përballë llavës së tokës e paqetuesit e saj me lagjet e reja që do bëhen. Folëm në fillim për tërmet të vlerave?! Ja, edhe në fund, shkundullima e tij nuk ta lë shpirtin në paqe. Pas përshpirtjes funebre është koha që opozita të fillojë politikën duke filluar nga lajmet e këqija pas tërmetit!/panorama

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...