Kryetari i Partisë Agrare Ambjentaliste dhe ish-deputeti i Opozitës, Agron Duka, përshëndet zgjedhjen e Olsian Çelës si prokuror i përgjithshëm i vendit.
Përmes një reagimi në Facebook, Duka shprehet ndër të tjera se, "është e rëndësishme që vendi t’i kthehet normalitetit dhe të gjitha institucionet e reja të drejtësisë të ngrihen sa më parë dhe në përputhje me Kushtetutën".
Në fund të reagimit të tij, Duka thekson se, "tërmeti nuk mund të shërbejë si një amnisti, rruga e rindërtimit duhet të kalojë nga drejtësia e re".
"Përshëndes zgjedhjen e z.Olsian Çela si Prokuror i Përgjithshëm me mandat të rregullt. Është e rëndësishme që vendi t’i kthehet normalitetit dhe të gjitha institucionet e reja të drejtësisë të ngrihen sa më parë dhe në përputhje me Kushtetutën. Pa ndarje pushtetesh nuk mund të ketë demokraci. I uroj punë të mbarë z. Çela me shpresën që pandëshkueshmëria të marrë fund në vendin tonë. Institucionet e reja të akuzës kanë përpara një punë shumë të madhe, e cila duhet të adresojë sa më parë edhe shpërdorimet e detyrës që fatkeqësia natyrore nxori në pah. Tërmeti nuk mund të shërbejë si një amnisti, rruga e rindërtimit duhet të kalojë nga drejtësia e re", shkruan Agron Duka në një postim të tijin në Facebook.