Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar nga Durrësi se qeveria duhet të përshpejtojë procesin e vlerësimit të banesave të dëmtuara.
Në një prononcim për OraNews, Basha ka thënë se Rama duhet të dëgjojë planin me tre pika të propozuar nga opozita.
Sipas tij, është ë domosdoshme që 150 milion eurot e parashikuara në buxhetin e 2020 dhe që do i përfitojnë 10 oligarkë, të kalojnë për banorët e prekur nga tërmeti.
Më tej Basha ka komentuar dhe vendimin e qeverisë për të dëmshpërblyer me 2 milion lekë të rinj çdo banorë të fshatit.
“Siç e shikoni është një lagje tërësisht e braktisur, sepse të gjitha pallatet kanë pësuar dëme të rënda. Të gjitha familjet janë detyruar të largohen. Një pjesë prej tyre janë sistemuar, një pjesë prej tyre po më thonë që nuk janë sistemuar, gjendja vazhdon të mbetet e rëndë, vlerësimi i banesave është vetëm paraprak, ndaj thirrja ime është të përshpejtohet procesi i vlerësimit përfundimtar, në mënyrë që banorët të kenë siguri se çfarë do të bëjnë nesër dhe të merren masa financiare, siç e kemi sugjeruar në planin tonë tre pikësh duke alookuar të gjithë shumën e parashikuar në buxhetin e vitit 2020 prej 150 milionë dollarësh për 10 oligarkët, për banorët e prekur nga tërmeti.
Pyetje: Nga plani me tre pika që ju keni propozuar, në mbledhjen e sotme të qeverisë u mor parasysh që në zonat rurale të shpërndahej fondi, dorazi po e quajmë, keni një koment për këtë?
Lulzim Basha: Është një propozim që e kemi dhënë prej disa ditësh sepse përshpejton mundësinë e banorëve për të trajtuar vetë dëmet dhe problemet që ka shkaktuar tërmeti.
Natyrisht që duhet bërë vlerësimi i dëmit. Shuma që është caktuar prej 2 milionë lekësh të reja, mund të jetë një shumë minimale, në disa raste mund të ketë nevojë për shumë edhe më të mëdha, prandaj është e domosdoshme tani, në përputhje me pushtetet që jep akti i fatkeqësive natyrore, që qeveria të caktojë një buxhet të qartë.
Prandaj insistojmë për zhvendosjen e menjëhershme të 150 milionë dollarëve të 10 oligarkëve në funksion të emergjencës dhe procesit të riparimit apo ndërtimit të banesave të dëmtuara. Është një hap i parë që kanë pranuar këtë sugjerim që në fakt e kam dhënë nga terreni, kryesisht nga zonat rurale, por është i pamjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me fondet e nevojshme dhe nëse nuk veprohet shpejt.
Koha nuk pret! Nuk është koha as për fjalë, as për shfaqje, as për zvarritje, por është koha për të vepruar menjëherë nga vendime në zbatimin e këtyre vendimeve.