Dëshmia tronditëse: Qeveria po bën trajtim preferencial pas tërmetit

Hënë, 09 December 2019 10:16

Dëshmitë e para që vijnë nga zonat e prekura prej tërmetit tregojnë se virusi i nepotizmit dhe korrupsionit nuk po lë pas dore edhe të dëmtuarit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.

Rasti konkret është në Manzë, ku disa banorë janë strehuar në kontenierë, ndërkohë të tjerët flenë në çadra në mesin e baltës dhe të ftohtit.

Kryeministri Edi Rama transmetoi vetë pamje nga Manza, ku duken familjet e sistemuara. Por kryeministri nuk i vizitoi këto çadra….

“Erdhi Edi Rama te shkolla dhe këtu nuk erdhi të shihte se ku jetojmë. Ai duhet të vinte të shihte familjarët këtu si jetojmë. Shkolla është ndryshe, familjarët janë ndryshe, ne nuk rrimë për qejf këtu”.

“Erdhi te kontenierët, bëri ca filmime dhe iku. Ne e pritëm, me shpresën se do vinte të na shikonte, në cfarë kushtesh jetojmë”.

Zëvendës ministrja Ornela Çuçi i raporton  kryeministrit se si janë zgjedhur familjet për tu strehuar në kontenierë.

“Kemi akomoduar fillimisht nga cadrat, të gjithë fëmijët që kanë qenë 0 deri në 1 vjeç. Pastaj me prioritet duke u rritur pastaj invalidët”.

Por edhe kjo përzgjedhje rezulton e gënjeshtërt. ABC News takoi në çadër një nënë me foshnjen 2-muajshe dhe me burrin invalid. Ata nuk janë në kontenierë.

Esiona Konomi: Sa muajsh është fëmija?

Nëna e foshnjes: 2-muajsh.

Esiona Konomi: Keni humbur shtëpinë?

Nëna e foshnjes: Po, në fakt ne jemi qiraxhinj. Të pastrehë jemi, tani ajo banesë është e pabanueshme.

Esiona Konomi: Si i keni kaluar këto net?

Nëna e foshnjes: Me shumë vështirësi, siç e shihni vetë, uji hyn brenda në çadër, kushtet janë shumë të vështira.

Esiona Konomi: Keni patur ushqim?

Nëna e foshnjes: Për vete po, por për fëmijën jo. Kam kërkuar, por askush nuk më ka sjellë.

Esiona Konomi: Ku e keni larë fëmijën?

Nëna e foshnjes: Nuk e kemi larë, ku ta lajmë. Veç e kemi fshirë me letra të lagura.

Esiona Konomi: Po te kontenierët nuk ju kanë dhënë asnjë mundësi?

Nëna e foshnjes: Jo nuk na kanë dhënë, futen me të njohur njerëzit atje.

Login to post comments