Emergjenca e tërmeti/ Ambasada e Katarit anulon pritjen me rastin e Ditës Kombëtare

Tuesday, 10 December 2019 13:27

Nisur nga rrethanat e jashtëzakonshme e të vështira që po kalon Shqipëria për shkak të gjendjes së krijuar nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019, Ambasada e Shtetit të Katarit në Republikën e Shqipërisë vendosi të anulojë Pritjen me rastin e Ditës Kombëtare që do të mbahej ditën e Mërkurë më 11.12.2019, në shenjë solidariteti me Republikën e Shqipërisë dhe popullin mik shqiptar dhe në respekt të viktimave të tërmetit.

Shteti i Katarit qëndroi në krah të Shqipërisë dhe popullit shqiptar që prej ditës së parë të këtij tërmeti, duke ofruar ndihma urgjente – në koordinim të plotë me autoritetet lokale – për të dëmtuarit në zonat e prekura në bashkitë Tiranë, Durrës, Thumanë, Vorë dhe Kavajë.

Ambasadori i Shtetit të Katarit z. Ali bin Hamad Al Marri, ka kryer disa vizita inspektuese në zonat e prekura, nën direktivat e Lartësisë së tij Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ku mbikqyri nga afër shpërndarjen e ndihmave nga Fondi i Katarit për Zhvillim në bashkëpunim Qatar Charity.

Ai shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e tërmetit, dhe konfirmoi solidaritetin dhe qëndrimin e Shtetit të Katarit përkrah Shqipërisë në këto momente të vështira.

Ambasadori u shpreh gjithashtu se ai shpreson që Shqipëria të tejkalojë efektet e tërmetit sa më shpejt, të kapërcejë fazën e tanishme e të rimëkëmbet sa më parë, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Shtetit të Katarit për Republikën e Shqipërisë dhe popullin mik shqiptar.

Login to post comments