Të gjithë punonjësit në shtet nuk do të marrin shpërblim për festat e fundvitit. Qeveria ka miratuar një vendim, i cili ndalon përdorimin e fondeve për shpërblimet. Ende nuk dihet nëse qeveria do të japë shpërblim për pensionistët dhe kategoritë e tjera në nevojë, por sipas burimeve, i gjithë fondi do shkojë për të banorët e prekur nga tërmeti.
Vendimi është miratuar më 6 dhjetor, në të cilin theksohet se ndalohet përdorimi i fondit të veçantë të institucioneve për festat dhe shpërblimet.
VENDIM
Nr. 781, datë 6.12.2019 për një ndryshim në vendimin nr.929, datë 17.11.2010, të këshillit të ministrave, “për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshua. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr. 10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 11, të ligjit nr. 99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Pika 9, e vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, riformulohet, si më poshtë vijon: “9. Përjashtimisht për vitin 2019, fondi i veçantë i institucioneve qendrore, buxhetore dhe jobuxhetore, institucioneve të vetëqeverisjes vendore, njësive të fondeve speciale, institucioneve publike, të krijuara me ligj të posaçëm, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, në varësi të institucioneve qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore, nuk do të përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve.”.
Ngarkohen institucionet e përmendura në pikën 1 për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTËR
Edi Rama