Ngritja e Prokurorisë Speciale SPAK do të bëhet ditën e enjte 19 dhjetor, ditë edhe kur do të betohen 8 prokurorët e parë.
Lajmi është dhënë nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.
Blushi shkruan në Facebook, se presidenti Ilir Meta pas kërkesës së kreut të KLP-së, Gent Ibrahimi do të organizojë në datën 19 dhjetor në orën 09:30 minuta ceremoninë e betimit.
Njoftimi i Tedi Blushit:
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, në përgjigje të kërkesës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Kryetarin e KLP-së, z.Gent Ibrahimi, në mbështetje të nenit 61 pika 2 të ligjit nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’ të ndryshuar’, ditën e enjte, në datën 19 dhjetor 2019, ora 09:30, organizon ceremoninë e betimit të 8 (tetë) prokurorëve të emëruar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).