Një shtëpi e vogël një katëshe, e lyer me të gjelbër, ngjyrën e shpresës një çati të vjetër, ca rroba të nderura në tel e akoma të hapura zbukurimet e dasmës.
Kjo është shtëpia e familjes Hajdari në Librazhd që do të përcjellë në banesën e fundit nusen e re, Rezartën që s’mundi ta jetonte rininë e dashurinë e saj. Disa shiritë të kuq e të bardhë për të treguar se vetëm pak ditë më parë aty këndohej e kërcehej, martohej djali i shtëpisë.
Krevati ku u gjetën dy të rinjtë ka sipër mbulesën e bardhë të mbledhur ashtu rrëmujshëm. Paja e Rezartës pret ende në raft, e pahapur akoma, por askush tashmë nuk e prek dot me dorë. Çarçafët nuk do të shtrohen më mbi krevatin bashkëshortor e fustanet e nusërisë do të vjetërohen pa i veshur një nuse e re.
Pak ditë pas dasmës që mblodhi gjithë fshatin për t’i gëzuar çiftit të ri, një vajzë e re do të përcillet në banesën e fundit, tashmë në një arkëmort.
Askush nuk e di ende çfarë ndodhi me çiftin e ri që u gjetën në mëngjes pa ndjenja, Rezarta e pajetë e Olsiani në gjendje të rëndë.
26-vjeçari ndodhet ende nën kujdes intensiv në monitorimin e mjekëve. Dyshohet se ata u vetëhelmuan, gjithsesi do jetë policia ajo që do sqarojë arsyet e kësaj tragjedie.