Basha: Në burg kush luan me jetët e qytetarëve. Të mos përsëritet tragjedia e Thumanës.

Saturday, 14 December 2019 11:11

Mungesa e seriozitetit për vlerësimin e sigurisë së banesave të dëmtuara pas tërmetit është kthyer një nga shqetësimet kryesore në javën e tretë pas tërmetit.

Disa banorë në Qerret të Katundit të Ri i treguan kryetarit të PD, Lulzim Basha, rastin e një akt ekspertimi të një shtëpie të verifikuar tre herë me rezultate të ndryshme.

Për të shmangur marrjen e bonusit të qerasë, herën e tretë shtëpia ishte nxjerrë e banueshme, megjithëse pamjet tregojnë se mbahet në këmbë nga një shufër hekuri vertikale, e vendosur në kulmin e saj.

I zoti i shtëpisë shprehu shqetësimin për sigurinë e jetës, pasi akt ekspertimi nuk kishte lidhje me gjendjen e vërtetë të shtëpisë së tij. ‘Shiko si e kanë bërë.- tha banori duke lexuar akt ekspertimin- Tjegull tulle. A ka tjegull kjo? Kjo është vetëm me soletë. Nuk e di se çfarë kanë qenë ata ekspertë! A kanë qenë çobanë delesh’.

Edhe në një shtëpi tjetër ka ndodhur një fenomen i ngjashëm. Për të mos u dhënë banorëve me shtëpi të dëmtuar rëndë bonusin e qerasë, shtëpia është shpallur e banueshme, pasi ishte verifikuar e pabanueshme më 21 Shtator dhe 26 Nëntor.

Banorët ngritën shqetësimin se nuk u është dhënë asnjë akt ekspertimi zyrtar që verifikon gjendjen e sigurisë së shtëpisë, gjë që për kreun e opozitës përbën një akt të papranueshëm dhe të dënueshëm penalisht. ‘Më e rënda nga të gjitha, është se në këtë gjendje ku është kjo shtëpia ju thonë të futeni brenda, por letrën nuk jua jep. Me një lëkundje kjo bie dhe ju zë brenda, siç ndodhi në Thumanë. Përfaqësuesit e bashkisë apo qeverisë nuk jua japin as me letër dhe thonë se u futën vetë brenda. Kjo është kriminale. Kjo është t’i vrasësh banorët.

Ata që i kanë shpëtuar tërmetit t’i vrasë shteti. Kjo është! Gjëja e parë, ju në asnjë mënyrë nuk do të futeni brenda pa marrë një letër nga shteti. Dhe po morët letër nga shteti, do të vijnë ta vërtetojnë me specialistë, jo me nëpunës.

Të vijë inxhinieri dhe ta firmosë. Sepse nuk ka inxhinier ta firmosë shtëpinë në këtë gjendje. Inxhinieri që firmos se kjo është e banueshme, shkon në burg. Dhe njerëzit që ju thonë futuni se është e banueshme, pa firmë, edhe ata do të shkojnë në burg.

Edhe ata që ju thonë dhe i mësojnë që t’u thonë banorëve futuni në banesa të shkatërruara, edhe ata duhet të shkojnë në burg, nga i pari tek i fundit.’- u shpreh kreu i opozitës Lulzim Basha.

Login to post comments