“A ju ka shkuar në mend të jepni dorëheqjen?”, Eno Bozdo akuza ministres Xhaçka

Tuesday, 17 December 2019 22:00

Një pyetje e drejtpërdrejt për Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka nga sekretari organizativ në PD Eno Bozdo. Në panelin e sotëm në “Real Story” në News24, Bozdo e ngarkoi me ‘përgjegjësi minimalisht’ morale ministren Xhaçka për pasojat fatale të tërmetit të 26 nëntorit, duke e pyetur nëse i ka shkuar në mend të japë dorëheqjen.

Ai tha se ekipet e shpëtimit kanë shkuar në vend pa asnjë mjet, ndërkohë që nuk është bërë asnjë lloj reforme siç pretendon ministrja.

“I befasuar dhe i zhgënjyer që dëgjoj ministren që minimalisht nuk kërkon ndjesë për mënyrën e reagimit. Kemi qenë dëshmitarë të faktit që përveç njerëzve të cilët ne i kemi çuar atje, disa orë me vonesë siç vërtetohet edhe nga gazetari, të cilët ishin atje me duar në xhepa, pa lopata, pas asnjë lloj pajisje që përdoret në situata të tilla. Asgjë tjetër përveç njerëzve. Sikur mos të kishin qenë ekipet e shpëtimit që erdhën nga Kosova e më pas nga vendet mike bilanci i tmerrshëm do kishte qenë shumë i rëndë.

 

Ju nuk mund të mbuloni dot çdo gjë me propagandë dhe me fjalën reformë. Ju nuk keni bërë absolutisht asnjë lloj reforme. Keni ndryshuar ligjet e keni kthyer në kakofoni sa ditën e tërmetit askush nuk dinte të bënte asgjë. Kaq e vërtetë është kjo sa ju caktuar shtabin e emergjencës 3-4 ditë pas tërmetit. Sot e kësaj dite të gjitha të dhënat që vijnë nga zonat e tërmetit nuk janë të dhëna ende përfundimtare.
Ka zona të tëra të pambuluara nga inspektorët tuaj apo ata që shkojnë për të bërë bilancin e banesave. Ka zona që nuk i ka parë njeri. 30 shtëpi të dëmtuara në Shënavlash.
Pra unë befasohem dhe prisja nga ju sot minimumin e ndershmërisë që pyetjes së gazetarit t’i përgjigjet po, ne kemi qenë të papërgatitur totalisht për një ngjarje të tillë dhe këtu kemi përgjegjësinë tonë por do reflektojmë. Për çfarë reformash flisni? Ju zonja ministre personalisht keni dhënë garanci pas tërmetit të 21 shtatorit që ekipet e inspektorëve, instituti i ndërtimit, gjithë infrastruktura do jetë atje për të konkluduar nëse banesat, veçanërisht në Thumanë, janë të pabanueshme apo jo? 28 viktima të Thumanës nëse ju, infrastruktura që ju drejtoni, do kishit ndërhyrë në kohë sot ata të ndjerë do të ishin gjallë.
A mbani ju përgjegjësi minimalisht morale zonja ministre? Ju ka vajtur ndonjëherë në mend që të jepnit dorëheqjen? Pres një minimum ndershmërie sepse ju keni dhënë para kryeministrit dhe kryeministri ka dhënë garanci në konferencë shtypi pasi bëri bilancin e 21 shtatorit. Ju personalisht a ju shkon ndër mend të jepni dorëheqje apo jo?”, deklaroi Bozdo.

 

Login to post comments