Paketa antishpifje/ Reagojnë zyrtarët e PPE: Ligjet, kthim serioz mbrapa, frenojnë lirinë e medias dhe të drejtën e informacionit

E Enjte, 19 December 2019 14:43

Dy reagime nga zyrtarë të Partisë Popullore Europiane ku është anëtare edhe Partia Demokratike për paketën antishpifje të miratuar dje nga maxhoranca në Kuvend.

Pas miratimit të një ligji shumë të diskutueshëm për median nga Parlamenti i Shqipërisë, Michael Gahler, Koordinator i PPE-së për Punët e Jashtme, deklaroi: “Ne vërejmë me shqetësim të thellë që shumica parlamentare e qeverisë shqiptare e udhëhequr nga Kryeministri socialist miratoi dy ligje për median dje në kundërshtim të hapur me rekomandimet specifike të bashkësisë ndërkombëtare. Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, si dhe media dhe organizatat shqiptare dhe ndërkombëtare të shoqërisë civile kishin shprehur kundërshtime të forta kundër këtyre ligjeve. Ne vërejmë se anëtari ynë i PPE-së, Partia Demokratike, shprehu rezistencë të fortë kundër miratimit të këtyre ligjeve dhe mbështet rekomandimet evropiane dhe ndërkombëtare”.

David Lega, Raportuesi i PPE-së për Shqipërinë, paralajmëroi: “Liria e mediave dhe e drejta e informacionit janë liritë themelore në Evropë dhe një pjesë e domosdoshme e kritereve të Kopenhagës për anëtarësimin në BE. Legjislacioni i miratuar kërcënon këto liri që janë fituar kohë më parë nga populli shqiptar. Media e lirë ka qenë një reporter i vazhdueshëm i abuzimit të pushtetit dhe ka ekspozuar shumë skandale të korrupsionit. Miratimi duhet të shihet si një kthim pas serioz për Shqipërinë në rrugën e saj drejt sundimit të ligjit dhe demokracisë. Ky vendim, siç e thamë publikisht përpara votimit, mund të ketë një ndikim negativ në hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë – në të cilën Grupi i PPE beson fuqimisht. Ne i nxisim autoritetet shqiptare të rishqyrtojnë vendimin dhe ta kthejnë atë”.

Login to post comments