Kjo është toka e shqiptarëve, jo e oligarkëve

E Enjte, 19 December 2019 21:35
Nga Klodian Tomorri 
 

Në vitin 1953, Tito dhe ministri i jashtëm turk, Mehmet Koprulu nënshkruan një marrëveshje xhentëllmenësh, e cila promovonte emigrimin e shqiptarëve të Kosovës në Anatoli. Personi, që u caktua për të zbatuar marrëveshjen në terren ishte Aleksandër Rankovic, krimineli bastard i ish-Jugosllavisë, që për krimet e kryera ndaj shqiptarëve njihet si kasapi i dytë i Ballkanit, pas Sllobodan Miloshevicit. Rankovic udhehoqi një fushatë të egër intimidimi dhe presioni ndaj shqiptarëve të Kosovës, për t'i detyruar që të braktisnin vendin e tyre dhe të emigronin në Turqi.

Si rezultat shqiptarët dhe myslimanët e Sanxhakut emigruan masivisht drejt turqisë dhe në vend të tyre në Kosovë u instaluan familjet serbe dhe ato Malazese. Spastrimi etnik i Kosovës ishte një politikë kriminale.

Por sot shqiptarët po përballen me një tjetër fushatë spatrimi. Jo ushtarake, por ekonomike. Prej vitesh, Shqipëria po përjeton një valë masive emigrimi, teksa të detyruar nga varfëria, papunësia dhe mungesa e shërbimeve publike shqiptarët qëndrojnë në mënyrë konstante në krye të listës së azilkërkuesve në Europë.

 

Sipas Bankës Botërore, krahasuar me 28 vjet më parë popullsia e Shqipërisë është tkurrur me 420 mijë vetë ose 13 për qind në terma relativë dhe tendenca e uljes vazhdon të forcohet. Pa popull nuk ka puntorë. Pa puntorë nuk ka konsum dhe pa konsum nuk ka fitime për të mëdhenjtë. Diku nga fundi i vitit të kaluar disa nga biznesmenët më të mëdhenj në vend hodhën publikisht idenë për hapjen e Shqipërisë për emigrantët dhe puntorët e huaj. Nën moton dikush ikën- dikush vjen, ata deklaruan se vendi ka nevojë për konsumatorë dhe punonjës, ndaj një nga gjërat më të rëndësishme do të ishte liberalizimi i mundësive, që njerëz të tjerë të vijnë të jetojnë te ne.

Por ndërsa në fillim, askush nuk mendoi se pas këtyre deklaratave kishte një strategji konkrete, tashmë gjërat kanë ndryshuar. Një ditë më parë, qeveria miratoi një projektligj, i cili heq lejet e punës për të huajt që duan të punojnë në Shqipëri për ringritjen e vendit nga dëmet e fatkeqësive natyrore. Por kufizimet janë lehtësuar edhe për periudhat kur nuk ka fatkeqësi natyrore. Sot një biznes shqiptare mund të punësojë një shtetas të huaj, vetëm nëse e ka publikuar vendin e lirë të punës për të paktën katër javë dhe nuk ka arritur të gjejë puntor shqiptarë.

Me projektligjin e ri të qeverisë, ky detyrim hiqet dhe cilido biznes mund të aplikojë për leje pune për të sjellë në Shqipëri puntorë nga vendet e tjera, pa qenë më parë i detyruar të kërkojë puntorë shqiptarë. Sigurisht që hapja e tregut të punës në mënyrë ekstreme për të huajt nuk ka qëllim thithjen e punonjësve me njohuri të lartë nga vendet e zhvilluara, që janë shumë më të pasura se Shqipëria. Këto ndryshime ligjore synojnë emigrantët që vijnë nga vendet e varfra të botës së tretë, të cilët janë të gatshëm të punojnë me rroga edhe më të ulëta se sa shqiptarët.

Oligarkët duan konsumatorë dhe krah të lirë pune. Qeveria ndoshta kërkon shtetas të bindur. Zgjidhja perfekte për këtë janë emigrantët nga vendet e botës së tretë.

Por Rankovicizmi ekonomik nuk mund të jetë e ardhmja e Shqipërisë. Ky është Atdheu i shqiptarëve dhe vendi i shqiponjave. Dhe këtë nuk ka interes ekonomik që mund ta cënojë.

Modifikuar më E Enjte, 19 December 2019 21:40
Login to post comments