Deutsche Welle: Shpresa te SPAK si fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë

Premte, 20 December 2019 09:53

Gjermania përshëndet ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) në Shqipëri. Ky institucion i ri do të merret me hetimin dhe gjykimin për korrupsion të ish-pushtetarëve dhe atyre aktualë.

Të enjten në Tiranë përfundoi ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, (SPAK). Kjo strukturë së bashku me Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të njohur edhe si Gjykata Speciale, të ngritur të mërkurën, (18.12) pas shkrirjes së Gjykatës së Krimeve të Rënda do të hetojë dhe gjykojë të gjitha veprat penale dhe akuzat për korrupsion ndaj ish-pushtetarëve dhe atyre aktualë, që nga viti 1990 dhe në vijim.

Tetë prokurorët, anëtarë të SPAK u betuan të enjten para Presidentit Ilir Meta. Mandati i tyre është 9 vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje. Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi prokurorin Arben Kraja, drejtues të SPAK. Ngritja e SPAK dhe  Gjykatës Speciale shënon një moment të rëndësishëm, historik në progresin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Ajo që pritet të ndodhë së shpejti është funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë  për të bërë  funksionalë të gjitha institucionet e drejtësisë së reformuar, tre vjet pas votimit, në korrik 2016,  në mënyrë unanime nga 140 deputetët të ndryshimeve kushtetuese , që i hapën rrugën ngritjes së tyre.

SPAK pritet të emërojë së shpejti anëtarët dhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që ngrihet mbështetur në modelin e Federal Byro of Investigation (Byroja Federale e Hetimit, FBI) në SHBA. Thellimi i reformës në Drejtësi është një nga kërkesat kryesore të BE për të bindur vendet e tij anëtare skeptike për të qënë pro hapjes potenciale të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë në samitin e BE dhe Ballkanit Perëndimor,(BP) që pritet të zhvillohet në pranverën 2020, në Zagreb. Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë janë ndërkohë në krye të listës së kushteve në Rezolutën e Bundestagut Gjerman, për t'u plotësuar nga Shqipëria, deri në samitin e pranverës.

 

Gjermania përshëndet fillimin e veprimtarië së SPAK

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, përshëndeti të enjten betimin e tetë prokurorëve të SPAK . "Nisja e veprimtarisë së SPAK-ut shënon një hap tjetër të rëndësishëm të reformës gjithëpërfshirëse të sistemit shqiptar të drejtësisë. U uroj prokurorëve të SPAK-ut shumë forcë dhe energji në këtë detyrë të rëndësishme. Lufta e konsoliduar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një ndër çelësat për progresin e mëtejshëm në procesin e integrimit në BE. Gjermania do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në këtë rrugë si një partner i ngushtë i saj”, thekson Ambasadori Zingraf në mesazhin e tij.

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, në përshëndetjen e tij  për SPAK e konsideroi ngritjen e tij  "një tjetër moment të rëndësishëm për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësia kryesore për Shqipërinë dhe rrugën drejt anëtarësimit të BE-së”, u shpreh Soreca në përshëndetjen e tij.

SHBA - fund pandëshkueshmërisë

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë në deklaratën e saj përshëndetëse theksoi të enjten se "tani Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë ish-zyrtarë apo zyrtarë si dhe bosë të krimit – individë këta që në të shkuarën janë konsideruar si të paprekshëm”. Deklarata vë në dukje se SHBA  "do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të gjithë atyre që kërkojnë t'i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”.

Ngritja e SPAK është përshëndetur edhe nga Partia Demokratike. Në deklaratën e saj theksohet se, "PD ka vullnetin për t'i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture. Është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar”, theksohet në deklaratën e PD.

Login to post comments