Nuk ka asnjë diskutim. Me kalimin e ligjit gjoja kundër shpifjeve në Kuvend, Shqipëria është me një zyrë administrative censure për mediat që shfaqen në web. Jo vetëm portalet, sikundër thonë.
Fatkeqësisht kjo detyrë iu dha AMA -s, e cila duhet të ishte promotorri i nxitjes të një cilësie sa më të lartë të përmbajtjes të transmetuar në media. Cilësia kryesore do të kishte qenë pikërisht diversiteti i përmbajtjeve të transmetuara bazuar në lirinë e gazetarëve.
Ka një keqkuptim që i ka turbulluar mendjen jo pak qytetarëve: Të mërzitur nga media që shpesh herë, veç rolit të vet pozitiv, si çdo gjë në këtë botë, ka edhe veset e veta, qytetarë të ndryshëm duken si të kënaqur e sikur thonë : "Mirë ua bënë këtyre mediave sepse marrin nëpër gojë njerëzit!!!"
Kush e futi fyerjen publike në Shqipëri, politikanët në Kuvend apo gazetarët në media?
Mirëpo ligji në fjalë bën të kundërtën. Nuk realizon asfare atë që presin audiencat, pra pastrimin e mediave nga gjithçka jo etike.
Përse ?
Sepse sikurse u pa nga seanca parlamentare e mbajtur për këtë qëllim një pjesë e politikanëve në pushtet morën shembuj si i kishte sulmuar ata media. Sigurisht nuk ka punë media me familjarët e politikanëve, kur këta familjarë nuk abuzojnë me paranë publike, por janë në punë të tyre. Por, u duk qartë se halli ishte për të mbrojtur veten.
Ka raste kur media i ka rënë në qafë pa të drejtë edhe ndonjë qytetari të thjeshtë a ndonjë familjeje! Sa keq! Por, sa të rralla janë këto raste. Pse pak i bie në qafë qytetarit nëpunësi i korruptuar! Pse nuk flasin për të! Pse pak e neglizhon qytetarin deputeti që as i bie ndër mend të shkojë në takim me elektoratin pasi ka marrë votën! Pse pak e neglizhon pacientin mjeku ose infermieri i pandërgjegjshëm kur as bëhet merak për cilësinë e shërbimit.
Pra, është e qartë që për dëmet dhe mangësitë e medias nuk duhen harruar shërbimet e saj. Imagjinoni një çast sikur mos kishte asnjë televizion, asnjë gazetë, asnjë portal! Qeveritarët do të ishin tërësisht jashtë vëmendjes qytetare, do të bënin çfarë të donin ata që kërkojnë vetëm turbullirë dhe errësirë! Pse pak raste korrupsioni ka vendosur media në vëmendje të qytetarëve duke i detyruar qeveritarët të lëvizin?
Ligji në fjalë shpifjen dhe fyerjen e lë në dorë të gjykohet në rrugë administrative nga AMA, ndërkohë që kodi penal këto i quan vepra ose kundravajtje penale. Si mundet që një agjenci administrative si AMA që kontrollohet nga partitë politike sepse të zgjedhurit e tyre janë atje, të japi drejtësi në vend të gjykatave që kushtetuta konsideron se janë të vetmet që mund t'a bëjnë këtë?
Kuptohet që gjykimi në AMA bëhet pa avokat, pa tre shkallët e drejtësisë, pa gjykues me formim si gjyqtarë, pa pjesëmarrjen e publikut dhe nga njerëz që sot janë e nesër ikin në punë të tyre pa mbajtur asnjë përgjegjësi për ndëshkimet e dhëna.
Pyetja shtrohet : A nuk shkatërrohet kështu e drejta qytetare për gjykim të drejtë?
Kryeministri deklaroi se ai për fyerjet që mund t'i bëhen nuk do të kërkojë ndihmën e AMA-s por do të shkojë në gjykatë!!! Por pikërisht këtu është puna!!! Na krijohen gjykata mbi gjykata, gjykata të ndryshme ku secili shkon ku i teket!!! Kryeministri mund të shkojë në gjykatë, por media me të cilën ai ka probleme mund të shkojë në "gjykatën" e AMA-s. Imagjinoni se çfarë konfuzioni!!!
Duket sikur jemi kthyer në Mesjetën europiane ku kishte shumë gjykata për të njejtën gjë, gjykatat e Kishës, gjykatat e fisnikëve, gjykatat e mbretit, gjykatat e byrgerëve të qytetit dhe nuk e merrte vesh njeri se ku do të gjykohej më parë. Por, kjo kohë ka kaluar tashmë bashkë me inkuizicionin!
Gjoja mbrohet qytetari, por media nuk merret ose merret fare rrallë me qytetarin. Cështja është të mbrohet pushtetari! Pushtetari nuk duhet fyer! Sigurisht! Por, qeveritari, nëpunësi, mund të quajë fyerje edhe kur media i thotë : Zotëri nuk je në krye të punëve! Qeveritari mund t'a konsiderojë shpifje. Shkon te AMA dhe i vendos një gjobë të mirë gazetarit!
Kush humbet në këtë rast? Gazetari, pushtetari apo edhe qytetari!?
Duke e gjykuar median nga një zyrë dhe jo nga një gjykatë, duke i dhënë kësaj agjencie publike që nuk është gjykatë të drejtën që ta detyrojë median t'a heqi një përmbajtje të caktuar, në këtë kuptim Shqipëria ribëhet me zyrë censure. Sikur ishte dikur kjo zyrë censure në Ministrinë e brendëshme të mbretit Zog, sikur ishte në komitetin qendror të partisë të punës, pra drejtoria e botimeve. Verjani emrin si të doni, zyra e censurës pavarësisht nga emri mbetet zyrë censure.
Më kujtohet një filozof që ka shkruar se shpesh, kur popujt nuk e tresin si duhet historinë e tyre, historia nuk është ndryshim i realitetit, por vetëm ndryshim i etiketave, i emrave me të cilat quhet i njejti realitet.
Jemi kthyer në fis!