Dvorani thirret si dëshmitar/ Presidenca: Kuvendi po e merr në mbrojtje

Premte, 20 December 2019 12:22

Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, do të thirret si dëshmitar para Komisionit Hetimor që është ngritur për Presidentin Meta.

Pasi miratuan shtesat në hetimin mbi ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga Presidenti, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, për të dëshmuar do të thërritet edhe Dvorani.

Ndaj tij, Presidenti ka ngritur një padi pasi e akuzon se ka shkelur Kushtetutën me dërgimin e të dyja listave për plotësimin e njëkohshëm të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

 Pas këtij vendimi reagoi edhe Presidenca përmes zëdhënësit Tedi Blushi.
 

Veprimet e fundit të komisionit parlamentar janë qartazi marrje në mbrojtje nga përgjegjësitë penale të z.Dvorani, i cili është kallëzuar në Prokurori për veprimtarinë e tij të mirëdokumentuar kriminale.

Ky “solidaritet” vërteton se krimet e z.Dvorani janë kryer në bashkëpunim.

Dihet botërisht respekti që ka për Komisionin e Venecias ky grup i strukturuar dhe i specializuar për dhunimin e Kushtetutës.

Ndaj veprimet e tyre fundit në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës nuk janë asgjë tjetër veçse një presion i qartë politik ndaj organit të akuzës.

Sa i përket shtyrjes së afatit të komisionit parlamentar, ne e kemi dhënë mendimin tonë: Punimet të shtyhen deri në 24 korrik 2022. Në këtë mënyrë deputetët e komisionit do kenë mundësi të përfitojnë akoma më shumë shpërblime financiare për çdo mbledhje,” tha Blushi.

Login to post comments