Shkeljet e Kuvendit për GJK/ Presidenti kërkon mendimin e Venecias

Premte, 20 December 2019 13:52

Komisioni Hetimor i ngritur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, ka miratuar sot kërkesën për një ekspertizë më të specializuar ndaj Komisionit të Venecias, për veprimet e Presidentit, në lidhje me vendimin e tij për të mos organizuar ceremoninë e betimit të Arta Vorpsit në postin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese.

Mirëpo pas këtij veprimi nga komisioni hetimor, presidenti Meta ka vendosur që ti përgjigjet flakë më flakë Kuvendit, duke iu drejtuar Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë.

 ‘Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese.’- njofton zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi.

Reagimi i zëdhënësit të presidentit, Tedi Blushi:

Nuk mund të frenojmë askënd, e aq më pak Kuvendin e Shqipërisë, të kërkojë këshilla miqësore apo të kundërshtojë në Komisionin e Venecias, Dekretin e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese në plotësim të vakancës së tij.

Shteti Shqiptar ka një marrëdhënie të konsoliduar me Komisionin e Venecias dhe institucionet që vendosin t’i drejtohen këtij organi këshillimor, duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë objektivisht dhe jo për përdorim politik.

Megjithatë nëse Kuvendi, do të vijojë me rrugën e zgjedhur dhe vërtet dëshiron të shterojë objektivisht këtë çështje, Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese.

Modifikuar më Premte, 20 December 2019 14:11
Login to post comments