Ndonëse nuk e përmendi specifikisht në fjalim paketën “antishpifje”, I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA-së, Daniel Koski, ishte shumë i qartë në mesazhet e dhëna sot kundër çdo përpjekje për të kontrolluar fjalën e lirë, edhe kur ajo është fyese.
Një prej drejtuesve kryesorë në Ambasadën Amerikane, Daniel Koski foli në konferencën e organizuar nga Avokati i Popullit me temë “Liria pa urrejtje-Liria e shprehjes përballë të të drejtave të tjera të njeriut”, duke vënë në pah rëndësinë që SHBA i jep lirisë së shprehjes.
“Ne amerikanët mbrojmë fjalën kritike, të çuditshme dhe fyese sepse toleranca është shenjë e forcës sonë. Duke lejuar fjalën fyese, përveç rasteve ekstreme, ne ngulim këmbë që shoqëria jonë të mos jetojë në frikën e fjalëve”, u shpreh zyrtari amerikan.
Daniel Koski u kujtoi shqiptarëve kohën e komunizmit, kur jetonin me frikën se çfarë pasojash mund të kishin nëse thonin fjalën e tyre. Ai kërkon që Shqipëria të mos kthehet më në makthin komunist.
“Shqipëria u zgjua nga makthi komunist i kontrollit të fjalës jo më larg se 30 vitet e fundit. Shumë prej jush e dinë shumë mirë se si është të jetosh me frikën e pasojave të paparashikuara të fjalëve të tua. Shumë prej jush u rritën në një shoqëri në të cilën një fjalë e thënë rastësisht mund të të çonte në burg, punë të detyruar dhe tortura. Ju nuk duhet të ktheheni më kurrë në atë shoqëri”, theksoi zyrtari i Ambasadës së SHBA.
“Përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes është kundër arsyetimi racional, është të shprehurit më shumë, jo më pak – zgjidhja ndaj urrejtjes janë më shumë lapsa, jo goma”, deklaroi Koski.
Mazhoranca socialiste votoi dy ditë më parë të ashtuquajturën “paketë anti-shpifje”, shumë e kundërshtuar nga shoqatat e gazetarëve, të cilat e konsiderojnë si vendim të Qeverisë për të kontrolluar median online dhe që nuk i jep zgjidhje lajmeve të rreme apo shpifje.