Meta: Serbia të ndalojë fushatat kundër integrimit të Kosovës

Diel, 22 December 2019 12:02

Intervistë e kreut të shtetit, dhënë për televizionin boshnjak “O Kanal”

Gazetari: Faleminderit zoti President për këtë intervistë. Unë e di se jeni në një gjendje emergjente në vendin tuaj, Shqipëri. Të gjithë e dimë numrin e viktimave. Me 51 viktima dhe shumë ndërtesa që u rrëzuan si do ecet përpara pas tërmetit?

Presidenti Meta: Më duhet t’ju falënderoj shumë për interesimin për Shqipërinë, dhe për zhvillimet e fundit në lidhje me tërmetin e tmerrshëm që goditi vendin tonë më 26 nëntor. Siç e thatë ju ishte shumë tragjik. 51 shqiptarë humbën jetën, shumë të tjerë u plagosën dhe shumë ndërtesa u rrënuan, shumë të tjera u dëmtuan dhe mijëra njerëz presin me padurim për t’u integruar në jetën e tyre normale, e cila do të marrë kohë.

Për momentin jemi përqëndruar në sigurimin e strehimit dhe shërbimeve të tjera të domosdoshme për të gjithë njerëzit, që nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke matur dhe llogaritur dëmet dhe nivelin e tyre, për sigurinë e shtëpive dhe ndërtesave, dhe shumë shpejt do të kemi një plan veprimi konkret për rindërtimin dhe rikuperimin e të gjitha pasojave nga ky tërmet.

 

Dua të falënderoj të gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Bosnjë-Hercegovinën, për solidaritetin e tyre, dhe mbështetjen për këtë tërmet.

Ky tërmet i tmerrshëm në Shqipëri tregon se sa e rëndësishme është puna dhe bashkëpunimi në nivel global dhe rajonal. Të gjitha vendet e rajonit duhet të jenë të vetëdijshme se gjithnjë e më shumë na duhet të përballemi me pasoja jo vetëm të tërmeteve, por edhe të përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore, ndaj duhet ta forcojmë bashkëpunimin se është e vështirë të kemi dikë që vjen më herët në ndihmë sesa vendet fqinje.

Gazetari: A jeni i kënaqur nga reagimi i qeverisë suaj këtu në Shqipëri pas tërmetit, si edhe i institucioneve të tjera këtu në Shqipëri?

Presidenti Meta: Të gjitha institucionet janë angazhuar menjëherë të përballen me pasojat dhe ato vazhdojnë të përmirësojnë mekanizmat e përballimit të këtyre pasojave. Shqipëria nuk është goditur nga një tërmet kaq shkatërrues prej një kohe të gjatë, por gjithashtu kemi parë dobësitë tona dhe besoj kemi nxjerrë mësimet e duhura se si t'i përmirësojmë ato në të ardhmen.

Ne jemi shumë të kënaqur me reagimin ndërkombëtar. Me reagimin e Kosovës, Maqedonisë Veriore, Serbisë, vendit tuaj, Malit të Zi, Kroacisë dhe vendeve të tjera të rajonit që u përgjigjën menjëherë, erdhën këtu dhe ofruan ekspertizën e tyre.

Gazetari: Ju thatë që llogaritjet janë në proces, llogaritjet e dëmeve, a ka ndonjë shifër se sa para i duhen Shqipërisë për të filluar rikuperimin, të filloni ndërtimin e shtëpive?

Presidenti Meta: Kjo do të vijë pas vlerësimit teknik sepse ne jemi në proces verifikimi, që është ende në vazhdim, dhe ka kategori të ndryshme të dëmeve dhe ndërhyrjeve që janë të nevojshme për rikuperimin e gjithë këtyre pasojave.

Sigurisht që ka një dëm të madh, por para së gjithash ata janë të përkushtuar të ndajnë burimet financiare vendase dhe gjithashtu të kërkojnë mbështetjen ndërkombëtare duke qenë se japin vlerësime shumë të besueshme dhe serioze.

Gazetari: Ka nisur një iniciativë së fundmi për një Mini-Shengen midis Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. A është kjo një mënyrë për të pasur bashkëpunim më të mirë në rajonin e Ballkanit apo jemi më mirë me marrëveshje të tipit CEFTA? Ka opinione nga më të ndryshmet...

Presidenti Meta: Ne kemi kaq shumë platforma rajonale bashkëpunimi. Çdo platformë rajonale bashkëpunimi, qëështë gjithëpërfshirëse, është e mirëpritur. Kjo duhet të ishte një parakusht për të promovuar dhe konsideruar iniciativa rajonale premtuese dhe të dobishme.

Iniciativa që ndihmojnë bashkëpunimin tonë janë gjithmonë të mirëpritura, por jo duke provokuar debate të panevojshme, duke u përpjekur për të margjinalizuar dikë ose një vend, apo t’i japësh protagonizëm dikujt tjetër.

Vetëm partneriteti dhe gjithëpërfshirja mund të rrisë besimin mes vendeve, mes njerëzve dhe mund të reduktojë dhe eliminojë të gjitha barrierat, qofshin ato legale, administrative apo burokratike në rajonin tonë.

Gazetari: Ju besoj se i njihni marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Si do ta komentoni marrëdhënien midis këtyre dy vendeve, por tani edhe shtetit të ri të Kosovës?

Presidenti Meta: Kam bërë maksimumin në karrierën time politike për të promovuar marrëdhëniet mes të gjitha vendeve në rajon, përfshirë edhe Serbinë.

Kam qenë Kryeministrii parë i Shqipërisë, që kam takuar asokohe ish-Kryeministrin e ndjerë, Zoran Gjingjiç në përpjekje për të krijuar një epokë të re marrëdhëniesh mes Serbisë dhe Shqipërisë, por në përgjithësi mes shqiptarëve dhe serbëve.

Gjithashtu, edhe në lidhje me Bosnjën kam bërë maksimumin tim në pozicionet e mëparshme që kam pasur si Kryeministër, Ministër i Jashtëm, Kryetar i Kuvendit dhe tani si President. E shikoj Bosnjën si një vend me rëndësi të veçantë për stabilitetin dhe besueshmërinë e të gjithë rajonit.

Ne e dimë që ka disa vështirësi, por ne shpresojmë dhe lutemi që këto vështirësi do të tejkalohen me maturinë e liderëve të vendit tuaj, sepse ka vetëm një rrugë për të gjithë qytetarët e Bosnjës, që të lihet pas një herë e mirë e shkuara e hidhur dhe kjo ështëbashkëjetesa dhe harmonia midis të gjithë atyre që jetojnë në Bosnjë-Hercegovinë, integrimi europian, dhe gjithashtu të pasurit marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet tuaja fqinje si Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi.

Në këtë drejtim, ne nuk mendojmë se jemi larg Bosnjës dhe ne mezi presim të përmirësojmë infrastrukturën.

Shpresojmë gjithashtu vendosjen e lidhjes ajrore direkte në mënyrë që të forcojmë marrëdhëniet tona në të ardhmen dhe të përfitojmë sa më shumë të jetë e mundur nga ky bashkëpunim dypalësh.

Gazetari: Një problem tjetër në rajon është taksa e Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Cili është mendimi juaj, kjo taksë duhet të qëndrojë apo duhet të hiqet?

Presidenti Meta: Kur ata vendosën të vinin taksën nuk më pyetën, por unë nuk jam pro shtimit të barrierave në marrëdhëniet midis vendeve në rajon, sepse e ardhmja duhet të jetë bashkëpunim i hapur dhe pa kufij dhe pa pengesa.

Ne të gjithë synojmë të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian. Ndaj shpresoj që Kosova të shqyrtojë sa më shpejt që të jetë e mundur mundësinë e përmirësimit të mëtejshëm të tregtisë dhe marrëdhënieve të përgjithshme, jo vetëm me Bosnjën, por edhe me Serbinë. Kjo do të ishte shumë e dobishme.

Gjithashtu nga ana tjetër, Serbia duhet të ndalojë këtë fushatë kundër integrimit të Kosovës në nismat rajonale ose institucionet ndërkombëtare. Siç është edhe për shembull anëtarësimi në Interpol.

Të gjithë në rajon janë të vetëdijshëm se krimi i organizuar është një nga problemet kryesore në të gjitha vendet tona dhe anëtarësimi i Kosovës në Interpol ndihmon bashkëpunimin, jo vetëm të Kosovës me Interpolin, por për të gjithë rajonin është një kontribut për të luftuar krimin e organizuar nga ky rajon.

Nuk e kuptoj pse Serbia do të merrte një pozicion të tillë, sipas meje, jo shumë të arsyeshëm dhe aspak konstruktive.

Sidoqoftë, unë besoj në dialog, në partneritet dhe shpresoj që së shpejti palët të ulen në tryezën e dialogut dhe ne jemi fuqishëm pro normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gazetari: Ne e nisëm këtë bisedë me një pyetje në lidhje me tërmetin dhe dëshiroj të përfundoj po me një pyetje në lidhje me tërmetin. A ka ndonjë informacion në lidhje me mundësinë për të pasur një tërmet tjetër?

Presidenti Meta: Unë nuk jam shkencëtar, por do të isha shumë i kujdesshëm për rrezikun e tërmeteve në Shqipëri dhe rajon, sepse nëse ndjekim me vëmendje të gjitha këto zhvillime dhe këtë frekuencë të tërmeteve në vendet e tjera si Greqia, Italia, etj. Bosnja, etj., është e qartë se jemi në një zonë shumë të ndjeshme.

Unë kam studiuar për ekonomi dhe një nga lëndët kryesore të studimit të ekonomisë është statistika dhe probabiliteti. Në bazë të kësaj, ne duhet të jemi gjithmonë të përgatitur për t'u përballur me një emergjencë të tillë civile, sepse nuk mund ta parashikojmë saktësisht, por duhet të jemi përgjegjës dhe vizionarë.

Asnjëherë nuk dëshirojmë që të ndodhë në asnjë vend të botës, por nëse ndodh duhet të jemi të gatshëm të përballemi me të gjitha pasojat, sepse përgjegjësia e liderëve nuk është të qahen në momente të tilla, por të udhëheqin dhe të komandojnë këtë operacion. Të inkurajojnë, t’u japin shpresë njerëzve, duke pasur gjithmonë ekipe shumë profesionale të shpëtimit dhe reagim shumë të mirë-organizuar dhe të centralizuar në raste të tilla.

Gazetari: President Meta, ju faleminderit shumë!

Presidenti Meta: Është kënaqësi e madhe që ju kemi këtu dhe dua të përshëndes të gjithë ndjekësit e televizionit tuaj dhe qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës.

Më pëlqen vendi juaj! Ju keni një vend shumë të bukur, sepse unë jam nga origjina malësor. Unë kam lindur në një mal në jug-lindje të Shqipërisë dhe kjo është arsyeja pse më pëlqejnë edhe malet tuaja, peizazhet fantastike dhe mikpritja e njerëzve në Bosnjë.

Gazetari: Ju faleminderit dhe shpresojmë të shihemi së shpejti në Sarajevë…

Presidenti Meta: Mezi pres të vij në Sarajevë. Një nga vendet ku unë urrej të shkoj me aeroplan dhe më pëlqen të shkoj me makinë është Bosnjë-Hercegovina, sepse gjatë rrugës mund të shijosh natyrën, është shumë ebukur.

Modifikuar më Diel, 22 December 2019 13:37
Login to post comments