Ish kryeministri Berisha uron 30 vjetorin e LDK

Hënë, 23 December 2019 21:30

Nga Sali Berisha
Një urim të përzemërt!
Sot 30 vjetori i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës!

Dite historike për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar!

Të dashur miq, sot 30 vjet më parë kolosi i politikës shqiptare, prijësi i pavdekshëm i Kosovës dhe arkitekti i pavarësisë së saj, Dr. Ibrahim Rugova dhe bashkëpuntorët e tij themeluan në kushtet e terrorit të egër të pushtuesve serbomedhenj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, forcën e parë antikomuniste jo vetëm në botën shqiptare, por edhe krejt Ballkanin e diktaturave komuniste.

Fill pas themelimit të saj, LDK dhe kryetari i saj Dr. Ibrahim Rugova nisën ndërtimin e institucioneve paralele, parlamentit, presidencës, qeverisë, ushtrisë, diplomacisë, financave etj., të shtetit të shqiptarëve të Kosovës.

Presidenti Ibrahim Rugova dhe qeveria e tij realizuan me sukses të veçantë përfaqësimin dhe ndërkombëtarizimin dhe vendosjen për zgjidhje të çështjes së drejtë të popullit të Kosovës në axhendën e Shtëpisë së Bardhë dhe kongresit të SHBA dhe kancelarive të mëdha të vendeve të lira perëndimore. Në të gjitha përpjekjet e tyre kombëtare dhe ndërkombëtare ata patën mbështetjen e palëkundur të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe shtetit demokratik shqiptar.

Pas çlirimit, Presidenti Rugova dhe LDK do të luanin rol kryesor në udhëheqjen e Kosovës në rrugën e ndërtimit të shtetit të saj demokratik dhe shpalljen e pavarësisë së saj. Sot ajo vazhdon të mbetet forcë e besimit masiv të qytetarëve të Kosovës, garanci e të ardhmes së saj europiane.

Prandaj ju ftoj të dashur miq të përulemi me nderimin dhe mirënjohjen më të thellë para veprës së pavdekshme të Presidentit Rugova dhe bashkëpuntorëve dhe mbështetësve të tij si dhe t’ju dërgojmë ne sot Kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, udhëheqjes dhe të gjithë anëtarëve e mbështetësve të LDK-së, urimet tona më të përzemërta në këtë përvjetor dhe suksese gjithnjë e më të mëdha.

Urime!

Login to post comments