Vuçiç merr në mbrojtje Ramën: Ka kurajë, bashkëpunon me ne pa na u dashur që të kërkojmë falje për Kosovën

Tuesday, 24 December 2019 11:28

Ndërkohë që në të dy shtetet shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë, po zhvillohet një debat i zjarrtë që ka në qendër qëndrimet e kryeministrit Edi Rama, në lidhje me lidershipin e Kosovës dhe mini-shengenin ballkanik, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic, ka marrë në mbrojtje mikun e tij. Në një intervistë për televizionin beogradas ‘O2’, Vuçiç ka deklaruar se Edi Rama po tregon kurajë të madhe, për të ecur përpara me projektin e `shengenit të vogël` në Ballkan, pavarësisht kundërshtive të shumta në vendin e tij dhe në Kosovë.

Madje presidenti serb ka shkuar deri aty sa ka zbuluar se këtë Edi Rama, ‘po e bën pa na u dashur që të kërkojmë ndjesë për genocidin në Kosovë’.  ‘Kryeministri Rama është në favor të bashkëpunimit tonë ekonomik, ndryshe nga disa të tjerë në rajon që këmbëngulin se ne duhet vetëm të kërkojmë ndjesë pasi jemi popull genocidal. Rama, për nismën e Shengenit të vogël, ka treguar kurajë të rrallë’, ka deklaruar Vuçiç.

Gjithashtu ai ndryshe nga deklaratat e Ramës, i cili thotë se faktori ndërkombëtar qëndron pas kësaj nisme ka thënë, se qarqe të caktuara në BE e shohin me dyshim këtë projekt. ‘Atyre (BE) nuk u pëlqen që Ballkani po sheh punën e vet, e kanë të vështirë kur nuk vendosin dot për ne. Por nga ana tjetër as nuk mund ta kundërshtojnë drejtpërdrejt sepse iniciativa është pjesë e katër lirive dhe vlerave që përbëjnë Bashkimin Europian, dhe që janë e drejta e lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitalit, shërbimeve dhe produkteve’, ka deklaruar presidenti serb.

Modifikuar më Tuesday, 24 December 2019 19:38
Login to post comments