Gjinushi i padekretuar dhe i papranuar nga opinioni shkencor, ngatërron me dashje drejtimin e partisë së tij me drejtimin e Akademisë. Pa konkurrim, pa parime e standarte, pa konsultime në të gjitha nivelet, pa kritere shkencore, me një grusht besnikësh politikë ka bërë emërimin e Komisioneve dhe drejtuesve të tyre.
E kjo është, as më shumë e as më pak, çimentosje e uzurpimit dhe fundosje e akademizmit. Ajo që bie në sy është nepotizmi politik majtist e familjar po i tillë, duke klonuar kështu Akademinë e dikurshme moniste.
Në Shqipëri tani nuk trashëgohet vetëm prona, jo. Trashëgohet dhe Akademia. Aty tani gjen djalin ose vajzën, pse jo dhe dhëndrin, e X-it ose Y-it, të kohës “së qepës”, jashtë çdo kriteri diplomimi, titulli apo standarti.
Gjinushi është treguar dhe “kodosh i madh”. Me disa emërime të vogla, të parëndësishme, kërkon të bërtasë nesër se ka emëruar dhe nga krahu i kundërt politik. Sepse ky është mentaliteti i tij për akademinë. Mentalitet krejtësisht politik.
E ka bërë për të mbuluar “qokat” e mëdha politike që vijnë me urdhër nga lart.
Ndër të tjera bie në sy emri i Thomas Frashërit, ish-shefi i protokollit të Ramës, i graduar pak më parë “persekutori i AKEP”, i cili do të jetë dhe dora e zgjatur e hekurt e Ramës, për t’i mbyllur gojën fjalës së lirë të mediave online, sipas paketës anti-shpifje.
Për “merita të veçanta”, pa titull shkencor përkatës, por për shërbime politike, katapultohet dhe në Akademi.
Ish-shefi i stafit të një tjetri hierarku majtist Gramoz Ruçit, Bajraba futet në komisionin e sociologjisë pa pasur drejtimin e duhur të diplomimit, por ama ka drejtimin e duhur politik.
E kështu me radhë, çfarë nuk gjen aty brenda të së ashtuquajturës tanimë Akademi të Gjinushit se e Shkencave vështirë ta thuash. Jo vetëm kaq. Vendimet e Gjinushit shkojnë akoma më larg.
Në petkun e përshtatjes së Akademisë me tendencat e kohës, por realisht për të diktuar rrjepjen e parasë publike, ngre njësi kërkimi që dublojnë institucionet ekzistuese dhe i atashon kompetenca ekstra akademike.
Njësia e kërkim-studimit p.sh. në fushën e gjeofizikës e sizmiologjisë, kërkon të tejkalojë e të rrëmbejë kompetencat e Institutit të Gjeoshkencave.E njëjta gjë ka ndodhur dhe me njësinë e nanoshkencës dhe nanoteknologjisë.
Në vend të vetullave Gjinushi po i heq sytë Akademisë, për hir të politikës dhe interesave anti-shkencë.