Nga Andi Bushati
Të hënën në mbrëmje, në emisionin “Open”, i gjendur përballë zv/kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, i bëra atij një pyetje të thjeshtë: “Po bëhet shumë zhurmë në Tiranë lidhur me faktin se ideja e mini Shengenit përkrahet nga BE. A mund të na thoni ju që jeni i përfshirë në këtë proces, se nga kush mbështetet konkretisht”?
Nevoja për të sqaruar këtë pikë më vinte për disa arsye.
E para se kështu u spekulua për një kohë të gjatë edhe për marrëveshjen e ndarjes së Kosovës, sikur gjoja pas saj qëndronin amerikanët.
E dyta sepse shumëkush e ka etiketuar mini Shengenin si një karshillëk ndaj dështimit për të përparuar drejt BE.
Dhe e treta sepse Edi Rama është angazhuar në një propagandë të shfrenuar për mbrojtjen e idesë, që po çon përpara sëbashku me Vuçiçin, duke e paraqitur atë si një plan të dakortësuar me SHBA dhe BE.
Përgjigjja që mora ishte shumë më befasuese se sa e prisja. Me një seriozitet solemn, zoti Osmani tha: “Po, gjithçka është dakortësuar në Bruksel, nga Këshilli i koordinimit të Majlinda Bregut”.
Pra sipas tij, europiania kryesore që e paska mbështetur këtë nismë, paskësh qenë ish deputetja disidente e PD, që qeveria shqiptare e mbështeti për të marrë postin që mban.
Më shumë sesa ky pohim, do të kuptoja nga intervista që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, jepte të hënën në të njëjtën kohë në televizionin “O2”. Përgjigjet e tij qenë pa ekuivoke. Ai e ngritne në qiell Ramën se nuk po sillej si liderët kosovarë dhe përgëzonte vullnetin e kryeministrit tonë për të çuar me guxim përpara një ide, që nuk kishte një përkrahje entusiazte nga kryeqytetet europiane. Dhe si për të përforcuar këtë ngurim të Europës, Vuçiç shtonte: “Shumëkush në Europë nuk dëshiron që ballkanasit të vendosin për fatin e tyre”.
Pra dilema është e qartë: Kush gënjen, Vuçiç që thotë se Europa nuk do që ai me Ramën të vendosin vetë, apo kryeministri shqiptar që pretendon se mini Shengeni ka përkrahjen e plotë të Brukselit (shpresojmë mos i referohet thjeshtë Majlinda Bregut)?
Natyrisht, si “shqiptarë të mirë”, ne nuk kemi pse i marrim për 100% të vërteta thëniet e presidentit serb (ndonëse ai na foli më hapur edhe kur na tha troç se ideja e ndarjes së Kosovës ishte e tija).
Ne jemi në të drejtën tonë të besojmë se mund të jetë ai dhe jo Rama duke gënjyer këtë herë. Atij mund t’i volisë që për interesa të brendshme, për t’i folur elektoratit të vet antiperëndimor, të lërë të kuptohet se mini Shengenin e ka nisur si një inisiativë anti europiane.
Por, në këtë rast pak rëndësi ka se kush gënjen.
Me interes është një pyetje tjetër: A mund të merret seriozisht një proces përafrimi ku Rama i flet krejt ndryshe shqiptarëve dhe Vuçiç u prezanton komplet të kundërtën serbëve? A mund të ndërtohet besimi tek dy liderë, që deri dje pikturonin një rajon më të mirë, duke përforcuar kufijtë etnikë dhe duke ngritur mure, ndërsa sot predikojnë merkullinë duke rrëzuar kufijtë dhe muret?
Natyrisht, besimi tek këta dy autokratë është zero dhe të gjithë e kanë kuptuar se ata janë të gatshëm të luajnë çdo lojë, boll që të ruajnë, me ndihmën e njëri- tjetrit, skeptrin e liderit të madh që vendos për Ballkanin. Dhe pikërisht se procedojnë në këtë mënyrë, ata shkatërrojnë kredibilitetin e çdo nisme që ndërmarrin, madje edhe të atyre që besojnë tek katër kolonat e lëvizjes së lirë, por nuk janë dakort me mënyrën banale se si po iu shitet ajo. /Lapsi.al