Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për ish- kandidatin për kryetar të bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri, i cili akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Mësohet se Pjetri rrezikon dënimin deri ne tre vite burg si dhe mos ushtrim për një kohë të caktuar të funksioneve publike.
Pjetri ka shpëtuar nga hetimi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, sepse nuk cilësohet zyrtar i lartë pasi nuk arriti ta merrte detyrën.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ish-kandidati për kryebashkiak i Shkodrës, rezultonte i dënuar në Itali në vitin 2003.
Mirëpo vërtetimi i këtyre akuzave ka vonuar disa muaj. Shkak janë bërë të dhënat e tij për identitetin pasi në momentin e arrestimit Pjetri ishte prezantuar me emrin ‘Valdrim’.
Më tej, kanë qenë gjurmët e gishtave që e kanë nxjerrë zbuluar, pasi kanë rezultuar të njëjtat.
Kujtojmë që ish-kandidati për kryebashkiak i Shkodrës, ishte arrestuar në flagrancë nga policia e Firences në datën 27 janar të 2003, bashkë me një shtetas tjetër shqiptar.
Ndërkohë sipas organit qëndror të akuzës, Pjetri u dënua nga gjykata e Firences për veprën penale “Mbajtje e paligjshme e lëndëve narkotike në bashkëpunim”.
Sipas Gjykatës së Firences, subjekti Valdrin Pjetri u dënua me vendim të formës së prerë përfundimisht me 18 muaj burg dhe me gjobë të barabartë me 1.000 Euro. Por dënimi u pezulla dhe Pjetri dëbohet me urdhër të Prefektit të Firences nga territori Italian më datë 04 shkurt të 2003 masë e marrë nga Prefekti i Firences. Sipas shkresës, afati i dëbimit përfundoi më datë 2 prill 2015.