Konflikti Meta-Dvorani/ Avokati i Popullit, padi kundër KED në Gjykatën Administrative

Premte, 03 Janar 2020 18:01

Nga Boldnews.al

Avokati i Popullit ka formalizuar, me një padi, kundërshtimet mbi mënyrën se si ka vepruar Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për listat e vakancave për në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, një çështje që përfshiu në konflikt të ashpër institucional Presidentin e Republikës, Ilir Meta dhe kreun e KED, Ardian Dvorani.

Në ditën e fundit të vitit 2019, në 31 Dhjetor, Gjykata Administrative e Apelit ka regjistruar padinë e Avokatit të Popullit, kundër Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Objekti i padisë është shfuqizimi i neneve të caktuar në disa vendime të KED-së, që lidhen me procedurat e shqyrtimit, diskutimit dhe dërgimit të listave drejt institucioneve të emërtesës për vendet vakante në Kushtetuese dhe për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Gjykata Administrative e Apelit njofton se e ka regjistruar çështjen dhe shorti për shqyrtimin e saj ka përzgjedhur gjyqtaren Enkelejda Softa (Metaliaj).

Momenti më i rëndësishëm në padinë e Avokatit të Popullit është kërkesa për shfuqizimin e pikës 80 të Vendimit nr.5 datë 2.04.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi “Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykaten Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.

Përplasja Meta-Dvorani
Aplikimi nga KED i kësaj pike, e cila është tërësisht në kundërshtim me parashikimet Kushtetuese, shënoi kulmin e përplasjes ndërmjet kreut të Shtetit, Ilir Meta dhe drejtuesit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, konflikt që tashmë është në dyert e Prokurorisë së Tiranës.

Kushtetuta parashikon që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u dërgon institucioneve të emërtesës, e konkretisht Presidentit të Republikës, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë, listat për vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, sipas rendit të emërimit; i pari Presidenti, i dyti Kuvendi, i treti Gjykata e Lartë e në vijim me të njëjtën formulë.

Kushtetuta parashikon gjithashtu se, në rast se institucionet e emërtesës nuk emërojnë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese brenda 30 ditëve, atëherë vakanca plotësohet automatikisht nga kandidati i renditur i pari në listën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Dvorani, nuk ndoqi parashikimet kushtetuese në dërgimin e listave. Ai, me iniciativën e tij, pra pa një vendim kolegjial të KED-së, u dërgoi Presidentit dhe Kuvendit listat e plota për të gjithë vendet vakante (nga 3 vende vakante për secilin nga këto institucione).

Kjo formë jo-kushtetuese nxiti një përplasje mes Presidentit dhe Kuvendit.

Meta, duke ndjekur parashikimet e Ligjit Themeltar, emëroi një prej kandidatëve-Besnik Muçin-ndërkohë që ishte në pritje që Kuvendi të zgjidhte në anëtar tjetër, para se Presidenti të zgjidhjet anëtarin e radhës.

Ndërkohë, Kuvendi, nga ana e tij, shtyu procedurat për zgjedhjen e anëtarit-Fjona Papajorgji-në limitet e afatit 30 ditor. Në të njëjtën seancë, Kuvendi, duke konstatuar në një mënyrë “të çuditshme” se Presidentit i kishte kaluar afati për zgjedhjen e anëtarit të dytë, konkludoi se vakanca e paplotësuar nga kreu i Shtetit duhet të mbushej me emrin e kandidates së renditur e para në listën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Arta Vorpsi.

Presidenti Meta nuk e pranoi këtë zgjidhje. Ai, duke akuzuar Ardian Dvoranin për “shkelje kushtetuese”, emëroi si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, kandidaten Marsida Xhaferllari.

Kjo përplasje kushtetuese dhe mes institucioneve më të larta shtetërore, mori përmasa komike, kur, kandidatja e sugjeruar nga Parlamenti, Arta Vorpsi, u betua para noterit, për faktin se Presidenti nuk e konsideronte aspak si të zgjedhur. Gjithësesi, ky zhvillim nuk ndikoi në emërimin e Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese.

Pas kësaj përplasjeje, Meta kallëzoi penalisht Dvoranin për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim të titullit a detyrës”.

“Ndërhyrja” e Avokatit të Popullit
Pas këtij konflikti, Avokati i Popullit duket se synon që të vendosë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese në brazdat ligjore, duke kërkuar nga Gjykata Administrative e Apelit pikën e Vendimit që vuri në pozita luftarake Presidentin dhe kreun e KED-së.

Avokati i Popullit kërkon gjithashtu edhe shfuqizimin e një serie pikash të Vendimeve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilat e përjashtojnë nga pjesëmarrja si vëzhgues në procesin e diskutimeve dhe vendimmarrjes për vakancat në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Kushtetuta i ka dhënë një rol të posaçëm Avokatit të Popullit në procesin e plotësimit të vakancave, duke i caktuar statusin e vëzhguesit dhe raportuesit për të gjithë fazat e procesit.

Por, në disa Vendime specifike, KED përjashton Avokatin e Popullit nga momenti i diskutimeve për kriteret e kandidatëve, pikëzimin dhe renditjen përfundimtare të tyre.

Për këtë arsye, kur Gjykata Kushtetuese ka edhe të paktën 5 vakanca për t’u plotësuar, Avokati i Popullit kërkon ndërhyrjen e Gjykatës Administrative të Apelit për të nxitur kushtetutshmërinë dhe rregullshmërinë në aktivitetin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Login to post comments