Po e humbet BE Ballkanin?

Diel, 05 Janar 2020 12:10

Me “lodhjen nga zgjerimi”, BE po humbet mjaft nga influenca e saj në rajonin e Ballkanit. Aktorë të tjerë duan t‘i joshin këto vende, shkruan dpa. Por a mundet ta zëvendësojnë ata BE-në? Pyesni rininë, thotë një ekspert.

***

Viti 2019 nuk ishte një vit i mbarë për njerëzit në periferinë e Bashkimit Europian, në Europën Juglindore. Ndryshe nga sa premtoi, BE në samitin e tetorit nuk dha dritën jeshile për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa në një analizë për gjendjen në Ballkan me fillimin e këtij viti. Franca dhe vende të tjera dolën kundër tyre.

Rreziku i thyerjes së besimit

Në Serbi dhe Malin e Zi, dy vende që i kanë çelur ndërkohë negociatat, janë forcuar tendencat autoritare të forcave qeverisëse. Presioni ndaj intelektualëve dhe mediave kritike është rritur. Gjendja në Shqipëri nuk është më e mirë, një vend ky jo shembull demokracie, shkruan dpa. Në nëntor Shqipëria u trondit nga një tërmet i rëndë me dhjetëra viktima. Por „Jo-ja” e bisedimeve të anëtarësimit ishte shumë e rëndë. Në Maqedoni kjo solli zgjedhje të parakohshme që do të mbahen më 12 Prill.

Në rajonin e Ballkanit mosçelja e negociatave shihet si thyerje e besimit, si shprehje kërcënuese e „lodhjes nga zgjerimi” në vendet bazë të BE. Në një kohë që BE kishte vendosur në samitin e saj në Selanik në vitin 2003, se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë perspektivën e anëtarësimit. Por deri më tani, kësaj ia ka dalë vetëm Kroacia, që u anëtarësua në vitin 2013. Për vendet e tjera të Ballkanit perspektiva po sfumohet në horizont, shkruan dpa, madje ato rrezikojnë ta humbasin atë, por a po rrezikon edhe vetë BE humbjen e Ballkanit?

Tentativat ruse, kineze dhe turke

Alternativa të tjera, si Rusia, Kina apo Turqia janë në pritje. „BE ka lënë një vakuum, të cilin Rusia e mbush me dëshirë”, thekson Sonja Biserko, që drejton në Beograd Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. „Kina vjen nga ana tjetër me shumë para, që ofrohen në formë të kredive, pa standarde dhe pa kritere.”

Kurse Moska i jep mbështetje sidomos Serbisë, që nuk do ta pranojë humbjen e Kosovës. Dihet, se Moska bllokon me veton e saj pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Kurse në Bosnje-Hercegovinë, Rusia mbështet burrin e fortë të serbëve boshnjakë, Milorad Dodik, shkruan dpa. Në këtë vend të shkatërruar nga lufta në vitet 1992-1995, Dodik paralizon zhvillimet me qëndrimet e tij separatiste. Pa harruar Malin e Zi, ku në tetor 2016, një puç i organizuar nga agjentë rusë, por i dështuar, do të duhej të pengonte anëtarësimin e vendit në NATO.

Qëllimi i Rusisë, thekson dpa, është që të krijojë në Ballkan një „brez të vendeve neutrale nga ana ushtarake”, ka thënë ambasadori rus në Shkup, siç duket edhe nga dokumente të brendshme të Ministrisë së Jashtme në Shkup nga viti 2017. Por Moska nuk mundi ta ndalë anëtarësimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Serbia e përjashton anëtarësimin pas bombardimeve të vitit 1999. Në Bosnje, Dodik përpiqet të pengojë çdo afrim me aleancën veriore-atlantike.

Kina nga ana e saj me strategjinë e „Rrugës së Re të Mëndafshit” ndjek interesa ekonomike me konceptin e saj ndërkontinental. Ballkani ka rolin e një zone tranziti në këtë kontekst. Pekini ka arritur të marrë shumicën e aksioneve në portin e Pireut, dhe po modernizon hekurudhën mes Beogradit dhe Budapestit. Projektet financohen me kredi jo edhe aq të lira nga bankat shtetërore kineze. Firmat kineze i marrin në dorë ato, shpesh edhe me punëtorë „të importuar” nga Kina. Bilanci i krijimit të vlerës për këto vende kredimarrëse është i dobët. Mali i Zi rrezikon për shkak të një autostrade të financuar nga Kina të futet në borxhe të rrezikshme.

Edhe Turqia me presidentin e saj autokrat, Recep Tayyip Erdogan kërkon afrimin me aktorët e politikës myslimane, por jo vetëm me ta. Partia, SDA që kontrollon kryesisht pjesën boshnjake-myslimane e nderon Erdoganin si fatsjellës. Por edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka marrëdhënie të mira me Erdoganin. Interesat e Erdoganit janë kryesisht ekonomike: një treg për mallrat turke. Nga ana tjetër ai kërkon të rrisë edhe influencën gjeopolitike.

Vërtet po e bëjnë për vete Ballkanin Rusia, Kina dhe Turqia?

„Sigurisht entuziazmi në rajon për BE po ftohet dukshëm”, thotë Florian Bieber, Profesor në Institutin e Europës Juglindore në universitetin e Gracit. „Por duhet thënë edhe tjetra, se aktorë të jashtëm si Rusia e Kina nuk kanë shumë për të ofruar. Elitat shpesh të korruptuara dhe autoritare të Ballkanit do t’i pranonin projektet e tyre me dëshirë, jo vetëm që të pasurohen me to. „Por po të shikosh investimet e tyre, krahasuar me ato të BE atëherë ato nuk e kanë atë rëndësi”, thekson politologu, Florian Bieber për dpa.

Bieber përmend edhe një faktor tjetër për të theksuar rëndësinë e BE. Mjafton të pyesësh të rinjtë në Ballkan, se ku do donin të jetonin, thotë ai. „Ata nuk do të përmendin Pekinin, Stambollin apo Shën Peterburgun, por Berlinin ose Vjenën.”

Login to post comments