Virusi i gripit, ministria: Shmangni radhët tek Urgjenca, janë katër poliklinika 24 orë hapur

Tuesday, 07 Janar 2020 10:41

Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë,  inspektoi dje qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, e cila qendron 24 orë hapur për të përballuar fluksin e pacientëve në sezonin e dimrit.

Ministrja tha se “në qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, e cila ofron shërbim 24/7 për urgjencat pediatrike, ka staf të kualifikuar. Në këtë moment kur ka nisur të rritet intensiteti i qarkullimit të gripit, nuk është e nevojshme që prindërit t’i dërgojnë fëmijët menjëherë në spital, pasi janë 3 qendra shëndetësore në Tiranë, QSh 10 tek #Oxhaku, QSh 8 në ish-Bllok, QSh 7 në Laprakë dhe së shpejti QSh Kombinat që ofrojnë shërbim 24/7 për fëmijët.

Virusi i gripit, sipas sistemit të survejancës ka një intensitet mesatar, me tendencë rritje, ndaj ne i jemi përgjigjur kësaj situate me garantimin e shërbimit shëndetësor 24 orësh në 7 ditë të javës në qendrat shëndetësore të Tiranës, ku edhe fluksi është më i lartë."

Për të shmangur radhët e gjata tek urgjenca e Pediatrisë në QSUT,  ministrja theksoi se  “të gjitha shërbimet përkatëse që sot merren në QSUT apo deri dje janë marrë në QSUT do të vijojnë të merren në këto qendra shëndetësore. Mjekët janë të kualifikuar, kemi marrë masa për furnizimin me barna dhe material mjekësore”.

 

Për të gjithë prindërit në  Tiranë, shërbimi mjekësor për urgjencat pediatrike ofrohet edhe gjatë natës, pa patur nevojë të shkoni në spital 

Shërbim 24/7 për fëmijët në:
Qendrën shëndetësore nr.10 tek oxhaku
Qendrën shëndetësore nr. 8 në ish-bllok
Qendrën shëndetësore nr. 7 në #Laprakë
Qendra shëndetësore Kombinat

Login to post comments