Nga Agron Duka -
Hoqëm dorë nga mandate e privilegje, por jo nga morali. Nuk u bëmë paterica të një pushteti që çdo ditë e më shumë po çon vendin drejt humerës. Për të shmangur keqkuptimet mbi intervistën që gazeta Panorama propozoi të ‘copëtuar’, po publikoj këtu intervistën integrale!
Prej muajsh opozita e bashkuar ka ngritur grupin e punës për reformën zgjedhore. A ka tashmë opozita një alternativë të vetën për ta prezantuar?
Jemi drejt finalizimit të punës së përbashkët. Sigurisht pala tjetër nuk ka të njëjtin problem me ne, pasi dihet që vendimmarrja është e përqëndruar në duart e një personi, ndërsa ne duhet të rakordojmë atë që është fronti më i gjerë opozitar i krijuar ndonjëherë. Megjithatë brenda këtij muaji do t’ju njohim me propozimin tonë.
2- A keni një dakordësi me partinë demokratike për ndryshimin e sistemit zgjedhor?
Kjo është sigurisht pjesa që gëzon më shumë vëmendje, ndoshta sepse është ngritur një frymë që fajëson më shumë sistemin sesa individin. Diçka që në opinionin tim rezikon të relativizojë përgjegjësitë e kryministrit apo politikanëve të caktuar. Sidoqoftë brenda opozitës është duke u debatuar mbi këtë çështje, e cila do të marrë një përgjigje brenda këtij muaji.
3- Çfarë sistemi propozoni ju dhe cili është më i miri për vendin tonë?
Personalisht kam qenë përherë mbështetës i sistemit të miksuar, maxhoritar me korrektim proporcional, siç ishte sistemi përpara ndryshimeve të 2008-ës. Por jam i hapur ndaj çdo sistemi që vendos në raport të drejtë garën dhe përfaqësimin real të zgjedhësve. Flitet shumë për një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, për disa parti alternative duket si i përshtatshëm, por duhet të kemi parasysh edhe aplikimin në realitetin tonë si dhe sa qëndrueshmëri kanë qeveritë e zgjedhura me këtë sistem. Këto janë pyetje që kërkojnë një përgjigje shteruese, sepse duhet që qytetarët të jenë të informuar për të ardhmen që i pret me një sistem apo tjetrin dhe si do të preken jetët e tyre nga këto ndryshime.
4- A garanton kodi aktual zgjedhje të ndershme?
Nëse ne si klasë politike do të kishim përvetësuar rekomandimet e OSBE/ODIHR qysh prej zgjedhjeve të viti 2013, situta do të ishte shumë ndryshe. Mungesa e vullnetit politik, për t’i dhënë zgjidhje problemeve zgjedhore, ka bërë që besimi te zgjedhjet të jetë përherë e më i cunguar. Nga kjo pikëpamje besoj që nëse do të kishte vullnet politik, kodi aktual do të ishte i mjaftueshëm, mjafton respektimi i tij. Megjithatë jemi në një moment të ri politik, jo vetëm kemi institucionet e reja të drejtësisë që do të hetojnë edhe krimin zgjedhor, por kemi edhe kushtet e Bundestagut, të cilat janë në linjë me opozitën për sa i përket krimit zgjedhor. Zbatimi i 9 kushteve dhe fundi i ndëshkueshmërisë do të jenë një garanci për zgjedhjet e ardhshme.
5- A do të pranonit të futeshit në zgjedhje të parakohshme edhe me kodin aktual zgjedhor?
Sikurse thashë më sipër, jemi në një moment të ri politik, sytë e Europës dhe SHBA-ve janë te procesi i zgjidhjes së krizës dhe krijimi i standardeve zgjedhore. Kjo e bën më të vështirë ndërhyrjen e krimit në zgjedhje. Ndonëse nuk kemi një kundërshtar që luan sipas rregullave, aksioni denoncues i opozitës ka krijuar kushtet që zgjedhjet e ardhshme të jenë sa më pranë standardeve perëndimore. Prandaj ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje që nesër sepse, në një farë mënyre, kemi neutralizuar lidhjet e politikës me krimin. Sigurisht presim që drejtësia të çojë deri në fund hetimet për dosjet 184 dhe 339, pasi do të ishte një paradoks i madh nëse një nga personazhet e përgjimeve, në kuadër të presidencës shqiptare të OSBE-së, të shkojë dhe të monitorojë zgjedhjet në një shtet anëtar.
6- Cila është rruga e duhur sipas jush për depolitizimin e administratës zgjedhore?
Zgjidhja më efikase dhe më e shpejtë është teknologjia. Njërëz teknik që monitorojnë procesin, por që nuk numërojnë votat, janë alternativa ndaj ushtrisë së militatëve që zgjasin duart mbi të ardhmen e shqiptarëve.