Partia Demokratike po punon dhe shumë shpejt do provojë për opinionin publik se Edi Rama i Mallakastrës ka të shkuar kriminale dhe në bazë të ligjit të dekriminalizimit nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik.
Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi në një dalje për mediat nga selia blu, ku akuzoi kryebashkiakun e Mallakastrës Qerim Ismailaj se ka shkelur ligjin e dekriminalizimit dhe ka fshehur të kaluarën e tij kriminale.
DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI
Të dashur bashkëqytetarë,
Sot, Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e të kaluarës kriminale të Edi Ramës së Mallakastrës. Sipas të dhënave të mbledhura nga PD, Qerim Ismailaj, rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik. Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar në Greqi dhe më pas është dënuar dhe dëbuar në periudhën 1999-2000.
Ky është rasti i katërt, pas atij të Shkodrës, Vorës, Vaut të Dejës që konfirmon se Edi Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit të organizuar dhe ndan pushtet politik me krimin e organizuar. Njëlloj si Valdrin Pjetri, Agim Kajmaku apo Babani i Vaut të Dejës edhe Edi Rama i Mallakastrës u përbetua sot para mediave se nuk ka patur asnjëherë probleme me drejtësinë në Greqi.
Në fakt ky është një mashtrim. Ai njëlloj si Edi Rama e di mirë se ka të shkuar kriminale dhe se është i dënuar në shtetin grek. Partia Demokratike po punon dhe shumë shpejt do të provojë për opinionin publik edhe zyrtarisht se Edi Rama i Mallakastrës ka të shkuar kriminale dhe se në bazë të ligjit të Dekriminalizimit nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik.
Në fakt kjo nuk është detyrë as e Partisë Demokratike dhe e asnjë partie politike në vend, detyrë për të zbatuar ligjin e Dekriminalizimit e ka në radhë të parë njeriu që i kandidon këta kriminelë në pozicione publike dhe pas tij organi i Prokurorisë së Përgjithshme.
Dhe pas tij organi i Prokurorisë së Përgjithshme.
Ajo që ka vërejtur Partia Demokratike gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë një sorollatje e pajustifikuar e procedurave të verifikimit nga ana Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjithashtu, organi i prokurorisë ka dështuar në të gjitha rastet të zbatojë në mënyrë të plotë ligjin e Republikës së Shqipërisë, por asnjë nga rastet nuk rezulton të jetë zbatuar ligji antimafia dhe kriminelët e Edi Ramës, kriminelët që Edi Rama t’i fuste në politikë sot gëzojnë të paprekur pasurinë e vënë nga veprimtaria e tyre kriminale.
Për t’iu kthyer rastit të Mallakastrës që provon edhe një herë, e ripërsëris bashkëqeverisjen e Edi Ramës me krimin në vend, dua t’i drejtoj një pyetje publike se çfarë i kujton Edi Ramës së Mallakastrës data 25 shkurt 2000?
Sot nuk është koha për mashtrime, është koha për veprim nga organi i prokurorisë, është koha që ligji të veprojë dhe është koha që Edi Rama të mos fshihet pas Qerim Ismailajt, Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut dhe Mark Babanit, por të dalë dhe të marrë përgjegjësi dhe t’u shpjegojë qytetarëve shqiptarë se përse alternativa e tij e vetme është krimi i organizuar. Përse kandidon në bashkitë bastion të Partisë Demokratike individë me të shkuar kriminale?
Përse të tenton të fusë në politikë individë me të shkuar kriminale?
Shqiptarët e kanë të qartë, Edi Rama nuk fiton dot pa bashkëpunimin me krimin e organizuar, nuk qeveris dot pa ndarë pushtet me krimin e organizuar, prandaj përgjigja e shqiptarëve do të jetë e shpejtë dhe pa asnjë hezitim.