Ditët e fundit është riaktivizuar debati për ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor, për të kaluar në një sistem proporcional me lista të hapura.
Burime nga Partia Demokratike bënë të ditur se kjo forcë politike sëbashku me aleatët e saj ka shprehur vullnetin që në muajin shtator të vitit të kaluar për të diskutuar mundësinë e aplikimit të sistemit.
“Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar kanë shprehur vullnetin e qartë që pjesë e Reformës Zgjedhore të jetë edhe vendimmarrja demokratike brenda partive politike dhe një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre, që përfshinë edhe mundësinë e aplikimit të sistemit proporcional me lista të hapura. Ky zotim i opozitës është bërë publik që në Tetor 2019, si një nga çështjet e përfshira në 5 pikat kyçe që opozita i dorëzoi Qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtar në Tryezën e organizuar nga OSBE”, bënë të ditur burime pranë PD për Panorama.
Burime nga opozita bëjnë të ditur se në Dokumentin e përgatitur dhe të publikuar nga PD , në pikën 1.3. specifikohet “diskutimet mbi Reformën Zgjedhore duhet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike, duke përfshirë në hartimin e saj edhe përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile”.
Opozita e Bashkuar angazhohet për të diskutuar një reformë për ligjin e partive politike, përfshirë transparencën e financimit të tyre dhe fushatave zgjedhore, vendimmarrjen demokratike brenda partive politike, si dhe një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese që synon forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit.
Ndërkohë që problemi për mos nisjen e diskutimit, sipas demokratëve, është Partia Socialiste që nuk ka dhënë ende asnjë qëndrim mbi këtë propozim të opozitës.
“Partia Socialiste nuk ka ende asnjë qëndrim mbi këtë propozim të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar. Ndërkohë që për Partinë Demokratike, diskutimi i për një sistem zgjedhor që u jep mundësinë qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre në Kuvend, konsiderohet si një nga 5 prioritetet kyçe të Reformës Zgjedhore”, theksuan burime pranë PD.