Kryesimi i OSBE/Si u bë qesharake qeveria me misionin në Ukrainë

E mërkurë, 08 Janar 2020 19:14

Marrja e kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria është nga ato ngjarje historike, për të cilat qeveria duhej të ishte përgatitur me kohë.

Viti ka nisur me raportime nga mediat e huaja, që vënë theksin tek paradoksi: një vend në krizë merr drejtimin e një organizate që duhet të zgjidhë krizat demokratike në kontinent.

Jo vetëm kaq, por një qeveri, e cila sapo ka miratuar një ligj për të shtypur lirinë e medias, thotë se do të përkujdeset për lirinë e shprehjes dhe mendimit në krye të OSBE-së.

 

Paradokset janë një gjë, por qeveria është treguar qesharake dhe e paaftë në një tjetër drejtim.

 

Ajo ka shpallur se konflikti në Ukrainë do të jetë një nga prioritetet e saj gjatë presidencës së OSBE-së. Por edhe pse Shqipëria ka një vit që është pjesë e Trojkës dhe i ka shpallur prioritetet, në mesin e të cilave është edhe vendosja e një misioni në Ukrainë, situata është bërë surreale ditët e fundit.

Burime të Syri.net thonë se më 6 janar, pala shqiptare ka dërguar për kryesimin e misionit emrin e Fatjon Penit, diplomat në prag pensioni. Por ata kanë kërkuar marrjen e vizës për Penin... pa kërkuar nga Ukraina që të miratojë hapjen e misionit.

Historia bëhet qesharake pasi qeveria e ka miratuar me VKM që në tetor hapjen e Misionit të Posaçëm të Shqipërisë në Ukrainë që në tetor.

Pala ukrainase duket se ka mbetur e befasuar, duke kthyer përgjigje se nuk mund të japë vizë diplomatike për Fatjon Penin kur nuk është bërë kërkesa për hapjen e misionit. E gjendur në këtë situatë, qeveria ka dërguar sot kërkesën për hapjen e misionit në Ukrainë.

Edhe në këtë rast siç ndodh rëndom me qeverisjen e Edi Ramës në Shqipëri, qëllimi ka qenë më shumë që shfaqjet dhe propaganda me këmbët mbi tavolinë, sesa serioziteti i shtetit, sidomos në këtë angazhim kaq të rëndësishëm ndërkombëtar.

Login to post comments