Presidenti i Republikës, Ilir Meta ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend paketën "anti-shpifje" të kundërshtuar ashpër jo vetëm nga komuniteti i gazetarëve, por edhe nga organizatat botërore që mbrojnë të drejtat e tyre, si dhe institucionet e Bashkimit Europian.
Por në argumentat ligjore të dekretit të tij, bie në sy dhe një paralajmërim i prerë që i kreu i shtetit i ka adresuar Kuvendit në rast se nuk merr parasysh shkeljet e evidentuara në nisëm e qeverisë.
"Jam i detyruar T’ju paralajmëroj se, mosreflektimi nga ana e Kuvendit do të përkeqësonte besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend demokratik dhe i shtetit të së drejtës. Liria e shprehjes dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik, të deklaruar se do të jetë i tillë që në preambulën e Kushtetutës sonë.
Nëse cenohet liria e shprehjes dhe e shtypit, dhe media vendoset nën kontroll politik, atëherë është cenuar dhe rendi i lirë dhe kushtetues, me pasoja direkte dhe shumë të rënda për të ardhmen evropiane të Shqipërisë", argumenton ndër të tjera Presidenti Meta.