'Tërmeti' shkurton fondet e ministrive, i rrëmbehen 4.5 milionë euro Arsimit

Tuesday, 14 Janar 2020 08:15

Kuvendi shkurtoi fondet e Ministrive dhe Sistemit të Drejtësisë dhe disa institucioneve të tjera në shumën e 23 milionë eurove, si pasojë e rishikimit të buxhetit 2020, për llogari të mbulimit të pasojave, që shkaktoi tërmeti.

Sipas tabelave të institucioneve, shkurtimi më i madh i fondeve është bërë për ministrinë e Arsimit dhe atë të Mbrojtjes. Fondet për arsimin u shkurtuan nga parashikimi fillestar më 2020 me 555 milionë lekë ose 4.5 milionë euro. Ndërsa për ministrinë e Mbrojtjes shkurtimi i fondeve ishte 790 milionë lekë ose 6.4 milionë euro.

Tek Ministria e Infrastrukturës u shkurtuan 285 milionë leke ose 2.1 milionë euro, tek ministria e Brendshme u shkurtuan gjithashtu 2.1 milionë euro.

Fondi shqiptar i Zhvillimin pas rishikimit të buxhetit 2020 do të ketë rreth 3 milionë uro më pak fonde.

Për Ministrinë e Shëndetësisë janë shkurtuar 0,6 për qind e fondeve ose 2.8 milionë euro.

Në ministrinë e Arsimit  janë shkurtuar fondet për arsimin e 9-vjecar, atë të mesëm dhe programet për shkencën teksa është lënë i paprekur fondi për arsimin e lartë.

Janë shkurtuar mbi 700 mijë euro fonde të prokurorisë dhe gjyqësorit, por janë lënë të paprekur fondet për institucionet e reja të drejtësisë SPAK dhe KLP-së.

Përllogaritjet paraprake tregojnë së dëmet që ka krijuar tërmeti i 26 nëntorit në të gjithë vendin, tashmë i kanë kaluar 700 milionë eurot, teksa shumë banesa në zonat e prekura nuk e kanë kaluar vlerësimin teknik, çka do të thotë se fatura do të rritet frikshëm në ditët në vijim.

Duke ia lënë kohës faturën e saktë, ekspertët dhe institucionet janë duke analizuar se si dhe nga mund të gjenerohen burimet financiare për të përballuar situatën e krijuar, sidomos në drejtim të emergjencës dhe rindërtimit. Ky proces do të shtrihet në disa faza, por në fazën e parë, financimet pritet të arrijnë një shumë prej 200 milionë eurosh, ku shumica pritet të jenë burime të brendshme nga buxheti i shtetit.

Qeveria është vënë në lëvizje në dy drejtime, donacionet që përfshijnë një fushatë me qytetarët dhe bizneset në portalin E-Albania dhe një sensibilizim mes donatorëve publikë dhe privatë në vendet e huaja. Nëpërmjet donatorëve Kryeministri Rama ka njoftuar se pret të grumbullojë në periudhën afatshkurtër 7 miliardë lekë, afërsisht 56 milionë euro, ndërsa 20 miliardë lekë (165 mln euro) janë rialokuar nga buxheti i vitit 2020./MONITOR

Login to post comments