Politika ka arritur marrëveshjen e parë sa i përket Reformës Zgjedhore.
Kështu, opozita dhe mazhoranca kanë rënë dakord për formimin e Këshillit Politik me përfaqësues nga opozita, drejtuesit e komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvend.
Palët angazhohen që reforma zgjedhore do të përfundojë jo më vonë se 15 marsi i këtij viti.
KONKLUZIONET E TAKIMIT
- Formohet Këshilli Politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvend.
- Këshilli mblidhet brenda muajit janar 2020 dhe autorizon platformën e punës së procesit të Reformës Zgjedhore, si më poshtë:
– Një përfaqësi politike (2 persona) nga opozita jashtëparlamentare dhe ekspertë të saj do të punojnë me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ekspertët e atashuar pranë tij.
– Çështjet që do adresohen përcaktohen në vendimin e Kuvendit Nr.102/2017, i amenduar, “Për ngritjen e komisionit të Reformës Zgjedhore” përfshirë dhe planin e punës të miratuar me konsensus nga Komisioni në vitin 2017, si dhe çdo problematikë tjetër zgjedhore, që palët bien dakord me konsensus, me qëllim arritjen e standardeve ndërkombëtare.
-Palët e përfshira të angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve objekt i punës së Komisioni të Reformës Zgjedhore, përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE/ODIHR me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme.
-Për të ndihmuar në këtë proces Komisioni i Reformës Zgjedhore do të kërkojë zyrtarisht asistencën e OSBE/ODIHR, përfshirë dërgimin e ekspertëve nëse kjo është e mundur, që do të bashkëpunojë me përfaqësuesit politikë dhe ekspertët e përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike, me qëllim për të lehtësuar procesin procesin e disktimit dhe hartimit të projekt- propozimeve përkatëse.
-Projekti përfundimtar i dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti, do të miratohet nga Kuvendi në përputhje me procedurat parlamentare. Shumica angazhohet që të mos kryejë ndryshime në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në seancë plenare në tekstin e miratuar dhe dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti .
-Palët angazhohen që Reforma të përfundojë jo më vonë se 15 mars 2020.