Përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi komentuan pas takimit që zgjati një orë, vendimin për të nisur punën për reformën zgjedhore.
“Sapo dakordësuam dokumentin që ne si opozitë, dhe pala tjetër, ramë dakord për fillimin e një procesi të rëndësishëm siç është ai i reformës zgjedhore. Ky dokument garanton që reforma zgjedhore të bëhet me konsensus, të jetë gjithëpërfshirëse dhe në këtë mekanizëm do kemi asistencën ndërkombëtare. Së fundmi, edhe pas kaq kohësh nga kërkesa jone, për të arritur këtë do të ngrihet një forum që do quhet Këshilli Politik, që do të mandatojë punën për të kryer këtë reformë,” tha Bylykbashi.
Kurse Petrit Vasili u shpreh: “Praktikisht është hedhur një hap në raport me një moment të rëndësishëm që ka të bëjë me plotësimin e një kushti kyç të Bundestagut gjerman.
Do adresohen ato çështje që kanë qenë shkaku i shkatërrimit të besimit, por edhe në praktikë të procesit zgjedhor. Baza krijon mundësinë që të gjithë aktorët dhe faktorët të kenë mundësi të shprehen dhe të realizohet gjithëpërfshirja. Besoj se në këtë moment është hedhur një hap në këtë drejtim, i cili në rast të luajalitetit nga pala tjetër do ishte një mundësi për të ecur përpara drejt integrimit europian”.
I pyetur se përse opozita pranoi të ulej në tryezë me Damian Gjiknurin, të akuzuar më parë prej tyre, Vasii tha: “Nuk imponojmë zgjedhjet e palës tjetër”.