Nga Luçiano Boçi.
E gjithë tufa e fjalëve që nxorri Balla pas rrëzimit të akuzës ndaj Bashës, mund të perifrazohet me kërcënimin e drejtërdrejtë ndaj gjyqtarëve sipas modelit: “Ta tregoj tek vettingu unë ty!”. Nuk është as hera e parë dhe as e rastit rrjedha kërcënuese dhe diktuese e mazhorancës.
Ta tregoj tek vettingu... bërtet dhe Rama në parlament sa herë që vendimet e organeve të drejtësisë që merren janë jo në përputhje apo kombinim me interesat, pasionet negative apo ligësinë e tij të babëzitur.
Jo rrallë herë ai i ka bërë live gjygj politik gjyqtarëve dhe prokurorëve “armiq” politikë.
Ndërsa Braçe këtë ta tregoj tek vettingu... e bërtet në mes të sallës së gjygjit, pa pasur as më të voglin hezitim për të diktuar dhe trysnuar vendimet e organeve, sepse i akuzuari ishte një kanakar i tij.
“Ta tregoj tek vettingu unë ty” u bë kësisoj lejtmotivi kryesor i mazhorancës përgjatë këtyre viteve, kur drejtësia është kapur e goditur brinjë më brinjë politikisht.
Paradoksalisht për vendime skandaloze që lirojnë me rradhë drejtues bandash dhe kriminelësh, që shmangin krimet elektorale dhe fshehin korrupsionin e zyrtarëve të lartë, askund nuk e gjen të shpallur formulën kërcënuese politike.
Përkundrazi, vendime të tilla konsiderohen si investime serioze të atyre që sigurojnë kapërcimin e “vrimës së gjilpërës” së vettingut.
Vrimë e cila zgjerohet e ngushtohet sipas orekseve dhe parametrave politike në shumë raste.
Në të nuk mund të kalojë prokurori babai i të cilit në vitin X shiti lopën pa numër nipti dhe dyshohet se nuk beson tek partia socialiste, por ama mund të kalojë
Dvorani me trenin 100 milionësh të padeklaruar, i vetëdeklaruar si bir i partisë.
Në atë vrimë ngec ai prokuror apo gjyqtar që konsiderohet pëdëist, sepse ka pirë kafe me djalin e xhaxhait që më pas është dënuar se ka vjedhur dhe kalon ai që ha, pi, bën dallavere, liron anëtarë bandash, vetëm e vetëm se zbaton pikë për pikë urdhërat e shefit politik e jep dënime për kundërshtarët e tij politikë.
Tashmë perdet e iluzioneve kanë rënë dhe mohikanët e fundit të besimit tek një reformë drejtësie në opinionin publik, po bien një nga një.
Besimi i dikurshëm ia ka lënë vendin humorit të hidhur të përzier me panik dhe me nota tallje.
Kudo në korridoret e drejtësisë drejtësia është zhdukur është fshehur nga frika. Dhe ajo më relativja.
Qytetarët e kanë të pamundur ta kërkojnë atë, sepse gjithnjë e më shpesh ndeshen me murin vetting.
Ti mund të kesh plotësisht të drejtë po gjyqtari ka frikë ta japë se nuk e le vettingu.
Ti s’ke bërë asgjë, por do dënohesh sepse jetojmë kohërat e vettingut e askush nuk do të marrë njollën e partisë që quhet vetting.
E procesi i nisur me bujë për ta çuar drejtësinë tek qytetari është shtrembëruar e deformuar. Drejtësia nga aulat e gjyqeve tani vendoset në aulat e politikës.
Ajo nuk gjendet më në argumentat e faktet e parashtruara, por gjendet lehtësisht si aksesor në xhepat e xhaketave të Ramës, Braçes, Ballës dhe kompani.
Vettingu nga rrjeta e kapjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar rezulton të jetë vetë i kapur nga rrjeta e politikës dhe qeverisë.
Në të gjithë këtë katrahurë për të shpëtuar atë pak pjesë të mbetur ende të pakapur, zgjidhja është heqja e pushtetit politik të atyre që si kalamaj, por poshtërsisht bërtasin: Ta tregoj tek vettingu unë ty!